Globi

Biden takon krerët shtetërorë britanikë para samitit të NATO-s

Shkruar nga Liberale
Biden takon krerët shtetërorë britanikë para samitit të

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se miqësia me Britaninë është “e fortë” gjatë qëndrimit të hënën në Londër, para samitit të NATO-s ku pritet që Perëndimi të shfaqë vendosmërinë për të ndihmuar Ukrainën.

Biden nisi vizitën në Londër të dielën, ndërkaq të hënën u takua me kryeministrin britanik, Rishi Sunak. Më vonë gjatë ditës ai do të takohet edhe me Mbretin Charles.

“Është e shkëlqyeshme që ne mund të vazhdojmë bisedat tona”, tha Sunak në fillim të takimit me Bidenin.

“Kemi shumë gjëra për të biseduar. Marrëdhëniet tona janë të forta”, u shpreh Biden.

Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se dy liderët do të diskutojnë për samitin e NATO-s që do të nisë të martën në Lituani, e që pritet të dominohet nga lufta në Ukrainë.

Para nisjes së vizitës, Biden ka paralajmëruar kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO tani, duke thënë se aleanca do të mund të futej në luftë me Rusinë për shkak të paktit të mbrojtjes së përbashkët të NATO-s.

“Nuk mendoj se unanimitet në NATO nëse duhet që Ukraina të futet në familjes e NATO-s, në këtë moment, në mes të luftës”, tha Biden për CNN të dielën.

Pjesëmarrja e Bidenit në samitin e NATO-s po ashtu vjen në kohën kur SHBA-ja është pajtuar që t’i dërgojë Ukrainës municione thërrmuese.

Përdorimi i këtyre municioneve është i ndaluar nga më shumë se 100 shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, pasi konsiderohen se kërcënojnë popullatën civile.

Municionet thërrmuese janë raketa dhe bomba që shpërthejnë në ajër mbi një objektiv dhe lëshojnë shumë pajisje të vogla shpërthyese.

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë nënshkruar Konventën për Municione Thërrmuese, që ndalon prodhimin, ruajtjen, përdorimin dhe transferimin e këtyre municioneve./REL

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH