Kryesore

Blofet e Reformës Zgjedhore

               Publikuar në : 09:52 - 07/05/20 ro ot

Përtej deklaratave konfuze të të dy kampeve për ftesa të munguara apo refuzime, ndarja reale e shumicës dhe opozitës është tek propozimet e demokratëve për qeveri tranzitore dhe ndryshimi i  sistemit zgjedhor. Gjetja e konsensusit për to, e kthen reformën në normalitet, ndërsa rrëzimi  çon në miratimin e njëanshëm të Kodit Elektoral. Një shans është mbledhja e së hënës të Këshillit Politik

Suadela Balliu

Rinisja e tryezës për Reformën Zgjedhore ditën e djeshme pati thuajse të njëjtat tone mosdakordësie mes maxhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare me mbledhjen e fundit, atë të nëntë marsit ndërsa vendi përfshihej nga pandemia globale e koronavirusit.

Në nëntë pikat e propozuara nga përfaqësuesit e PD dhe LSI, në Këshillin Politik, kërkohej depolitizim i administrimit të zgjedhjeve dhe qeveri kujdestare 100 ditë para zgjedhjeve si parakusht.

Ndonëse bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri ia kishte bërë të qartë opozitës të vinte me “këmbë në tokë” në propozimet e saj -ku fokusi i shumicës qeverisëse mbeten përmbushja e pesë rekomandimeve kyçe të OSBE/ODIHR-, duke shtuar se qeveria kujdestare kërkon ndryshime kushtetuese dhe nuk është objekt i punimeve të komisionit në fjalë.

Por kjo nuk e pengoi opozitën jashtëparlamentare të rimerrte propozimin e qeverisë kujdestare – përtej atij të financimit të partive politike, një pikë ku arritja e konsensusit dukej më e lehtë-, pasi dy ditë më herët kreu i PD-së kishte hedhur ide edhe më radikale, atë të ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe krijimin e parlamentit me dy dhoma, senat me 40 anëtarë.

Këto kërkesa maksimaliste – siç do të thoshte Gjiknuri sikur e gjithë bota rrotullohet vetëm tek një proces zgjedhor -erdhën vetëm pak ditë para se të përfundonte afati i Komisionit më 15 mars që nuk premtonte dakordësi finale.

Pavarësisht se kryedemokrati i bëri publike idetë e tij për ndryshimin e sistemit zgjedhor, që deri atë kohë ishte një nga shtyllat e opozitës së re, me deputetë të mbetur pa logo partiake, në Këshillin Politik siç do të zbulonte për mediat Gjiknuri PD nuk e kishte hedhur në propozim.

Një ditë para rifillimit të tryezës së Reformës Zgjedhore, ku Gjiknuri dhe Hajdari do të informonin rreth ecurisë së deritanishme, kryetarja e LSI-së do të thoshte se opozita e kishte përmbyllur punën e saj duke i dorëzuar për vlerësim maxhorancës pesë draftet e saj. Sipas Kryemadhit, nuk kishte më arsye pse duhej të mblidhej Këshilli Politik.

“Ne si opozitë iu kemi çuar pesë drafte të propozuara për të cilat në njërin nga këto drafte, ne jemi dakord që duhet të bjerë dakord shumica. Opozita ka qenë gati që në fund të shkurtit, pra 15 marsi ka qenë afati i fundit. Ne kemi qenë gati që në fund të shkurtit me propozimet tona që kemi pasur dhe presim reagimin nga pala tjetër”, do të thoshte Kryemadhi.

Sipas Damian Gjiknurit, deklaratat e opozitës për Këshillin Politik ishin kontradiktore.

“Të organizohet puna e mëtejshme, ky duhet të jetë afati i fundit, se është pikë themelore për integrimin në BE. Prandaj kam thënë që opozita jashtëparlamentare duhet ta shfrytëzojë këtë kohë, që t’i japim kohë parlamentit t’i diskutojë. Lëshuan disa mesazhe kontradiktore, e quajnë punën e mbyllur apo jo, dhe a janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun. Ne duhet ta rifillojmë ku e lamë, dora jonë është e shtrirë, por mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng këtë reformë”, do të thoshte bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, duke shtuar s e kishte realizuar disa kontakte jo zyrtare me përfaqësues ndërkombëtarë për të nxitur dialogun.

Pak ditë më parë Gjiknuri realizoi një takim në Skype me ambasadoren e BE-së Yuri Kim, ku do të zbulonte se e kishte informuar për ecurinë e deritanishme të procesit të reformës zgjedhore “dhe kërkova mbështetjen e SHBA për të nxitur dhe shtyrë përpara rifillimin e tryezës së dialogut politik, dakordësimin e çështjeve të mbetura pezull dhe përmbylljen e reformës brenda qershorit”, shkruante Gjiknuri, ndërsa shtonte se miratimi i Kodit të ri Zgjedhor hapte rrugën e konsensusit edhe për reformimin e financimit të partive politike, një pikë që opozita jashtëparlamentare e ka mes propozimeve të tryezës, duke lënë të kuptohet se kjo do të kërkonte proces më të gjatë konsultimi, pas miratimit të Reformës.

Por ai që do të reagonte menjëherë nga faktori ndërkombëtar ishte ambasadori i BE-së, Luigi Soreca. Thelbësore që Këshilli Politik të rifillojë punën ndërpartiake në Reformën Zgjedhore, edhe në kohë të vështira si COVID-19 Thelbësore që Reforma të mbështetet nga të gjithë aktorët politikë, në interesin më të lartë Shqipërisë, në mënyrë që të përmbushet sa më shpejt kushtet e përcaktuara nga Këshilli Europian”, shkruante ambasadori, ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashës duke hedhur poshtë zërat se opozita jashtëparlamentare ishte larguar nga tryeza e Reformës Zgjedhore.

“Gënjeshtra, nuk jemi larguar kurrë nga tryeza, qeverisë i ka munguar vullneti që të shprehet për propozimet tona. Ne kemi çuar propozimet tona, kemi gati propozimet e tjera, nëse qeveria është e sinqertë s’ka pse të presim javën tjetër jemi gati që nesër për të përfunduar një orë e më parë për t’i dhënë shqiptarëve një qeveri legjitime që të kujtohet për ekonominë që po bie në gropë”, do të shprehej kreu i PD-së, në mbyllje të një takimi që pati dje me përfaqësues me Shoqatës së Biznesit të Vogël.

Sipas kreut të selisë blu, nëse maxhoranca pranonte një prej drafteve të opozitës, ishin të gatshëm ta votonin reformën menjëherë.

“Që t’u japim qytetarëve një qeveri legjitime dhe që të kujdeset për fatin e tyre, për ekonominë që po bie në gropë.”, do të vijonte Basha, ndërsa Gjiknuri i është përgjigjur presionit të opozitës me kartën e votimit të Reformës në parlament, duke i pasur votat e opozitës së re. Skenar ky i përdorur më herët nga kryeministri Rama, ndërsa e vinte theksin tek rekomandimet e OSBE/ODIHR si fokus i Reformës, për të cilat ekzistonte konsensusi në Parlament, ku Hajdari dhe Gjoni do të shpreheshin hapur se megjithëse kërkonin ndryshim të sistemit, do t’i votonin rekomandimet e ODIHR. Por megjithë kërcënimin e maxhorancës dhe votat që ka në parlament, në kushtet për çeljen e negociatave thuhet qartë se kërkohet një Reformë gjithëpërfshirëse, e cila duhet vënë në zbatim në zgjedhjet e ardhshme. Por edhe opozita nga ana tjetër, e cila u zotua pas kushteve të Bundestagut se do të angazhohej në plotësimin e tyre, nuk mundet t’i bishtnojë të vetmes pikë për çeljen e negociatave, ku këtkohet roli i saj.

“Parlamenti i ka votat, bashkë me opozitën parlamentare, ky parlament është legjitim. Nuk mund të kthehet në një çek pa skadencë. Nëse ngelet problemi për një datë, edhe pse s’kam parë vullnet, do i drejtohem zyrtarisht PD, që jam gati për dialog, unë do propozoj rifillimin në javën që vjen të Këshillit”, do të shprehej Gjiknuri, duke sfiduar se në rast mospjesëmarrje opozita do të duhej t’ua thoshte hapur qytetarëve.

Gjiknuri ka bërë të ditur se po diskutohej ndryshimi i administrimit të zgjedhjeve, duke ua hequr këtë partive politike.

“Kolegji Zgjedhor, deri sa të krijohet gjykata e Apelit ku do të trajtohen problemet zgjedhore, ne mendojmë se duhet të zgjedhim gjyqtarë që kanë kaluar vetingun, edhe këtu kemi divergjenca”, zbuloi më tej bashkëkryetari i Komisionit të Reformës.

Pas deklaratave të Gjiknurit, do të reagonin dy përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik.

Përmes një letre drejtuar dy bashkëkryetarëve, Bylykbashi dhe Vasili konfirmonin angazhimin e opoztës në përmbushjen e Reformës Zgjedhore, si kusht për hapjen e negociatave.

“Ky ka qenë angazhimi ynë i përditshëm, duke i vlerësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themelin e demokracisë, dhe procesin e integrimit europian si prioritet kombëtar”, thuhet në letrën e dy përfaqësuesve, të cilët janë zotuar më tej për përmbylljen sa më parë të Reformës Zgjedhore.

Opozita ka kërkuar konfirmim nga Gjiknuri e Hajdari për mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, duke propozuar datën 10 ose 11 maj, si edhe rendin e diskutimeve ku kërkohet vlerësimi nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik.

Deputetja Hajdari do ta cilësonte bashkëpunimin e deritanishëm me opozitën jashtëparlamentare të mirë.

“Kemi rënë dakord për pjesën dërrmuese që ata kanë propozuar tani është çështje votimi, Këshilli i ka dhënë propozime, të gjitha janë duke u shqyrtuar nga ekspertët, ajo që është e rëndësishme është që ne të jemi transparent, sipas standardeve ndërkombëtare. nuk mund të zgjedhim një Kolegj Zgjedhor me gjykatës që nuk kanë kaluar vettingun, do zgjedhim modelim më të mirë. Konsensusi është fjala kryesore sa i përket Reformës Zgjedhore”, do të shprehej ajo, duke shtuar se beteja e deputetëve të opozitës së re për ndryshimin e sistemit do të vazhdojë.

Sipas përfaqësuesit të LSI, në këtë tryezë të Reformës Zgjedhore, propozimet e opozitës janë sabotuar nga maxhoranca, ndërsa ka qenë i mendimit se Këshilli Politik duhej të ishte mbledhur edhe më parë, online. Ndonëse afati i Komisionit përfundoi më 15 mars, duke mos u lënë mundësi për shkak të pandemisë përfaqësuesve të shteronin edhe takimet e fundit, shtyrja e tij deri më 30 qershor u bë në seancën plenare të 16 prillit.

“Gjiknuri të mos vazhdojë të gënjejë më ambasadorët duke ju paraqitur Komisionin e Reformes Zgjedhore si Këshill Politik sepse i bën edhe ata qesharakë në qëndrimet e tyre. Këshilli Politik nuk është ‘çunat problematikë’ të Gjiknurit. E dimë që Rilindja kërkon bllokimin e Reformës Zgjedhore dhe logjikën e faktit të kryer për të miratuar një reforme hajdute votash me komisionin dhe parlamentin e karavidheve”, është shprehur Vasili, ndërsa duket se diskutimi për Reformën Zgjedhore është kthyer në një pingpong, ku njëra palë akuzon tjetrën për pengim të arritjes së një rezultatit.

Deri në mbledhjen e nëntë marsit, siç do të zbulonte Gjiknuri, palët kishin gjetur konsensus mbi rolin e Policisë së Shtetit, Prokurorisë, hetimin nga SPAK të veprave penale të korrupsionit zgjedhor, sanksionimin dhe mbrojtjen e raportuesve të shkeljeve zgjedhore, financimin miks të fushatave zgjedhore, identifikimin elektronik të zgjedhësve në qendra votimi ose fillimin e zbatimit me projekte pilot të votimit elektronik, ndër të tjera.

Asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë në qëndrimin e maxhorancës, e cila i mbetet idesë së adresimit të pesë rekomandimeve të ODIHR dhe siç do të deklaronte Gjiknuri dy muaj më parë, në mbledhjen e ardhshme, që përkonte me atë të nëntë marsit, do të diskutohej vetëm mbi çështje që kishin të bënin me Kodin Zgjedhor. Të tjerat merrnin një premtim për diskutim të mëtejshëm. Por Basha do të tregohej asokohe i prerë, për një sistem të ndryshëm që do të ishte i qartë, përfaqësues e që i kërkonte llogari qeverisë.

Ndonëse debati i djeshëm mes dy kampeve ishte sipërfaqësor e merrej me çështje teknike si caktimi i një date për rifillimin e punës së Këshillit Politik, nuk ka gjasa që takimi i së hënës, konfirmuar nga Damian Gjiknuri pas kërkesës së dy përfaqësuesve të opozitës, të sjellë ndonjë produkt. Opozita, megjithëse në dukje kontradiktore në qëndrimet për Këshillin Politik, ka qenë e qartë se nuk do të pranojë diçka më pak se pikat e propozuara në pesë draftet e dorëzuara Komisionit. Madje me kërkesat maksimaliste të njërës palë dhe ato të reduktuara vetëm tek rekomandimet e OSBE/ODIHR të palës tjetër, edhe qershori premton pak për arritjen e një dakordësie të madhe për Reformën Zgjedhore.

Këshilli Politik, opozita: Nuk e kemi braktisur tryezën

Në një letër drejtuar bashkëkryetarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri dhe Hajdari, dy përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare Bylykbashi dhe Vasili kërkojnë mbledhjen e Këshillit Politik, të dielën ose të hënën, duke hedhur poshtë zërat se e kishin sabotuar atë.

Në media jemi njohur me nisjen nga ana juaj të një debati pa sens praktik dhe logjik, duke vënë kështu në dyshim vijimin e punës së Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Opozita ka qenë dhe mbetet e angazhuar për përmbushjen e këtij kushti për hapjen e negociatave me BE dhe për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky ka qenë angazhimi ynë i përditshëm, duke i vlerësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme si themelin e demokracisë, dhe procesin e integrimit europian si prioritet kombëtar.

Që nga krijimi i Këshillit Politik, opozita ka qenë e angazhuar në mënyrë konstruktive në Tryezën e Punës, duke bërë propozime dhe duke ofruar zgjidhje për problemet e evidentuara ndër vite nga Misionet Vëzhguese të OSBE/ODIHR.

Puna në Këshill, sikurse jeni në dijeni, u ndërpre për shkak të emergjencës shëndetësore të krijuar nga epidemia e COVID-19. Nga momenti i ndërprerjes për këtë shkak, nuk ka patur asnjë kërkesë apo ftesë për rinisjen e punës nga ana juaj.

Deklaratat nga ana juaj për një reformë jokonsensuale dhe të njëanshme synojnë krijimin e ngërçeve politike artificiale që dëmtojnë konsensualitetin e Reformës Zgjedhore dhe janë shpenzim energjish i kotë në dëm të përmbushjes së një prej kushteve të vendosura nga BE për hapjen e negociatave për antarësim.

Bllokimi i punës për Reformën Zgjedhore në fakt është një sjellje e hershme e Qeverisë. Është rasti i paprecedentë që mazhoranca parlamentare nuk ka arritur të krijojë kushtet për pasqyrimin e rekomandimeve të ekspertëve të OSBE/ODIHR për gati 7 vite.

Ashtu sikurse është e paprecedentë që ne ende nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga ana juaj për propozimet e bëra nga ana jonë në mbledhjet e Këshillit Politik për gati 2 muaj.

Pavarësisht mungesës së përgjigjes nga ana juaj për propozimet tona, duke qenë se ne mbetemi të angazhuar, jo për fjalë apo debate pa vlerë, por për përmbylljen sa më parë të Reformës Zgjedhore, duke siguruar implementimin e Rekomandimeve të OSBE/ODIHR për standardet demokratike të zgjedhjeve:

KËRKOJMË NGA ANA JUAJ:

Konfirmimin për të zhvilluar mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e diel, datë 10.05.2020, ora 11:00 ose ditën e hënë, datë 11.05.2020 ora 10:00, me këtë rend dite:

  1. Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 Maj 2020.
  2. Vlerësimin e përfaqësuesve të maxhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik.
  3. Çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik.

Mbledhja të zhvillohet në kushtet e sigurisë të diktuara nga epidemia e COVID-19, duke respektuar të gjitha kërkesat e autoriteteve shëndetësore që garantojnë jetën dhe shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve në mbledhje.

Mbetemi në pritje të konfirmimit nga ana juaj!

PËRFAQËSUESIT E OPOZITËS NË KËSHILLIN POLITIK:

OERD BYLYKBASH/ PETRIT VASILI

Gjiknuri i përgjigjet letrës së opozitës: Mbledhja, të hënën

Maxhoranca shprehet e gatshme për të rifilluar punën në Këshillin politik me opozitën për reformën zgjedhore. Përfaqësuesi i PS, deputeti Damian Gjiknuri i është përgjigjur letrës së dy përfaqësuesve të opozitës Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili duke përshëndetur pa rezervë “qëndrimin e ri i si një reflektim serioz në raport me deklarimet publike të bëra ditët e fundit”.

Në emër të maxhorancës ai shprehet se “konfirmojmë praninë në mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e hënë, datë 11.05.2020, ora 10:00, të cilën në kushtet e diktuara nga COVID-19, mundësisht ta zhvillojmë përmes hapësirës digjitale”.

Pasi u njohëm përmes medias me letrën tuaj, shprehim vlerësimin tonë për gadishmërinë e shprehur prej jush për të rifilluar punën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.

Ky qëndrim i ri i juaji, duhet përshëndetur si një reflektim serioz në raport me deklarimet tuaja publike të bëra ditët e fundit dhe ne e përshëndesim pa rezervë.

Duke shprehur plotësisht gatishmërinë tonë për të vazhduar procesin gjithëpërfshirës të dialogut dhe diskutimin në kuadër të tryezës së Këshillit Politik, shprehim edhe urimin tonë që përmes punës së përbashkët, brenda muajit maj të gjejmë edhe dakordësinë e plotë për draftin që do t’i shkojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë.

Ne konfirmojmë praninë në mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e hënë, datë 11.05.2020, ora 10:00, të cilën në kushtet e diktuara nga COVID-19, mundësisht ta zhvillojmë përmes hapësirës digjitale.

Duke ju falënderuar,

BASHKËKRYETARI i KOMISIONIT PARLAMENTAR PËR REFORMËN ZGJEDHORE:

DAMIAN GJIKNURI /Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back