Editorial

Bjellorusia, sanksionet mund të kenë pasoja të paparashikueshme

Shkruar nga Liberale
Bjellorusia, sanksionet mund të kenë pasoja të paparashikueshme

Wolfang Münchau

Evropa nxjerr lakuriq të gjitha plasat e kundërshtitë e saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për të përballuar kryetarët e shteteve totalitarë të Vendeve të mëdha: Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdogan. Alexander Lukashenko, nga ana e tij, do të paraqiste, në teori, një problem të një rendi më të ulët. Bjellorusia është një vend relativisht i vogël, popullsia e saj është m’e pakët se ajo e Belgjikës, e PPi nuk arrin as atë të Luxemburgut. Ndërmjet burrave të fuqishëm që shfaqen në kufijtë evropianë, Lukashenko është, me gjasë, më pak i zgjuari, gjë që nuk e bën më pak të rrezikshëm.

Megjithatë, për Bashkimin evropian do të jetë tmerrësisht e vështirë për të gjetur kundërveprimin më të përshtatshëm për t’i u kundërvënë veprimit shkandullor të banditizmit ajror, veç nëse BE do të vendoste më së fundi, gjë shumë e pazakontë, të përpunonte një plan të tijin strategjik. Për të bërë këtë do të duhej të fillonte duke pyetur veten se cilët janë synimet tona: duam një ndërrim regjimi? Duam të ndalojmë një bashkim politik ndërmjet Rusisë e Bjellorusisë? Apo dëshirojmë thjesht për të dërguar një mesazh se ulja e një aeroplani përfaqëson një dhunim të papranueshëm për sigurinë e Bashkimit evropian? Që të tre janë synime të ligjshme. Por për t’i sendërtuar do të duheshin mjete të ndryshme.

Nuk arrij të shpjegoj ndalimin e fluturimeve, mbasi Lukashenko sigurisht nuk do të përsërisë trimërinë e tij. Ndalimi i fluturimeve dëmton më shumë politikanët e opozitës se sa Lukashenkon dhe rrethin e tij. Lukashenko i lejon ende zhvendosjet me rrugë ajrore. Rrugët për Poloninë e afërt dhe Lituaninë janë mbyllur për shkak të pandemisë. Shpagimi i Rusisë, në ndalimin e fluturimeve evropiane që anashkalojnë Bjellorusinë, na bën të kuptojmë se Rusia e Bjellorusia veprojnë si aleatë strategjikë. Takimi që u mbajt të shtunën e kaluar, ndërmjet Vladimir Putinit dhe Lukashenkos, e ka përforcuar atë lidhje. Dy Vendet ecin me të njëjtin hap.

Këshilli evropian i ka kërkuar përfaqësuesit të lartë të përpilojë një listë të sanksioneve. Flitet për të shtrirë sanksionet tregtare tashmë në fuqi, ashtu sikurse për të futur një përgjigje më dëmprurëse, duke e nxjerrë jashtë Bjellorusinë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave. Sa për mua, kam frikë se të dy këto veprime nuk do të bëjnë tjetër gjë, veçse të shtyjnë Bjellorusinë në krahët e Putinit, nëse nuk do të shoqërohen nga sanksione të reja për vetë Rusinë. Si fillim, Rusia përfaqëson partnerin kryesor ekonomik të Bjellorusisë, me 50 përqind të shkëmbimeve tregtare, ndërsa Bashkimi evropian mezi arrin në 18 përqind. Një embargo tregtare nuk është e mjaftueshme për të shkaktuar një ndryshim të regjimit, por mjafton e tepron për t’a shtyrë Lukashenkon dhe Putinin të shpejtojnë projektin e tyre të bashkimit politik të shestuar së fundi. Nëse sanksionet ekonomike janë zbuluar një instrument diplomatik i efektshëm kundër Iranit, nuk është e thënë aspak që të kenë të njëjtin përfundim me Bjellorusinë. Lukashenko nuk do të jetë një shqiponjë zgjuarsie, por din shumë mirë kujt t’i drejtohet kur është në telashe. I goditur nga sanksionet ekonomike të Bashkimit evropian, mundësia e tij e hershme është të rreshtohet me Putinin e të forcojë lidhjet me Kinën.

Një përfundim i këtillë do të ishte rrënues për Bashkimin evropian. Javë më parë kam analizuar rrezikun gjeopolitik të përfaqësuar nga Suwalki Gap, një rryp toke 60 kilometra gjatësi e që ndan territorin rus të Kaliningradit, Köningsbergun e vjetër nga Bjellorusia. Harta e jonë vë në dukje se ai sqep toke që qëndron ndërmjet kufijve polak e lituan do të përfundonte së ndari dy Rusitë në hamendësimin e një bashkimi politik me Bjellorusinë. Nëse Evropa do të adoptonte një kundërveprim të tepruar kundrejt ngacmimeve të Lukashenkos, Suwalki Gap do të mund të kthehej në shkëndijën e një kundërshtie gjeopolitike. Kjo, natyrisht nuk është në interesin e Evropës.

Për të shmangur një fatkeqësi të këtillë Evropa ka nevojë për një strategji më të përgjithshme. Gjermania mund t’i dërgonte një sinjal Rusisë në lidhje me projektin Nord Stream 2, kur kjo të vendoste të ndërhynte në çështjet bjelloruse. Por nëse gazsjellësi nuk do të preket, Putini do të shfrytëzojë në dobi të vet çdo hapësirë ushtrimi gjeopolitik. Megjithatë dyshoj seriozisht se do t ‘ishte i gatshëm të flijonte rastin për të nënshtruar gjithë Bashkimin evropian ndaj furnizimeve energjetike ruse me qëllim të mbronte një diktator të shikuar mjaft keq në një Vend kufitar. Marrëdhëniet e Rusisë me Bjellorusinë nuk janë asgjë kundrejt atyre që e lidhin me krahinat ukrainase të gjuhës ruse.

Është pikërisht këtu që strategjia evropiane për të frenuar Lukashenkon, me shumë gjasë është e paracaktuar të dështojë. Veprimet e Anxhela Merkelit nuk janë të përputhshme me bisedat e saj. Synimi kryesor i politikës së jashtme gjermane nuk është aspak integrimi evropian, por afrimi me Rusinë dhe marrëveshja me Kinën.

Prandaj ravijëzohet një skenar i ankthshëm: Evropa miraton sanksionet dhe shtyn Lukashenkon n’orbitën e Putinit, edhe se vazhdon të tregtojë me Rusinë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Politika e jashtme dhe e sigurisë e administratës Biden zbulohet shumë më strategjike se ajo evropiane, por ndruhem se amerikanët janë shumë të përqendruar mbi Kinën, qejfpaprishur kundrejt Rusisë dhe skajshmërisht pohenikë në lidhje me Gjermaninë. Nuk është e vështirë të përfytyrohet një skenar në të cilin i vetmi fitimtar i kësaj galaktike do të jetë pikërisht Putini.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH