Aktualitet

"Bombardoi tubacionet nënujore të gazit Nord Stream", Rusia kërcënon SHBA-në pas shkrimit të gazetarit investigativ

Shkruar nga Liberale
"Bombardoi tubacionet nënujore të gazit Nord Stream", Rusia

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha sot se do të ketë pasoja për Shtetet e Bashkuara, pas raportimeve të një blogu të gazetarisë investigative amerikane, se SHBA qëndronin pas shpërthimeve që dëmtuan tubacionet e gazit Nord Stream.

Ryabkov i tha gjithashtu agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti se raporti i gazetarit investigativ amerikan Seymour Hersh nuk ishte një surprizë për Rusinë.

Shtëpia e Bardhë mohoi të mërkurën raportin e Hearst, në të cilin thuhet se sulmi ndaj tubacioneve u krye shtatorin e kaluar nën drejtimin e presidentit amerikan Joe Biden.

Ryabkov tha gjithashtu se dialogu me Shtetet e Bashkuara për traktatin e ri START për të kufizuar armët bërthamore nuk ka ndalur.

Në një konferencë shtypi televizive, Ryabkov tha se Moska e njeh rëndësinë e bisedimeve të vazhdueshme mbi traktatin, i cili kufizon numrin e kokave bërthamore që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia mund të vendosin.

Zbulimi i gazetarit

Bombardimi i tubacioneve nënujore të gazit Nord Stream në Detin Baltik ishte një operacion i fshehtë i urdhëruar nga Shtëpia e Bardhë dhe i kryer nga CIA, pohon një raport nga një gazetar investigativ veteran.

Seymour Hersh, një reporter fitues i çmimit Pulitzer, ka pohuar se zhytësit amerikanë në det të thellë, duke përdorur një stërvitje ushtarake të NATO-s si mbulesë, vunë mina përgjatë tubacioneve që më vonë u shpërthyen nga distanca.

Në shtator, një seri shpërthimesh të fuqishme shkatërruan tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 që përshkojnë Detin Baltik nga Rusia në Gjermani dhe ofrojnë gaz në Evropën kontinentale. U zbulua se sulmi ishte një veprim i qëllimshëm, por ende asnjë fajtor nuk është identifikuar.

Hersh, 85 vjeç, i cili tregoi histori të tilla si vrasja masive e 500 civilëve në My Lai në Vietnam dhe torturimi i të burgosurve në burgun Abu Ghraib në Irak, thotë se "Black Op" u urdhërua nga Presidenti Biden dhe se sulmi u krye nga CIA në bashkëpunim me Norvegjinë. Në një raport prej 5000 fjalësh të botuar në platformën e botimit në internet Substack, Hersh shkruan se operacioni ishte maskuar "nën mbulesën e një stërvitjeje të njohur gjerësisht të NATO-s në mes të verës, e njohur si Operacionet Baltike 22 ose BALTOPS 22", e cila u krye në qershor jashtë brigjet e Gjermanisë.

Ai thotë se vendimi i Biden për të sabotuar tubacionet erdhi pas më shumë se nëntë muajsh planifikimi top-sekret brenda komunitetit amerikan të sigurisë kombëtare. “Për pjesën më të madhe të asaj kohe, çështja nuk ishte nëse do të bëhej misioni, por si ta realizonim atë pa asnjë të dhënë të hapur se kush ishte përgjegjës”, ka shkruar Hersh./Liberale.al

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH