Editorial

Bllokimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor si mision strategjik i Rusisë

Shkruar nga Liberale
Bllokimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor si mision strategjik i

Nga Red Varaku

Agresioni rus mbi Ukrainën e ka bërë Perëndimin më të vendosur për të mbrojtur arkitekturën e saj të sigurisë dhe demokracinë.

Samiti i fundit i NATO-s në Madrid qartësoi se Rusia është bërë një kërcënim serioz për botën Perëndimore dhe misioni i ri strategjik i SHBA-ve është mbrojtja e Europës nga një agresion i mundshëm rus.

Ndërkohë, Europa nuk ka asnjë opsion tjetër, por thjesht dhe vetëm të përgatitet për një konflikt të mundshëm në të ardhmen e afërt, ndërsa Ukraina duket se është kalaja e fundit që po mbron aktualisht Europën nga një agresion i mundshëm, ndaj ajo është kthyer në një vijë të kuqe të Perëndimit për Rusinë.

Është e qartë që beteja midis Rusisë dhe Perëndimit po avancon me shpejtësi në të gjitha frontet duke filluar nga fronti ekonomik, ai politik e deri tek fronti ushtarak.

Ndërkohë që në rajonin tonë mundësia për një ndërhyrje ushtarake ruse është ende e largët, lufta ekonomike dhe ajo politike ka nisur të japë produktet e para.

Thelbi i strategjisë politike të Perëndimit për rajonin është integrimi i tij në Bashkimin Europian, ndërsa misioni strategjik i Rusisë është destabilizimi i rajonit, që realizohet vetëm përmes bllokimit të integrimit për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra, bllokimi i integrimit të rajonit në BE është kryeobjektivi i Rusisë.

Për të shmangur mundësinë e destabilizimit të rajonit ,Perëndimi nga njëra anë, ka rritur shpejtësinë e integrimit të rajonit në BE, ku siç dihet po ndërmerren hapa gjigandë me qëllim integrimin e shpejtë të rajonit në BE.

Kështu Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në prag të hapjes së negociatave, Kosova po shkon drejt liberalizimit të vizave këtë tetor , dhe po këtë tetor Bosnjë-Hercegovina po pret marrjen e statusit të vendit kandidat pas disa reformave që ajo ka ndërmarrë dhe aktualisht po ndërmerr. Ndërsa , qarkullon një plan i Presidentit Francez Emanuel Macron për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë

Por nga tjetër edhe Rusia nuk mbetet pas në këtë drejtim. Në përpjekjen e saj për të bllokuar integrimin e rajonit në BE, ajo po rrit mobilizimin e saj për të pamundësuar integrimin dhe për të rindezuar konfliktet e vjetra ,me qëllim rikthimin e rajonit në një rajon problematik dhe për pasojë në një rajon që nuk e meriton integrimin.

Kështu rusët kanë nisur të riaktivizojnë të gjitha kukullat e tyre në rajon dhe do përpiqen që përmes tyre të riprodhojnë konflikte me bazë etnike me qëllim bllokimin e integrimit . Për këtë po mobilizohen shuma të jashtëzakonshme parash dhe skalione të mëdha individësh deri edhe parti politike, të cilat kemi filluar t’i shohim të shfaqen në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Për pasojë, në javët dhe muajt në vazhdim rajoni do të kthehet në një fushëbetejë përplasjesh të egra politike midis Rusisë dhe Perëndimit. Kjo betejë nuk do të përcaktojë vetëm një ndarje të qartë të fronteve politike properëndimore dhe fronteve politike proruse në Ballkan, por kjo betejë do të përcaktojë dhe të ardhmen e integrimit të rajonit në BE.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH