Aktualitet

Bizneseve u largohen punëtorët nga Bangladeshi, kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për hartimin e një plani kombëtar

Shkruar nga Liberale
Bizneseve u largohen punëtorët nga Bangladeshi, kërkojnë

Kriza e mungesës së punëtorëve po ndihet në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke u kthyer në një nga problemet më të mprehta të bizneseve.

Që nga prodhuesit e bukës, pastiçerive, përpunuesit e mishit, mobilieve, bare-restoranteve e deri te mungesa e shoferëve të kamionëve në transport, problematika po thellohet, duke u përkthyer në rritje të larta të kostove.

Përveç vështirësive për gjetjen e punonjësve, bizneset po përballen edhe me fenomenin e largimit të punonjësve aziatikë, kryesisht atyre nga Bangladeshi që e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të emigruar drejt Europës.

“Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, përpara disa muajsh punësuam 6 punonjës nga Bangladeshi, me eksperiencë në përpunimin e drurit, të cilët pas 3 muaj pune u larguan nga vendi i punës, pa njoftuar. Kjo është kosto për biznesin, përfshi edhe rritjet e shpeshta të pagave që iu bëjmë punonjësve aktualë”, tha për “Monitor” drejtuesi i fabrikës së përpunimit të drurit FPM Tutto Mobili z. Ilir Linza. Më herët, rasti i largimit të 7 punonjësve nga Bangladeshi është ngritur edhe nga eksportuesit e lëndës së parë të produkteve shtazore.

Përballë rrezikut për largimin e punonjësve, siç po ndodh me disa biznese të tjera, kompanitë po e konsiderojnë marrjen e punonjësve nga Egjipti një fazë eksperimentale, pasi nuk mbetet rrugëzgjidhje tjetër për gjetjen e burimeve njerëzore.

Dritan Cacaj, drejtuesi i mobilerisë “Trin Mobileri”, pohoi më herët se prej shtatorit të 2022 sektori vuan mungesën e fuqisë punëtore. Për këtë arsye i është drejtuar një agjencie punësimesh për marrjen e 10 punonjësve nga Egjipti me përvojë të ngjashme në vendin e tyre për përpunimin e drurit.

Vështirësi me mungesën e theksuar të fuqisë punëtore po hasin edhe përpunuesit e mishit. Administratori i kompanisë “Tona”, Nikolla Tona, thotë se i mungon 30% e fuqisë punëtore, pasi janë larguar në Gjermani. Ai pohon se deri tani ka arritur të zëvendësojë 20% të tyre me vendas, por asnjë nuk është punonjës i kualifikuar, duke ndikuar te rendimenti i prodhimit.

Kryetari i Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia, pohon se mungesa e theksuar e punonjësve po ndihet në furrat e bukës dhe pastiçerive. Z. Peshkopia e cilëson mungesën e punëtorisë si “thembrën e Akilit” për sektorin.

Për shkak të largimit të punonjësve të vendeve aziatike që po ndodh në sektorë të tjerë të ekonomisë prodhuesit e bukës kanë mbetur të stepur para punësimeve të huajve.

Z. Peshkopia rekomandon se zgjidhja e kësaj problematike duhet të ofrohet nga institucionet shtetërore nëpërmjet hartimit të një plani kombëtar, ku secili nga sektorët të nxjerrë të dhënat për kërkesën e fuqisë punëtore të munguar dhe më pas agjencitë e rekrutimit të kontrollohen nga shteti.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve deklaroi se i mungojnë 15,000 punonjës, ku arsyeja kryesore mbetet emigracioni, kryesisht i të rinjve. Para krizës së pandemisë në 2019, sipas të dhënave të INSTAT, numri i të punësuarve në këto struktura arrinte 45,000 punonjës. Për zgjidhjen e kësaj problematike, prej 3 muajsh bizneset po kërkojnë punonjës nga Filipinet.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve rekomandon si zgjidhje përfshirjen në këtë mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të komunitetit rom të Shqipërisë nëpërmjet zyrave shtetërore të punësimit.

Shoqata shpreh gatishmërinë për nisjen e trajnimeve vullnetare për këtë kategori të shoqërisë me qëllim punësimin e tyre në bare dhe restorante, por kërkon ndërhyrjen e shtetit që kërkesa për punësime të kanalizohet nëpërmjet zyrave të punësimit shtetëror. /D.Azo - Monitor

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH