Analizë

Biden (e Putin): Navalni nuk duhet të vdesë

Shkruar nga Liberale
Biden (e Putin): Navalni nuk duhet të vdesë

Franco Venturini

Nëse takimi i lartë Biden-Putin ka patur një kuptim, e sigurisht e ka patur në vullnetin e përbashkët për bisedime mes palëve, besojmë se mund të hamendësojmë atë që ka ndodhur në burgun që strehon njeriun-simbol të opozitës ndaj Kremlinit, atë Aleksej Navalni që në shkurt është dënuar me tre vjet e gjysmë: dyfishim rojesh, mjekë të gatshëm të ndërhyjnë në rast nevoje, që shijojnë më parë gjithçka që Navalni pi apo ha, nja dy autoambulanca në pritje. Putini, natyrisht, e dinte prej kohësh se shërbimet e tij janë paditur se kanë tentuar t’a helmojnë. Por një gjë është të jesh i vetëdijshëm e tjetër është të të thuhet në surrat nga një Biden që nuk kishte pamjen e atij që bënte shaka: “Nëse Navalni do të vdesë në burg pasojat do të jenë rrënuese”.

E nga çasti që tani ndërmjet Biden-it dhe Putini-t nuk harbojnë vetëm të shara por edhe duar të shtrira mbi çarmatimin, marrëveshje për të luftuar së bashku (a me të vërtetë?) sulmet kibernetikë, përgatitje për të shkëmbyer spiunë të vërtetë apo të hamendësuar, si në kohët e Luftës së Ftohtë, interesa të fshehtë për të frenuar ngjitjen e fuqishme të Kinës, ja pra që atëherë “vija e kuqe” e shënuar nga Biden-i merr një rëndësi themelore për Putini-n.

Duhet thënë se përveç përmendjes së Navalnit, gjë që në konferencën e shtypit Putin nuk e bëri kurrë, kryetari i ri i Shtëpisë së Bardhë i ka kërkuar kolegut të tij të Kremlinit një ndryshim hapi në drejtim të gjithë opozitës. Por në këtë drejtim ka pak shpresë. Grupet që përkrahin protestat e Navalnit janë nxjerrë jashtë ligjit e një pjesë e tyre kanë mërguar, çdo lloj kritikë kateve të larta të Pallatit mund t’i vishet “agjentëve të huaj”, gjykatat janë të gatshme të ndëshkojnë këdo që nuk ecën drejt, dhe zgjedhjet parlamentare të shtatorit do të shtojnë kthesën autoritare. Putin-i e di se nuk mund të duket i dobët përballë opinionit të tij publik. E mandej, a nuk mjafton që Navalni jeton?

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH