Aktualitet

Besnik Muçi: Antiligji, apo precedent historik

Shkruar nga Liberale
Besnik Muçi: Antiligji, apo precedent historik

Reldar Dedaj

I shkarkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i sfiduar herë pas here nga një lloj pavarësie provokative e kolegëve gjyqtarë dhe i dobësuar nga qeveria socialiste, Besnik Muçi gjatë 24 orëve të fundit ka shtuar si rrallëherë dozat e rebelizmit, duke shënuar kështu, ndoshta, një precedent historik në sistemin e drejtësisë. Koha të gjen përherë në rrugë, nëse nuk të kanë zënë ciflat e periudhës. Por në drejtësi veprojnë ligje kundërthënëse. Vjen një çast kur sa më pak përzihesh, aq më shumë ekspozohesh.

Janë zbehur vdekjet nëpër cepat e gazetave dhe janë ngritur vrullshëm shkarkimet. Lajmërohen ato në faqet e para, me tituj të mëdhenj, me fotografi të mëdha dhe me tekste pikante dhe që vijojnë gjerë dhe gjatë në faqen dy, tre dhe katër… Shtypi sikur ka rënë në mjaltë. Nuk ka dyshim se shkarkimet janë ushqimi më i preferuar për të. Shkarkimet, për ta thënë ndryshe, janë të korrat e ëmbla të shtypit dhe më gjerë të mbarë popullatës, që po i lexon me kaq ëndje gazetat këto ditë, po i lexon nga dy-tri herë me kërshëri dhe me një gëzim të fshehtë dionisiak.

Është e qartë që në krye: kur shtypi dhe turma ia nisin punës për t’a shtyrë dhe për t’a ngritur tjetrin lart e më lart, në të njëjtën kohë mendojnë edhe për rënien e tij. Pikërisht kjo grackë e të të menduarit nuk i gjeti të papërgatitur as shtypin dhe as turmat, fundja-fundit, a nuk ishte fiks ajo që prisnin? Në mos ngritja, të paktën të ishte rënia e tij. A nuk ndodh kështu me kalimin e kohës, ku dëshira e mirë për t’a parë tjetrin lart e më lart zbehet, kurse mendimi i rënies së tij forcohet. Rënia afirmohet si qëllim i vërtetë dhe si kurorëzim i shërbimeve, i duartrokitjeve dhe brohoritjeve që i janë kushtuar prej kohësh politikës dhe makinacioneve perverse të saj; që herë godasin në emër të drejtësisë dhe herë tjetër në emër të përkatësive politike. Nuk ka rrugë më të sigurt për ta çuar njeriun në rënie dhe për ta shkelur pastaj me këmbë si për t’i thënë “mirë se erdhe”.

Shohim njerëz të ngeshëm që në ekranet e aparatëve të tyre telefonik vazhdojnë të klikojnë rreth lajmeve që flitet për shkarkimin e Besnik Muçit. Gazetat on-line  gërmojnë pa pushim në të fshehtat dhe në domethënien e këtij shkarkimi, për të gjetur kuptimin e tij të thellë, të vërtetë. Fantazia e gazetarëve që mbulojnë gjykatat po njeh një stinë lulëzimi të paparë. Por, besojmë, nuk mbetet prapa as fantazia e lexuesve, që pretendojnë të dinë më shumë dhe të jenë më të mençur se gazetarët.

E tillë dhe aspak ndryshe është historia e tij. E një njeriu që falë aftësive profesionale dhe këmbënguljes për të qenë i paprekur nga pazaret që qarkullonin prej kohësh në sistemin e drejtësisë dhe që arriti për pak kohë të prekë majat e profesionit, për t’i dhënë rrokullimën vetëm me një të shtyrë pas 30 ditësh.

Ishte data 18 tetor kur Besnik Muçi u betua përpara Presidentit të Republikës Ilir Meta si anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese. Kjo ceremoni u zhvillua në prani të ambasadorëve të akredituar në vendin tonë; ambasadori i Gjermanisë, i BE-së, i Francës dhe Italisë. I pranishëm në atë ceremoni ishte edhe përfaqësuesi i ambasadës së SHBA-së. Në këtë mënyrë, Muçi u bë i pari gjyqtar në këtë detyrë, pas shkrirjes që pësoi ky institucion nga zbatimi i ligjit të vettingut. Por historia nuk mbaroi me kaq. Tamam si në përrallat me kapërcim ylberi, fill pas kapërcimit, pra, matanë ylberit, ai s’ishte më gjyqtar.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi për të rrëzuar vendimin e parë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që e nxori atë të pastër, duke e shkarkuar përfundimisht dhe larguar nga sistemi pasi nuk justifikon pasurinë. Por për Besnik Muçin, pas betimit të tij në Presidencë, KLP-ja menjëherë duhet të hiqte statusin e magjistratit dhe Kolegji të ndërpriste hetimin, pasi nuk mund ti shtrijë kompetencat mbi anëtarët e Kushtetueses. Ai argumenton se në çastin e betimit, humbi statusin e prokurorit dhe pikërisht në këtë pikë Kolegji i Posaçëm nuk ka pasur si kompetencë për të vijuar shqyrtimin.

“Vendimi i Kolegjit nuk afekton funksionin tim të anëtarit të Kushtetueses. Nuk mund ti shtrijë kompetencat mbi anëtarët e Kushtetueses. Nga momenti që Presidenti me dekretoi, KLP është njoftuar, kryetari me një mosveprim kriminal nuk ka njoftuar asnjë anëtar tjetër për dekretin, pasi sipas ligjit ka pasur detyrim ligjor mbarimin e statusit tim të prokurorit, pasi ligji e përcakton se funksioni i prokurorit është i papajtueshëm. Prandaj ky vendim nuk ka efekt", tha ai.

Muçi deklaroi se nuk do ta njohë vendimin dhe se do të vijojë që të qëndrojë në detyrën e gjyqtarit të Kushtetueses. Hapi i parë në mos njohjen e vendimit ishte largimi pas vendimit të Kolegjit po me makinën e Gjykatës Kushtetuese. Një ditë më pas, Besnik Muçi i është drejtuar me një letër Gjykatës Kushtetuese nga e cila thotë se po pret të shprehet nëse ai vazhdon apo jo te jetë anëtar i saj, pasi KPA dy ditë më parë e shkarkoi jo vetëm si prokuror, por edhe si gjyqtar të Kushtetueses.

Besnik Muçi u konfirmua më herët në shkallën e parë të vettingut e më pas u dekretua nga presidenti Ilir Meta, gjyqtar kushtetues, por duket se pa i larë mirë hesapet me drejtësinë, pasi Komisioneri Publik e ankimoi dhe dy ditë më parë Kolegji i Posaçëm e shkarkoi. Arsyet e shkarkimit u deklaruan se ai nuk justifikonte pasurinë. Me një eksperiencë pune prej më shumë se 20 vitesh (20 vite e 8 muaj), si Prokuror, Avokat dhe Lektor i së Drejtës dhe me një veprimtari profesionale si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtor i Drejtorisë kundër Krimit Financiar, në Departamentin e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekspert i programit për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës, Pedagog i Jashtëm i lëndës “E Drejta Penale”, në një nga Universitetet e vendit është hedhur në rrugë për mos justifikim pasurie.

Ata që e njohin veprimtarinë e tij përgjatë këtyre dy dekadave në sistemin e drejtësisë, mbrojnë me forcë idenë se Besnik Muçi është një nga prokurorët më me integritet profesional dhe moral që ka pasur sistemi i drejtësisë në vendin tonë. Arsyet e shkarkimit gjenden përtej sistemit të drejtësisë dhe me gjasë burojnë në paradhomat e qeverisjes socialiste, ku frika ndaj reformës në drejtësi, me sa duket i ka shtyrë të vrasin dhe të përgojojnë edhe njerëz të tillë.

Të gjorët lexues të këtyre ditëve që shfletuan me kaq interes lajmet rreth shkarkimit të Besnik Muçit, kur t’a marrin vesh lajmin e “vrasjes”, nëse do t’a marrin vesh ndonjëherë, para se t’ia plasin vajit, do të shtangin në vend nga hutimi për një fjalë ende të çuditshme “pasuria”, që ia paskësh marrë jetën gjyqtarit diku në korridoret e piramidës së re të ngritur të drejtësisë, ku njerëzit humbin gjithmonë gjithçka, përveç dëshpërimit./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH