Aktualitet

Bino: Po hartohet plani për vaksinimin e grupmoshave 12-15 vjeç

Shkruar nga Liberale
Bino: Po hartohet plani për vaksinimin e grupmoshave 12-15 vjeç

Pas vendimit të Agjencive Rregullatore Europiane dhe amerikane, Komiteti i Ekspertëve në vendin tonë do të diskutojë planin për vaksinimin e koronavirusit të fëmijëve 12 deri në 15 vjeç..

Pfizer do të jetë vaksina që do të aplikohet te kjo grupmoshë. “Deri tani, vetëm Pfizer ka marrë aprovimin për aplikimin te fëmijët e moshave 12-15 vjeç. Ka dhe vaksina të tjera që janë duke u studiuar, por Komiteti i Ekspertëve në vendin tonë po shqyrton dosjet në lidhje me Pfizer-in. Vaksinimi i kësaj grupmoshe është një rekomandim që po përpunohet dhe po bëhen planet se si do të zbatohet te fëmijët”, u shpreh për A2 Silva Bino, shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik.

Por, sa zgjat imuniteti i vaksinës ndaj Covid-19? Bino thotë se ende nuk ka të dhëna të sakta përtej afatit 6-mujor, kur ka nisur aplikimi i vaksinave.

“Kemi të dhëna që deri 6 muaj kemi një imunitet mjaft të mirë të vaksinës. Duhet të presim nëse ky imunitet do të vazhdojë i tillë brenda vitit apo dhe më pas. Në bazë të studimeve kemi të dhëna që ata që e kanë kaluar Covid-in, kur bëjnë vaksinën kanë një mbrojtje 20 herë më të lartë. Ky është një element i rëndësishëm që mbështet vaksinimin”.

Instituti i Shëndetit Publik po kryen një studim për efikasitetin e vaksinës në personelin shëndetësor, i cili më së shumti është vaksinuar me Pfizer, një pjesë me AstraZeneca dhe një pakicë e mjekëve me vaksinën kineze. Ky studim do të marrë një vit kohë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH