Globi

BIRN: Thaçi do të largohet nga politika pas përfundimit të mandatit

Shkruar nga Liberale
BIRN: Thaçi do të largohet nga politika pas përfundimit të

Në një njoftim të papritur, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të enjten se ai nuk do të kërkojë një mandat të dytë pas përfundimit të mandatit të tij në prill të vitit të ardhshëm, duke i dhënë fund kështu një karriere politike që ka zgjatur më shumë se dy dekada.

Pas më shumë se 20 vitesh në arenën politike të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi të enjten njoftoi se ai nuk do të përfshihet më në politikë pasi të përfundojë mandati i tij në prill të vitit të ardhshëm.

“Nuk do të jem kandidat për president në zgjedhjet e ardhshme”, tha Thaçi në Syri TV të enjten në mbrëmje, duke shtuar se ai do të largohej nga politika në një kohë kur “vendi është në rrugën e duhur”.

Sipas Thaçit, “kjo mjafton pas dy dekadash përgjegjësi politike”, duke shtuar se ai dëshiron të ketë “një jetë tjetër, jashtë jetës politike dhe institucionale”.

Thaçi u zgjodh president më 26 shkurt 2016 dhe bëri betimin më 7 prill të po atij viti, duke nisur kështu mandatin e tij katër vjeçar.

Para se të bëhej president, Thaçi kishte mbajtur shumë poste të larta politike në Kosovë. I lindur në rajonin e Drenicës në vitin 1968, Thaçi studioi në Prishtinë dhe Zyrih, ku u përfshi në veprimtari separatiste kundër regjimit të atëhershëm serb.

Në fund të viteve 1990, ai iu bashkua Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, duke u bërë udhëheqësi politik i saj dhe duke udhëhequr dialogun politik në emër të saj me Serbinë në bisedimet e dështuara të zhvilluara në Rambuje, Francë, në shkurt 1999.

Dështimi i këtyre bisedimeve, ndërkohë që luftimet në Kosovë përshkallëzoheshin, sollën ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në vitin 1999 dhe tërheqjen e detyruar të forcave serbe.

Thaçi më pas hoqi uniformën e tij ushtarake dhe i hyri politikës. Pasi Partia e tij Demokratike e Kosovës, PDK, fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 2007, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës në janar 2008, pak para se Kosova të shpallte pavarësinë nga Serbia. Më 17 shkurt 2008, kryeministri i atëhershëm Thaçi lexoi deklaratën e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.

Ai u bë përsëri kryeministër në vitin 2011 dhe shërbeu si zv/kryeministër i parë dhe ministër i jashtëm në vitet 2014-2015.

Thaçi u përmend në raportin e politikanit zviceran Dick Marty në vitin 2010 në Këshillin e Europës, i cili akuzonte ish-anëtarët e UÇK-së se kanë kryer krime të rënda gjatë luftës së tyre për pavarësi me Serbinë, përfshirë edhe trafikim organesh. Ai raportohet se u thirr në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të krijuara për të gjykuar ish-anëtarë të UÇK-së për krime të dyshuara lufte. Thaçi ka mohuar për BIRN këto pretendime. /Reporter.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH