Kryesore

“Bijat e gjeneralit”, një duel mes të kundërtave

               Publikuar në : 09:37 - 06/01/20 liberale

Mimoza Hysa rrëfen “Bijat e gjeneralit”, romani që u rendit në pesë veprat më të mira të çmimit Kadare 2019

Mimoza Hysa, e njohur nga lexuesi shqiptar si përkthyese e shumë autorëve të rëndësishëm të letërsisë italiane si Giacomo Leopardi, Dino Buzzati, Eugenio Montale, Antonio Tabucchi, Claudio Magris etj., paraqitet këtë vit në Panairin e Librit të Tiranës si shkrimtare me romanin “Bijat e gjeneralit”. Po ky nuk është prezantimi i parë si autore: edhe botimet pararendëse nuk kanë kaluar pa vëmendje për lexuesin shqiptar. Për herë të parë si shkrimtare është shfaqur me tregimin “Ata ishin dhe s’ishin katër” me të cilin meritoi dhe vendin e parë në konkursin e krijimtarisë të shpallur nga gazeta “FjalA” në vitin 2004. Po kështu romani i saj i parë “Koha e Erës”, 2004, është shpallur fitues i projektit “Europa – atdheu ynë i përbashkët”, po kështu romani i dytë “Histori pa emra” ka qenë finalist për Çmimin e Letërsisë të Ministrisë së Kulturës për vitin 2006, ndërsa vëllimi me tregime “Vend/imi” u përzgjodh si një nga tre librat më të mirë të Panairit të Librit për vitin 2008.

Pse kjo kohë e gjatë pa botuar?

Kohë e gjatë reflektimi për botimin, në të vërtetë. Edhe pse shkrimi është makthi dhe shqetësimi im i përditshëm. Pastaj më është dashur të përkthej me ngulm në këto vite: kam sjellë mbi njëzet vepra në këto dhjetë vite që më kanë ngrënë shumë kohë. Ose e gjithë kjo është shfaqësimi për të mos dalë në vijë të parë. Është shumë më i rehatshëm pozicioni i përkthyesit, sepse ke sigurinë që po sjell për lexuesin një vepër të mirë dhe mund të flasësh lehtësisht për një gjë të tillë. Përkthimi i autorëve të rëndësishëm si Tabucchi, Magris apo Montale, natyrisht që të vë në pikëpytje si shkrimtare, të bën të mendohesh gjatë për të botuar. Po shkrimtaria është nevojë e brendshme, është vulë e papërsëritshme dhe unike dhe kur kjo të kthehet në domosdoshmëri qysh herët, sidoqë ta gjykosh veten, nuk mund të rrish pa e nxjerrë kokën. Të duket se në bibliotekë mungon historia jote, mungon stili dhe forma jote e të rrëfyerit, mungon kënvështrimi yt dhe kështu guxon.

 Si u ngjiz romani “Bijat e gjeneralit”?

Si një shtysë e fortë për të zbuluar universin e njeriut, përzierjen mes të mirës dhe të keqes, kundërshtitë që e shoqërojnë gjatë gjithë jetës dhe mënyrën sesi vendoset para zgjedhjeve vendimtare që i përcaktojnë jetën. Është shkruar me një frymë, edhe pse është mbajtur gjatë në dorë se asnjëherë nuk më është duhur e përfunduar. Madje as tani që është botuar. Ka kaluar në disa testime, madje dhe të fshehta e anonime. Në fund u binda se romani ose do të botohej në formën që më kishte ardhur që në ngjizje, pra me atë ballafaqim ngulmues me dy zëra, ose do të mbetej në sirtar sepse çdo ndryshim e shpërbënte dhe e hidhte poshtë të tërin. Ndërtimi i dy personazheve kryesorë, dy motrave binjake, Marsinës dhe Martinës, nuk ishte i vështirë për mua sepse përbënin botën e gruas me të gjitha mëdyshjet dhe parimet që kanë shoqëruar edhe jetën time. Po trillimi i intrigës që mban rrëfimin më erdhi natyrshëm pas krijimit të karaktereve. Është loja psikologjike mes personazheve që ka thurur intrigën, e cila shkon pashmangshmërisht drejt zgjidhjes. “Bijat e gjeneralit” është një histori e unit të dyzuar, mes së mirës dhe së keqes, mes liberales dhe konservatores, mes rrugës së shtruar nga të tjerët dhe asaj të shtyrë prej zemrës, mes zilisë dhe urrejtjes, mes kërkimit të ethshëm për dashuri dhe atij për lavdi. Është një përplasje mes personalitetit introvers dhe atij ekstravers, mes sistemit dhe kaosit, mes dy të kundërtave që shpesh afrohen në një. Është historia e gjithsecilit pavarësisht kohës dhe vendit, e luftës për të pranuar veten me të gjitha veset dhe virtytet.

Bashkim Hoxha në një shkrim kritik për romanin e ka quajtur “një Hiroshimë”. Pse vdekja ka kaq shumë vend në krijimtarinë tuaj?

Do të përgjigjesha me fjalët e Doktor Zhivagos së Pasternakut kur thotë se historia nuk është gjë tjetër veçse shekuj pune sistematike për t’i dhënë zgjidhje enigmës së vdekjes. Për mua kjo temë përsillet në të gjitha shkrimet sepse jo vetëm të shkruash për jetën është si të shkruash dhe për vdekjen, por dhe se vdekja më ka zënë gafil shumë herët dhe më është dashur përmes shkrimit të gjej mënyrën për ta kuptuar dhe pranuar, por, duhet thënë se vetëm në romanin e parë e kam shtruar drejtëpërdrejtë këtë pyetje. “Bijat” i shket me elegancë kësaj teme, edhe pse era e vdekjes ndjehet në të gjithë romanin. Megjithatë ky nuk është një roman i trishtuar e as tragjik: është një shoshitje psikologjike e mendjes njerëzore, është duel i vazhdueshëm mes të kundërtave, duke trajtuar kinse si përciptazi situate të rënda, duke i shkitur me elegancë humbjeve, vrasjeve apo vetëvrasjeve. “Bijat” është një roman mirëfilli psikologjik, ku realiteti mbetet jashtë dhe përftohet përmes përjetimeve dhe përthyerjeve në dy mendje të ndryshme dhe në kundërshti me njëra-tjetrën.

Ka detaje fjalësh apo shprehjesh që përsëriten në roman si “fjongoja për beli”, “shiriti si bollë”, “lëshuar pa duar” etj. Për çfarë e ndihmojnë rrëfimin përsëritjet?

Për të krijuar atmosferën e tensionit. Po edhe për të vizatuar këndvështrime të ndryshme me të njëjtin mjet: detaji i thënë nga njëra motër, rimerret në një tjetër kontekst nga motra tjetër. Është si të përdorësh të njëjtën ngjyrë po të japësh dy potrete të ndryshme. Edhe pse romani ka një gjuhë të thjeshtë e të drejtëpërdrejtë, detajet përbëjnë dhe një metaforë të fshehur: ndoshta fjongoja është shtrëngesa e vazhdueshme që edhe pse e bukur, pengon lirshmërinë e lëvizjeve dhe frymëmarrjes. Bolla është gjarpri i shtëpisë, është tradita bashkëjetuese si e keqja e domosdoshme…ndoshta mund të lexohen thellë thellë edhe kështu. Edhe pse leximi i parë është më i duhuri.

Ka një përkujdesje në zgjedhjen e emrave: Marsina, Martina, Jetoni, Mirzani, Arsi…a janë të rëndësishëm në rrëfim emrat?

Janë të rëndësishëm për t’u fiksuar në kujtesën e lexuesit. Motrat janë po aq të ngjashme dhe po aq të ndryshme dhe në emrat që mbajnë: për Marsinin, vajzën që e do jetën dhe e merr lehtë ditën, ajo që jeton çastin, të sotmen pa e sakrifikuar për të nesërmen, theksohet muaji i lindjes, muaji i pranverës, Marsi. Për Martinën, vajzën që sakrifikon ndjenjat dhe lirinë e vet për një emër të mirë e të pranueshëm në shoqëri, vajza që jeton për të nesërmen pa shijuar të tashmen, është theksuar dita e lindjes së motrave, e marta, Martina. Jetoni është jeta, është dashuria me D të madhe, është pika kyçe e romanit, po që në fund nuk jeton. Mirzani është fshatari i vuajtur që do t’ia dalë në jetë e të bëjë karrierë e emër, t’i dëgjohet “zani i mirë”. Ndërsa Arsi është çfarë mbetet nga e gjithë historia e rrëfyer: është emër i sajuar prej meje, me ngjasimin me fjalën “arso”, i djegur, i tharë, i rreshkur, e njëkohësisht është dhe shkurtim i emrit “Arsenio” që mban një nga poezitë më të famshme të Montales: është djaloshi që përballet me dallgët e jetës, me furtunën për t’ia dalë. Me këtë emër mbyllet dhe romani.

Romani juaj ka në sfond kohën e diktaturës: cili mendon se është veçantia në trajtimin e kësaj periudhe në romanin tënd?

Mendoj se romanet e shkruara deri tani kanë drejtuar gishtin ndaj persekutorëve, vrasësve, atyre që ndodheshin në poste drejtuese në kohën e diktaturës dhe ende nuk kemi një katarsis të plotë që nis gjithnjë nga uni e jo nga tjetri. Për këtë gjë do të përmendja frazën e Aleksandr Solzhenitsyn, një nga shkrimtarët që e ka trajtuar më thellë e më gjerë periudhën e diktaturës komuniste në Bashkimin Sovjetik, kur thotë se edhe vetë ndjehej fajtor për diktaturën në vendin e tij, pikërisht për atë që nuk kishte bërë për ta ndryshuar situatën. E keqja nuk është kurrë e ndarë nga e mira, sepse kësisoj do të ishte e thjeshtë të shkatërrohej: ajo bashkëjeton me të mirën si dy barkushet në një zemër: e pamundur të shkulësh njërën pa e ndjerë dhe tjetra. Kjo është edhe mënyra sesi trajtohen ngjarjet në roman: dy vajzat janë bija të një ushtaraku të lartë që jetojnë të gjitha shqetësimet dhe pasiguritë e rritjes, që rrjedha e ngjarjeve i vendos para pikëpyetjeve të mëdha: zgjedhjet që bëjmë në jetë, ndikuar nga arsyeja, nga konformismi, nga ndjenja apo shpirti i revoltës dhe perceptimi i së drejtës, na pozicionojnë në njërin kamp apo në tjetrin. Për më tepër, për të ndërtuar një roman përplasjes dhe kundështisë nuk ka sfond më të mirë se mungesa e lirisë apo zgjedhjet e detyruara, trysnia e shtetit dhe shoqërisë ndaj individit. Për të testuar diçka, qoftë kjo dhe një ide, është më e volitshme ta vendosësh në situata ekstreme: prandaj dhe është zgjedhur diktatura si sfond apo kohë e rrëfimit të historisë.

Ke përshkruar jetën në bllok: sa njohje ke për bllokun?

Kam studiuar në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja në vitet tetëdhjetë dhe në klasën time kisha fëmijë të bllokut. Isha nxënëse e mirë në matematikë e më ndodhte shpesh të shkoja në shtëpitë e tyre. Kam kuptuar se tensioni i brendshëm, trysnia, ankthi dhe frika që përjetonin njerëzit jashtë bllokut ishte po njëlloj, madje ndonjëherë dhe më e madhe brenda në bllok. Asokohe më dukej me fat të ishe në një familje anonime e të zakonshme se nuk dihej nga vinte goditja. Kështu kur u vetëvra Mehmet Shehu, furtuna u ndje fuqishëm në klasën tonë ku pati shokë e shoqe që u internuan sepse kishin baballarët të akuzuar për tradhti ndaj atdheut, edhe pse deri në atë kohë kishin gëzuar privilegje dhe një pozitë të mirë.

Mendon se brezi i ri është i interesuar për të lexuar histori të kohës së diktaturës?

“Bijat” është romani i dilemave të dashurisë, është histori adoleshentesh që ka ngjarje dhe befasi e mund të qëndrojë në çdo kohë. Një vajzë e re edhe sot në zgjedhje duhet të peshojë nëse bën zgejdhjen që shkon për shtat me opinionin kolektiv, me atë që konsiderohet njeriu i suksesshëm ose të zgjedhë atë me të cilin djehet mirë. Kjo ka qenë dhe mbetet kundërshti për të gjitha kohërat, kështuqë mund të lexohet edhe thjesht si një histori dashurie. E kam shkruar për më tepër me një gjuhë të thjeshtë dhe në rrafshin bisedimor, sepse kam dashur që të jetë një roman që të lexohet nga adoleshentët e sotëm. Nëse përmes historisë kuptojnë diçka më tepër për diktaturën, kjo do të ishte si të përcillja ilaçin e hidhur me një kapsulë të sheqerosur. Uroj t’ia kem dalë, aq më tepër që romani qëllimisht “bën lojën” e zgjidhjeve dhe befasive alla telenovelë.

Cilat janë zakonet tuaja të të shkruarit?

Të thjeshta por ndonjëherë të pamundura: më duhet të shkëputem plotësisht nga realiteti ku jetoj, të veçohem, të mbyll komunikimin e mundësisht të jem në ndonjë rezidencë. Këtë roman e kam shkruar gjatë qëndrimit në rezidencën e përkthyesve në Svicër dhe më pas në Romë. Por pikërisht ky kusht më vështirëson shkrimin, sepse është luks i madh për mua të lë punët dhe të qëndroj për kohë të gjatë pa komunikim. Ndërkohë e kam zgjidhur me kohë këtë problem me përkthimin: tani arrij të përkthej e të përqendohem edhe në një kafene me zhurma gjithëfarë. Po stërvis veten që një ditë ta bëj këtë gjë edhe me shkrimin. Uroj të vijë ajo ditë./Gazeta Liberale

 

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back