Kryesore

Biden – ‘rikthimi’ i SHBA në Ballkan

               Publikuar në : 09:41 - 04/12/20 liberale

Charles Kupchan dhe Janusz Bugajski komentojnë ndryshimet që mund të shohim në marrëdhëniet e administratës së Presidentit të zgjedhur, Biden me Evropën dhe në drejtim të çështjeve me të cilat përballet sot Ballkani Perëndimor

Bashkimi Evropian po përpiqet ta shfrytëzojë ardhjen së shpejti të administratës Biden për një fillim të ri në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pas katër vjet tensionesh nën Presidentin Donald Trump.

Por çfarë ndryshimesh mund të shohim në marrëdhëniet e administratës së re me Evropën dhe në drejtim të çështjeve me të cilat përballet sot Ballkani Perëndimor?

Ilir Ikonomi i Zërit të Amerikës bisedoi me dy analistë në Uashington:

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian shpresojnë se pas katër vite tensionesh nën Presidentin Donald Trump, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mund të njohin një frymë të re me administratën Biden.

Charles Kupchan, drejtor i studimeve për Evropën në Këshillin prestigjioz për Marrëdhëniet me Jashtë, ka punuar për një kohë të gjatë me zotin Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe e ka shoqëruar atë shpesh gjatë vizitave në Evropë.

“Vetë Joe Bideni e ka kaluar një pjesë të mirë të karrierës i përqendruar te siguria evropiane dhe tek NATO-ja, ndryshe nga zoti Trump, i cili në thelb u tërhoq nga integrimi evropian. Prandaj, nuk ka dyshim se të gjithë në Evropë po marrin frymë të lehtësuar. Ndoshta jo të gjithë, sepse një pjesë kanë mbajtur marrëdhënie të mira me Presidentin Trump, por ata janë përjashtim,” thotë analisti.

Zoti Kupchan pret që ndryshimi më i madh që do të vihet re do të jetë së pari në atmosferën e marrëdhënieve:

“Do të ketë një mirëkuptim se SHBA janë kthyer në rolin e tyre tradicional si udhëheqëse e NATO-s. Së dyti, unë besoj se zoti Biden do ta zhbëjë vendimin e Presidentit Trump për të tërhequr trupat amerikane nga Gjermania.”

Janusz Bugajski është studiues në Fondacionin Jamestoën.

“Unë pres që nga administrata Biden të ketë më shumë angazhim dhe vazhdimësi ndaj marrëdhënieve ndër-atlantike… Është mirë që t’i tregojmë edhe brezit më të ri, të rinjve që nuk e kuptojnë rëndësinë e NATO-s apo të marrëdhënieve ndëratlantike se Amerika nuk mund të veprojë e vetme. Përhapja e viruseve, e dezinformimit e luftës kibernetike, të gjitha këto kërcënime ndaj sigurisë ndërkombëtare kërkojnë një aleancë të fortë,” thotë zoti Bugajski.

Zoti Kupchan nuk pret që presidenti i ardhshëm Biden të veprojë me shpejtësi përsa i përket marrëdhënieve me Evropën:

“Duhet të kuptojmë se zoti Biden, të paktën në vitin e parë do jetë mjaft i përqendruar në çështjet e brendshme, si pandemia, rihapja e ekonomisë. Por mendoj se ka gjithashtu rëndësi që edhe Evropa të bëjë lëshime në marrëdhëniet me zotin Biden, duke u treguar e gatshme për të bërë më shumë, për shembull duke shpenzuar më shumë për mbrojtjen.”

Por sa i rëndësishëm do të jetë Ballkani Perëndimor në politikat e administratëssë ardhshme?

“Mendoj se ndryshe nga shumë politikanë që të them të drejtën nuk e dinë se ku bie Ballkani, Joe Bideni gjen gjithnjë kohë për Ballkanin. Kur punoja me të në Shtëpinë e Bardhë, ai ishte gjithnjë i gatshëm të shkonte atje dhe fliste vazhdimisht në telefon me udhëheqësit e rajonit….” shpjegon Kupchan.

Sipas tij, Ballkani mori vemendje gjatë administratës Trump, pjesërisht sepse ambasadori Richard Grenell u angazhua shumë për përmirësimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. “Pra, jo se rajoni u la mënjanë, por mendoj se do të shohim një theks më të qëndrueshëm nga Departamenti i Shtetit dhe në një farë mase nga Shtëpia e Bardhë për Ballkanin, sepse ka shumë punë të papërfunduara,” thotë zoti Kupchan.

Sipas analistit Bugajski, u takon vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të realizojnë reformat brenda tyre, por ka shumë rëndësi që Shtetet e Bashkuara t’i inkurajojnë këto vende:

“Mendoj se ka patur shumë njerëz, që duke u nisur nga politikat e administratës Trump kanë thënë: Ndoshta Bashkimi Evropian nuk është aq me rëndësi sa e mendonim, sepse administrata Trump nuk po punon ngushtë me evropianët. Mendoj se një rianagzhim i zotit Biden ndaj BE-së do të ndihmojë vendet që kërkojnë të anëtarësohen dhe do të bindë shumicën e politikanëve në këto vende që t’i hyjnë punës për të plotësuar kushtet e anëtarësimit.”

Zoti Charles Kupchan thotë se solidariteti më i madh Amerikë-Evropë që pritet të shihet me ardhjen e administratës së re, do të ndikojë për mirë në normalizimin mes Beogradit dhe Prishtinës:

“Në një farë mënyre ka patur një rivalitet për Ballkanin mes administratës Trump dhe Bashkimit Evropian, sidomos sa i përket dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Do të shihni se Uashingtoni do të punojë shumë më nga afër me Brukselin dhe me kryeqytetet evropiane për të sjellë më tepër qëndrueshmëri në Ballkan.”

Zoti Kupchan beson se do të ketë një rikthim në situatën kur Amerika do të përdorë si diplomacinë personale ashtu edhe peshën diplomatike për ta shtyrë rajonin në drejtimin e duhur.

Agjentë kinezë po shenjestrojnë ekipin Biden

Më shumë se 1000 kërkues shkencorë kinezë janë larguar nga SHBA, ndërkohë që autoritetet amerikane kanë ndërmarrë një operacion kundër vjedhjeve teknologjike, siç njoftoi të mërkurën John Demers, zyrtar për sigurinë kombëtare pranë Departamentit të Drejtësisë.

William Evanina, shefi i kundërzbulimit në Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare tha në takimin mbi kibernetikën të organizuar nga Instituti Aspen, se agjentë kinezë kanë filluar të shenjestrojnë individë që do të punojnë në administratën e ardhshme Biden, si dhe persona “të afërt” me ekipin e zotit Biden.

Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë tha se kërkuesit shkencorë, të cilëve u referohej zoti Demers, nuk ishin të njëjtët që u përmendën në shtator nga Departamenti i Shtetit, kur u njoftua se SHBA nuk u kishte miratuar vizat më shumë se 1,000 shtetasve kinezë, në kuadër të një mase presidenciale për të mos lejuar studentë e ekspertë që konsideroheshin si kërcënim sigurie.

Kina e cilësoi masën e fundit si persekutim i hapur politik dhe diskriminim racor që shkel seriozisht të drejtat e njeriut.

Trump pretendon sërish se zgjedhjet e 3 nëntorit janë manipuluar

Presidenti amerikan, Donald Trump ka publikuar një material 46 minutësh, duke recikluar pretendimet e tij të pabazuara për mashtrime zgjedhore, në zgjedhjet që ka humbur muajin e kaluar kundër sfiduesit demokrat, Joe Biden.

Në një video të publikuar në rrjetin social, Facebook, Trump e ka quajtur fjalimin ndoshta “më të rëndësishmin që kam bërë ndonjëherë”, teksa ka sugjeruar se Gjykata Supreme duhet “të bëjë atë që është mirë për shtetin tonë” dhe të përmbysë rezultatin.

Presidenti 74-vjeçar ka vazhduar të vë në pikëpyetje rezultatet që kanë treguar se Biden ka fituar një rekord prej 81 milionë votash në zgjedhje, apo 7 milionë më shumë sesa Trumpi.

Megjithatë, presidenti amerikan ka thënë se zgjedhjet janë manipuluar, ndonëse anëtarët e administratës së tij, duke përfshirë aleatin e tij të afërt, Prokurorin e Përgjithshëm, William Barr, kanë përsëritur se nuk ka dëshmi për mashtrime zgjedhore.

Asnjë pjesëtar i mediave nuk është parë në incizimin e Trumpit.

Fushata e Trumpit dhe mbështetësit e tij kanë dërguar në gjykatë disa raste dhe kanë pretenduar se janë kryer keqbërje në zgjedhjet e nëntorit, ndonëse pothuajse të gjitha janë hedhur poshtë për mungesë të provave.

Ndonëse Facebook dhe Twitter, ku Trump ka postuar linkun e videos, e kanë shënjuar materialin si problematik, qindra mijëra mbështetës të tij “e kanë pëlqyer” videon.

Biden ka vazhduar të ndërtojë administratën e tij për të nisur udhëheqësinë në Shtëpinë e Bardhë, pas inaugurimit më 20 janar.

“Ekipi im për tranzicion është duke punuar për atë që do të çojë përpara në Kongres, për të adresuar shumë kriza me të cilat po përballemi, sidomos krizën ekonomike dhe koronavirusin”, ka thënë Biden para punëtorëve në një tryezë të rrumbullakët në vendlindjen e tij në Delauer më 2 dhjetor. /Gazeta Liberale

 

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back