Kryesore

Betejë ligjore në Paris

               Publikuar në : 10:12 - 21/05/21 liberale

Si qytetar i thjeshtë përballë diplomatit më të fuqishëm të botës. Kështu e përshkroi Sali Berisha betejën ligjore me Sekretarin Amerikan të Shtetit. Jo vetëm që ai është zyrtari më i lartë shqiptar i shpallur “non grata” nga DASH, por edhe i pari që çon në gjyq një funksionar të lartë të shtetit amerikan. Ish-kryeministri u kujdes të sqaronte se ky gjyq nuk ishte ndaj ShBA dhe se ai mbetet admirues i tyre. Pas vënies në vend të dinjitetit, Berisha tha se do të vijonte jetën aktive politike dhe nuk do të hiqte dorë nga mandati i deputeti

Për të vënë në vend dinjitetin. Ky ka qenë motivimi i  ish-kryeministrit Berisha për ta çuar Sekretarin Amerikan të Shtetit në gjyq. Vendimin,  e bëri të ditur përmes  një konference për mediat ditën e djeshme, një ditë pasi zoti Blinken vendosi të bëjë publike shpalljen “non grata” të zotit Berisha dhe familjarëve të tij.

Megjithëse Partia Demokratike – në të cilën Berisha ka qenë kryetari i parë dhe për një kohë të gjatë dhe aktualisht anëtar dhe deputet i zgjedhur – shpesh i ka përdorur vendimet e këtij lloji nga Departamenti Amerikan i Shtetit si mbështetje e akuzave të saj për figura të lidhura me krimin në Partinë Socialiste, ish-kreu i saj i cilëson informacionet që çuan në këtë pasojë si shpifje.

Por, zoti Berisha është kujdesur të sqarojë se kjo betejë ligjore e cila do të nisë në gjykatat e Parisit me avokatin e tij francez, nuk është me shtetin amerikan – të cilin vijon ta konsiderojë aleatin më të madh të vendit -, por me individin Antony Blinken.

“Zoti Blinken mundet të pretendojë se si pas rregullave si ministër i punëve të jashtme, ai përfiton nga imuniteti, kjo është gënjeshtër”, është shprehur Berisha para gazetarëve duke shtuar se çështja e imunitetit gjykohet në mënyrë relative nga gjykatat. “Nga momenti kur Blinken bëhet autori i një komenti dhe montazhi politik për të më dëmtuar mua, kjo nuk hyn në funksionet  e një ministri”, ka shtuar ish-kryeministri i bindur se akuzat ndaj tij siç theksohej në vendimin e dy ditëve më parë për korrupsion dhe për pasurimin e aleatëve të tij, janë fabrikuar në tryezën e kryeministrit Rama.

Më herët vetë kryeministri Rama gjendej përballë pyetjeve të ngjashme lidhur me mikun e tij, Vangjush Dako – i akuzuar nga opozita si autor i shitblerjes së votave në Shijak më 2017-n dhe i shpallur “non grata” publikisht nga DASH. Atëkohë, Rama thoshte se Dako do të duhej të përballej i vetëm me akuzat, ndërsa nuk u kandidua për një tjetër mandat në bashkinë e Durrësit më 2019-n.

Po ashtu, ambasadorja amerikane iu drejtua shpesh kreut të qeverisë të sqaronte hapur se nuk ishte aleat i Tom Doshit, duke theksuar se opozita nuk e donte në parlament një deputet, i shpallur “non grata” nga ShBA për korrupsion. Qëndrim të cilin Rama do ta sqaronte, se nuk kishte dallim nga ai i ambasadores Kim.

Siç do të shprehej vetë zoti Berisha, ky ishte një vendim i paparashikuar në jetën e tij, duke u gjendur tashmë në një gjyq me Sekretarin Amerikan të Shtetit.

“Çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut. Nëse i prek tjetrit nderin dhe dinjitetin ti e zhvlerëson atë për vetën e tij, familjen dhe miqtë dhe komunitetin ku jeton”, ka deklaruar Berisha duke sqaruar se ky proces që po ndërmerr ka të bëjë me të si person privat dhe jo me Partinë Demokratike.

Një vendim të tillë, për të shpallur të padëshirueshëm për  ShBA një ish-zyrtar të lartë shqiptar me funksione si ish-president, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i një partie politike, Sekretari Blinken e bazoi tek përfsirja në korrupsion domethënës të zotit Berisha.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, gjatë periudhës që shërbeu si kryeministër Berisha ndërmori “veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.

I pyetur rreth aleatëve të tij politikë, të cilët nuk janë përmendur konkretisht nga Sekretari i Shtetit, Berisha është përgjigjur dje për Fatmir Mediun dhe Ilir Metën, të dy ministra gjatë qeverisjes së demokratëve.

“Ajo që mund të them është pa asnjë bazë. Sali Berisha është autor i heqjes së imuniteteve në këtë vend. Heqja e imuniteteve. Ish-ministrit Fatmir Mediu pas ndodhisë në Gërdec i kemi hequr imunitetin, e  votuam. Çfarë ndërhyrje qenka kjo, heqja e imunitetit?!  Çfarë ndërhyrje është për Metën, kur hoqi vetëm imunitetin, kërkoi hapje të procesit?! U përball edhe në Gjykatë”, ka thënë Berisha, ndërsa është pyetur edhe për heshtjen nga presidenca pas vendimit të DASH për ta shpallur atë “non grata”.

“Unë mendoj se është normale, s’ka asnjë lloj shkaku pse të flasë.  Unë  prononcohem vetë,  siç e shihni”, është shprehur ish-kryeministri i cili e pati presidentin aleat për katër vite në qeverisje, ndërsa më 2013-n LSI do të hynte në koalicion me Partinë Socialiste.

Pas publikimit të lajmit, do të reagonte edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili ashtu si ish-kryedemokrati shprehu keqardhjen për vendimin dhe kërkoi transparencë të plotë mbi faktet. Në fund të mesazhit të tij, Basha theksonte se PD e konsideron ShBA si aleatin strategjik dhe se do të vijojë në luftën kundër korrupsionit. Prej ditësh Basha, akuzon Doshin , Dakon dhe ish-deputetin Aqif Rakipi për manipulim dhe shitblerje të zgjedhjeve, duke e konsideruar masakër elektorale. Po ashtu Basha ka përsëritur akuzat se në listat zgjedhore të PS-së, kishte figura të lidhura me krimin, pavarësisht ligjit për dekriminalizmin dhe thirrjeve të diplomatëve të huaj.

Berisha u shpreh se Basha kishte mbajtur sa qëndrim vetjak aq edhe në emër të partisë, duke qenë se ai është ende pjesë e PD-së dhe madje deputet i zgjedhur më 25 prill.

Berisha ka komentuar ftesat e kryeministrit Rama ndaj kryedemorkatit për bashkëpunim, duke i cilësuar fantazi. “Bashkëqeverisja fatalitet për Shqipërinë, jam i bindur që nuk i shërben. Shqipërisë i duhen zgjedhje të ndershme dhe jo bashkëqeverisje”, u shpreh Berisha dje.

Megjithë ftesat e përsëritura, me kushtin që Basha të ndahej nga ndikimi i Berishës dhe Metës, Rama nuk ka folur qartë për bashkëqeverisje sesa për bashkëpunim që lë pas politikën e vjetër dhe që do të ishte në dobi të vendit dhe proceseve integruese.

Ndonëse zoti Berisha e ka cilësuar cenim të dinjitetit vendimin që vjen tetë vite pasi ai nuk ka asnjë funksion zyrtar dhe është person privat, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit, Mattheë Palmer u shpreh dje se momenti kohor nuk kishte rëndësi.

“Ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumente që kemi të disponueshme, përfshirë sanksione sipas nevojës, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit publik dhe për t’u siguruar se ka llogaridhënie për ata që abuzojnë me besimin e publikut”, tha zoti Palmer, duke theksuar fjalët e Sekretarit Blinken se zoti Berisha kishte abuzuar me pushtetin për të pasuruar veten, anëtarët e familjes, aleatët politikë dhe mbështetësit. “Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”, shtoi zoti Palmer, duke thënë se kjo masë ishte një ndër instrumentet që ShBA ka për të luftuar korrupsionin publik. “Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i zotit Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në Shtetet e Bashkuara, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, do të thoshte  Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit.

Berisha do të shprehej se do ta shqyrtonte edhe qëndrimin e zotit Palmer, megjithëse pohoi se ishte qëndrim i mbajtur në një intervistë dhe mbronte deklaratën e Sekretarit të Shtetit, Blinken.

Berisha tha se grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk kishte lidhje me  betejën personale të tij. Ai madje tha se PD duhet të ketë marrëdhënie edhe më të mira me ambasadën amerikane në Tiranë.

“Qëndrimin më të mirë të mundshëm, që është natyrisht unë jam, rezistoj për marrëdhënie të mira, shumë të mira, por dhe të kuptohet që harmonizimi i platformave, objektivave është çështje që duhet të evoluojë”, tha Berisha.

Ai e cilësoi të papritur dhe se nuk ishte informuar më herët për këtë vendim të DASH, por gjatë konferencës tha se kishte pasur një tendencë të tillë më herët, kur ai kundërshtoi projektin e shkëmbimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Projekt për të cilin, Berisha ka akuzuar si ideator filantropin George Soros. “Jam krenar për qëndrimin që kam mbajtur, që të kualifikohej qëndrimi im si konspiracion ndaj policisë së jashtme të SHBA. Unë çdo gjë e kisha publike. Ata të cilët e iniciuan, dështuan. Kjo ka qenë në dijeninë time. Ajo ishte një gjë që dëmtonte në mënyrë të tmerrshme popullin shqiptar, rajonin, etj.”, tha Berisha.

Yuri Kim, e cila nuk ka bërë asnjë koment në emër të saj,  duke u mjaftuar me ripostimin e përcaktimit publik të Sekretarit Blinken, do të shprehej pak ditë më parë se ShBA është e kënaqur me deklaratat e PD-së, ku e bën të qartë se do të kthehen në parlament në shtator.

Zoti Basha, dy ditë pas zgjedhjeve foli për një betejë për demokraci dhe se nuk do ta njihte rezultatin e zgjedhjeve, por për këtë betejë nuk e përjashtonte hapësirën e Parlamentit.

Në postimin e zonjës Kim, në Tëitter mbi përcaktimin publik të zotit Berisha, do të komentonte përfaqësuesi i CDU-së, Martin Henze. Ai shkruante  se,  ndërsa në Shqipëri ka një regjim kleptokratik, që ka bërë të mundur mosfunksionimin e ligjit e është përgjegjës për pastrimin e parave e shumë gjëra të tjera, SHBA vendosin të ripunojnë raste mbi 10 vjet të vjetra ndërkohë që qeveria kriminale nuk preket. Vendimin e ka komentuar edhe ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Alexander Arvizu, i cili e cilësoi si një bombë për politikën shqiptare.

Berisha u shpreh dje se ishte një qytetar përballë diplomatit më të fuqishëm të botë, e megjithatë tha se kishte besim tek drejtësia. Për këtë kishte zgjedhur një vend neutral si Franca, ndërsa i ka kërkuar avokatit të tij Jean-yves le Borgne – i njohur si mbrojtës i ish-presidentit Shirak – për të ngritur padi para Gjykatës Korreksionale të Parisit, për shpifje publike ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Berisha tha se në 30 vite të jetës së tij politike, ku ka mbajtur funksione të larta zyrtare të shtetit, nuk ka pasur kurrë një akuzë ndaj tij për korrupsion. Ky akt, do të theksonte ai, ishte për të vënë në vend dinjitetin. Por braktisja e politikës aktive, duket e largët, ndërsa ai u duk i vendosur për të mos e lënë mandatin e deputetit.

Ish-zyrtari i lartë i DASH:  Vendimi, vetëm nëse korrupsioni është i rëndësishëm

Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit Thomas Countryman, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se vendimet për përcaktimin publik të zyrtarëve të huaj të përfshirë në korrupsion të niveleve të larta nuk merren lehtësisht dhe shton se ai nuk ndihet i befasuar nga klasifikimi i ish-presidentit Sali Berisha si i tillë.

Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman, thotë se nuk është i befasuar nga vendimi për ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të zotit Berisha.

“Nuk mendoj se audienca në Shqipëri nuk është në dijeni të shkallës së korrupsionit publik që ka prekur politikanë nga parti të shumta, kështu që ekziston një bazë faktike për përcaktimin”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Countryman, i cili si zëvendës ndihmës sekretar për Europën, mbulonte Ballkanin, thotë se megjithëse nuk i di argumentet që përbëjnë bazën për këtë vendim specifik, autoriteti që Kongresi i ka dhënë Departamentit të Shtetit ushtrohet me kujdes.

“Ai ushtrohet vetëm nëse ekziston një bazë e fortë faktike për identifikim korrupsioni të konsiderueshëm. Vihet në përdorim vetëm nëse korrupsioni është i rëndësishëm dhe veçanërisht në ato vende ku korrupsioni është një problem serioz dhe i përhapur. Për fat të keq Shqipëria është në atë kategori”, tha zoti Countryman.

Ai shton se shpreson që ky përcaktim të nxisë Shqipërinë dhe vendet e rajonit të luftojmë me forcë korrupsionin.Ish-zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, thotë se nuk ka ndonjë arsye të fshehtë që njoftimi u bë në këtë moment dhe se burokracia në Shtetet e Bashkuara lëviz me ritmin e vet.

“Nuk besoj se SHBA kanë marrë ndonjëherë anë në Shqipëri në luftën shumë të hidhur politike mes partive kryesore. Por sigurisht kur isha unë në qeveri dhe besoj edhe më pas, SHBA janë shqetësuar gjithmonë për faktin se ka akuza të besueshme për korrupsion në lidhje me disa parti të ndryshme në Shqipëri. Shpresoj që ky veprim nga Shtetet e Bashkuara, i cili jam i sigurt se do të shihet si dramatik në Shqipëri, të sjellë si rezultat ripërtëritje të përpjekjeve për të ndërmarrë veprime kundër politikanëve të korruptuar nga çdo parti”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Zoti Countryman e sheh ndryshe dhe parashikon të shohë edhe përcaktime të tjera të kësaj natyre.“Duhet parë si një sinjal i qartë se korrupsioni i vazhdueshëm nga çdo parti në Shqipëri, nga çdo parti në vendet e tjera, ka pasoja përtej atyre të vetë vendit dhe ndikon në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.Sipas tij këto veprime janë pjesë e një prirjeje të administratës së zotit Biden për ta pasur përparësi luftën ndaj korrupsionit global./VOA

Akti Anti-Kleptokraci dhe për të Drejtat e Njeriut

Identifikimi i zotit Berisha nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken si person që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për arsye korrupsioni në nivel të lartë bazohet tek Klauzola Anti-Kleptokracisë dhe për të Drejtat e Njeriut, siç quhet neni 7031 (c) i ligjit për Financimin e Departamentit të Shtetit, Operacioneve Jashtë Vendit dhe Programeve që kanë lidhje me to. Kjo klauzolë ka si synim luftën kundër korrupsionit si dhe mbështetjen e të drejtave të njeriut duke vënë në shënjestër aktorë të huaj, të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut, të cilëve u mohon vizën amerikane.

Në bazë të kësaj klauzole, Kongresi i kërkon Sekretarit të Shtetit të pengojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara të zyrtarëve të huaj për të cilët shefi i diplomacisë amerikane ka informacion të besueshëm se “kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt në korrupsion në nivel të lartë, përfshirë korrupsion që lidhet me shfrytëzimin e burimeve natyrore, ose për përfshirje në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Klauzola parashikon sanksione me mohim vizash edhe për të afërmit e zyrtarit në fjalë.

Masat që shenjtërojnë zyrtarë të huaj të korruptuar apo të përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut e kanë zanafillën në ligjin e vitit 2008, por në rrjedhën e viteve Kongresi ka bërë amendime të tjera, ndër to duke specifikuar në vitin 2015 se zyrtarët e shënjestruar mund të identifikohen edhe publikisht nga sekretari i shtetit./Gazeta Liberale

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back