Aktualitet

Borrel: Afganistani një katastrofë, Evropa ka përgjegjësitë e saj. BE-së i duhet një forcë e ndërhyrjes së parë

Shkruar nga Liberale

Nga FEDERICO FUBINI

Askush nuk mund t’a padisë Josep Borrellin për hipokrizi. Nënkryetari i Komisionit dhe përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit evropian nuk fshihet kurrë. Nga rrënimi afgan kërkon të nxjerrë një mësim: është çasti të krijohet një fuqi evropiane e ndërhyrjes së shpejtë, sepse “amerikanët nuk do të  luftojnë më për luftërat e të tjerëve”.

Nënkryetar, a jemi në fundin e luftës n’Afganistan e në fillimin e një lufte mes fondamentalistësh?

Kjo është së pari një katastrofë për afganët, një dështim për Perëndimin e një pikë kthese për marrëdhëniet ndërkombëtare. Por a është fundi i luftës? Është fundi i pranisë ushtarake perëndimoe në Afganistan. Nuk jam i sigurtë se vetë afganët do të fillojnë luftën mes njëri tjetrit. Por sigurisht për ne kjo nuk është fundi i çështjes sepse duhet të vazhdojmë të mbështesim gjindjen e Afganistanit.

Evropianët kanë sjellë nga Kabuli ndoshta dhjetëmijë njerëz. Por sa na e kanë kërkuar dhe nuk janë nisur?

Sinqerisht nuk kemi një shifër konkrete të numrit të njerëzve që do të duhej të tërhiqeshin. Nuk besoj t’a ketë asnjeri. Ata që punonin me BE janë 520  e i kemi sjellë të gjithë në qendrën e grumbullimit të Madridit. Por ata që punonin me BE dhe evropianët në të shkuarën ose ishin të ngatërruar, makar në shoqërinë civile, duke u përpjekur të ndërtonin një Afganistan demokratik? Ndërmjet tyre, me mijëra nuk u arrit të tërhiqeshin. Pra po: marrja e tyre ka qenë një sukses, duke mbajtur parasysh numrin e njerëzve të çuar jashtë në kohë tepër të shtrënguara. Por dhjetëra mijrat e mbetur mbrapa: janë një problem”.

Pjesa m’e madhe e kritikave janë përqëndruar mbi Amerikën e mbi Joe Biden-in. Por ne evropianët a dalim mirë?

Evropianët janë përfshirë që nga fillimi i luftës afgane, sepse për të parën herë mbas 11 shtatorit ishte zbatuar nyja 5 e Traktatit NATO mbi mbrojtjen e ndërsjellët ndërmjet Vendeve t ‘Aleancës. Që nga fillimi anëtarët evropianë të NATO-s kanë dërguar trupat e tyre – gra e burra me vlera të mëdha – dhe kemi harxhuar shumë para. Por si evropianë nuk kemi patur një përçapje të qartë e që të ishte e jona. Synimi i parë ishte të luftohej Al Qaeda dhe e bëmë. Pastaj ishte një tjetër synim i pështjellueshëm: orvatja për të ndërtuar një shtet bashkëkohor. Në këta njëzet vite diçka është bërë, nuk mund të jemi johenikë mbi këtë: ndërmjet të tjerave, i kemi dhënë mundësi tre milion afganeve të shkonin në shkolla. Por ndërtimi i Shtetit bashkëkohor nuk pati kohë të ngulte rrënjë të thella. Pra si evropianë kemi pjesën tonë të përgjegjësisë, nuk ka qënë vetëm një luftë amerikane”.

[caption id="attachment_1213187" align="aligncenter" width="1100"] In this Aug. 20, 2021, photo provided by the U.S. Marine Corps, U.S. Marines and Norweigian coalition forces assist with security at an Evacuation Control Checkpoint ensuring evacuees are processed safely during an evacuation at Hamid Karzai International Airport in Kabul, Afghanistan. (Staff Sgt. Victor Mancilla/U.S. Marine Corps via AP)[/caption]

A mund të kihet ende besim tek Amerika për sigurinë tonë?

Presidenti Biden qe i qartë duke thënë  se Shtetet e Bashkuara n’Afganistan kanë bërë atë që duhej të bënin. Kanë krijuar, armatosur dhe mbarështuar një ushtri kombëtare – ka thënë – e tani është koha që afganët t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Po marr shkas nga kjo përsiatje e Biden-it, kur them se Shtetet e Bashkuara nuk janë më të gatshëm të luftojnë luftërat e të tjerëve. Është kështu. Sa i përket kësaj ka një farë tërheqjeje t’Amerikës  nga arena botërore. Por duhet t’a përdorim këtë krizë për të fuqizuar marrëdhëniet ndëratllantike, duke i bërë më të barazpeshuara. Nuk është çasti i tërheqjes.

Çfarë do të thotë kjo?

Si evropianë, duhet t’a përdorim këtë krizë për të mësuar të punojmë më shumë së bashku. E për të përforcuar idenë e autonomisë strategjike. Duhet të jemi në gjendje të lëvizim edhe vetëm. Duke përforcuar aftësitë tona përforcojmë edhe NATO-n”.

Juve propozoni një forcë ushtarake evropiane. Por nuk arrijmë as të bëjmë një deklaratë të përbashkët për Hong Kongun dhe n’aeroportin e Kabulit çdo Vend evropian punon për vete...

Evropa shpesh kundërvepron vetëm përballë piskamave. Nga kjo përvojë duhet të nxjerrim mësime. Secili prej Vendeve të pranishëm n’Afganistan u mobilizua për rreth aeroportit të Kabulit në këto javë. Kanë bashkëpunuar mes tyre dhe kanë bashkëndarë aftësitë e transportit. Por si evropianë nuk qemë në gjendje të dërgojmë gjashtëmijë ushtarë për rreth aeroporti për të mbrojtur zonën. Amerikanët i a arritën, neve jo. Për këtë arsye në “busullën strategjike” propozojmë  krijimin e një “Initial Entry Force” evropiane që të mund të veprojë shpejt  përballë piskamave. BE duhet të jetë në gjëndje të ndërhyjë për të mbrojtur interesat e tij kur amerikanët nuk duan të jenë të ngatërruar. “First Entry Force” e jona duhet të përbëhet nga pesëmijë ushtarë, në gjendje të jenë në gatishmëri për thirrjet e shpejta”.

Si mendoni të shmangni vetot kombëtare?

Nëse nuk ka njëzëshmëri, shpejt a vonë një grup vendesh do ë vendosë të shkojë përpara vetëm. Qeveritë që e duan nuk do të pranojnë të ndalohen.

A mund t’a bëjnë?

Mund të punojmë në shumë mënyra të ndryshme. Shumë është bërë nëpërmjet marrëveshjesh të veçanta që në fillim ishin jashtë nga Traktati, si në krizat financiare.

N’Evropë diskutojmë krizat gjeopolitike vetëm kur trembemi se do t ‘arrijnë refugjatë. Por kjo a nuk shtyn Vende kufitare si Turqia e Biellorusia të kërkojnë të na  frikësojnë me valët e të ikurve?

Është e vërtetë që Evropa priret të përqendrohet mbi krizat gjeopolitike vetëm kur shqetësohemi për këtë çështje. Por njerëzit që arrijnë nga Afganistani nuk mund t’i quajmë imigrantë. Shumë janë kërkues të strehimit politik. Kanë ikur nga Kabuli sepse nuk donin të vriteshin. Por është ashtu: gjithnjë e më shumë imigrantët apo refugjatët përdoren si armë nga Vendet fqinjë për të na vënë nën trysni. Së fund disa irakianë kanë fluturuar deri në Minsk e që aty regjimi i ka çuar deri në kufirin lituan. Këto orvatje për të përdorur imigrantët si armë duhen kthyer mbrapsht, por ne evropianët nuk mund të shohim gjeopolitikën vetëm me lentet e valëve migratore. Pasojat janë shumë më të gjëra. Ka një pasiguri në opinionin publik që disa subjekte kërkojnë t’i shfrytëzojnë politikisht, por duhet të zbatojmë një kriter shumë më të përgjithshëm.”

Është e vërtetë që BE do të paguajë Uzbekistanin, Taxhikistanin, Pakistanin e deri edhe Iranin për të mbajtur refugjatët afganë që ne nuk i duam?

E vërteta është se për çështjet që lidhen me Afganistanin duhet të shtojmë bashkëpunimin me Vendet fqinjë. Duhet t’i ndihmojmë përballë valës së parë të refugjatëve. Nuk është se afganët që ikin arrijnë që në fillim në Romë, por mbase në Tashkent. Vendet në vijën e parë duhen ndihmuar.

A do të kenë ndihmë financiare nga Evropa për të mirëpritur afganët ashtu sikurse Turqia ka patur për të mbajtur sirianët?

Aftësia thithëse e Evropës ka kufij dhe pa një bashkëveprim të fuqishëm nuk mund të bëhet asgjë. Vendet fqinjë do të jenë të implikuara më shumë e më parë se Evropa. Pra po: do të thotë se duhet t’u jepet dhe atyre një mbështetje financiare siç kemi bërë me Turqinë.

Në 2015 Jean - Claude Juncker i thonte Hungarisë se muret në kufij nuk janë të pranueshme n’Evropë. Tani Greqia dhe Lituania i ngrenë me miratimin e Brukselit. Çfarë ka ndryshuar?

Juncker fliste për kufij ndërmjet Vendeve të BE. Por nëse flitet për kufijtë e jashtëm të Bashkimit, ka Shtete anëtare që ju është dashur të ngrenë ledhe. Nuk është kundër ligjit evropian. Ledhet janë aty për të mbrojtur kundër dhunimit të caqeve tokësorë të një Vendi. Secili Vend ka detyrë të mbrojë truallin e tij. Nga ana tjetër, këto masa duhet të jenë proporcionale dhe nuk duhet të pengojnë  atë që kërkon strehim të paraqesë kërkesën e tij, që duhet të trajtohet në bazën e parimit të mos kthimit.

Biden-i tregohet i interesuar të fuqizojë marrëdhëniet me Evropën mbi të gjitha për të na rekrutuar në frontin amerikan në shemërinë e tij me Kinën. A mund t’a lejojmë, duke patur ne, evropianët, Kinën si partnerin tonë të parë tregtar?

Shemëria ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do të përcaktojë shekullin e njëzetenjëtë. Por bota nuk është dypolare, është gjithnjë e më shumë  shumë polare dhe BE duhet të jetë njëri nga polet. Do të jemi gjithmonë më afër Amerikës se Kinës, por kjo nuk do të thotë se do të jemi gjithmonë e sistematikisht të rreshtuar me Shtetet e Bashkuara, sepse kemi interesa të ndryshme në disa zona. Saktësisht si ata. Prandaj autonomia strategjike nuk është aspak kundër aleancës transatlantike, por shërben për të patur vështrimin tonë të çështjeve ndërkombëtare dhe aftësinë tonë për të vepruar: së bashku me partnerë si Shtetet e Bashkuara kur është e mundur dhe vetëm kur është e nevojshme

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika  /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH