Krye

Bes Kallaku në UET: 11 vjeç i premtova vetes se do bëhesha aktor

               Publikuar në : 11:13 - 31/07/21 liberale

Studentët e arteve skenike në UET zhvilluan një bisedë me aktorin Bes Kallaku në “Ftesë në Studio”. Nëpërmjet një interviste kolektive, studentët i drejtuan aktorit 25 pyetje lidhur me fillimet e tij në aktrim, botën e televizionit, sfidat dhe projektet e ardhshme. Bes Kallaku ishte i ftuari i parë i formatit më të ri të UET, “Ftesë në Studio”, në të cilin do të jenë të ftuar personazhe të shumtë të televizionit, biznesit, politikës etj.

Përtej artistit, imazhit skenik, apo modelit që perceptohet në largësi, qëndron një njeri që ndoshta nuk ‘zbulohet’ kurrë. Për fat të keq, publikut shumë rrallë i jepet mundësia të njohë plotësisht dhe me vërtetësi se çfarë përmbajnë apo përfaqësojnë në vetvete personazhet publikë. Shpesh i njohim përmes perceptimesh që vijnë nga lajmet e cekëta dhe fotografitë e rrjeteve sociale, dhe qëndrojmë në të tilla pozita, disa herë edhe paragjykuese.

Ai njihet si aktori i humorit që solli risi për kohën, duke tejçuar fenomene të përditshme shqiptare në skenë, atë realitet që shpesh injorohet. Ai foli pa komplekse për origjinën, fshatin, bashkëfshatarët, madje arriti deri në atë pikë sa gjyshen e bëri personazh Instagrami. Por në të vërtetë, pak e dinë rrugëtimin, filozofinë e tij të punës dhe jetesës.

Studentët e UET-së, të programeve Arte Vizuale, Skenike dhe Muzikore, patën mundësinë të njohin në dimensione sa artistike e profesionale aq edhe njerëzore, aktorin e humorit, Bes Kallaku. I pranishëm në “Ftesë në Studio”, nëpërmjet 25 pyetjeve të bëra nga studentët, jashtë çdo kompleksi të të qenit i famshëm apo VIP, në krejt natyrshmërinë e vet, Kallaku tregoi rrugëtimin e vet profesional e njerëzor, sfidat e mësimet jetike, e mbi të gjitha shpërfaqi njeriun e zakonshëm. Tregoi se përtej like-ve, shikueshmërisë, famës, qëndron dikush që ëndërroi fort, besoi fuqishëm, dhe ia doli të jetë aty ku donte. E gjithë kjo eksperiencë, u përkthye në këshilla praktike, që i përshtaten tregut dhe realitetit shqiptar, larg pedantizmit akademik dhe asaj çka predikohet në auditorë.

Si e keni nisur aktrimin? Kur kanë qenë shkëndijat e para dhe si keni spikatur më tej në këtë fushë?

Ka nisur që fëmijë, kur jetoja me gjyshen. Nga 6 muajsh deri në 21 vjeç, kam jetuar me Ijen. Jam larguar nga Bubqi në moshën 21 vjeçare, kur nisa te Portokallia. Ndërkohë, prindërit e mi kanë jetuar në Has. Kur isha i vogël imitoja Ijen dhe gjithë gratë e katundit. Pastaj vijova me imitimin e mësuesve, kryesisht në gjimnaz. Madje në vit të dytë dola në kinemanë e Fushë Krujës me disa skeçe, ku imitova gjithë mësuesit, gjë që vërtet shkaktoi shumë humor. Më tej hyra në emisionin “Pol Position”, në Top Channel, ku poezia që më bëri me emër ishte ajo e Hans Magnus Enzensberger, “Die Scheisse”. Kalova në “Portokalli”, me role të ndryshme, për të eksperimentuar pastaj edhe fusha të tjera të artit. Gjithsesi, dua të theksoj diçka. Në Shqipëri ka shumë njerëz, vipa apo artistë, që marrin pozitat dhe flasin si njerëz të rëndësishëm. Për mendimin tim, në Shqipëri nuk ka artistë të rëndësishëm, sepse nuk i intereson kujt për ta dhe nuk vlerësohen si të tillë. Këtë gjë e tregoi sidomos pandemia, ku nuk u dha asnjë lloj ndihme në asnjë fushë të artit.

Cila ka qenë shtysa më e madhe për të ndjekur rrugën e aktrimit?

Shtysa më e madhe ka qenë mamaja ime. Babai, inxhinier ndërtimi, nuk ka dashur kurrë që të merrem me art. Kur më shihte në skenë, më kritikonte në shtëpi , duke më thënë, se “nuk ia ka parë kush hairin artit”. Donte që të vijoja ekonomikun, ose ndonjë degë shkencore. Unë e kam pasur ëndërr, e kurrë nuk jam bërë palë e dëshirës së babait tim për të mos ndjekur pasionin tim. Sado që u mundua, edhe kur isha te “Portokalli”, unë nuk hoqa dorë.

Kush është e reja, që ti mendon se ke sjellë në skenën dhe artin shqiptar?

Institucioni i artit është vendi me më shumë bërryla, sepse më shumë sesa gëzohen për suksesin e vet, gëzohen për dështimin e tjetrit. Kjo ndodh në çfarëdolloj fushe, por kryesisht në art. Kur kam filluar “Protokalli” kam qenë në vit të katërt të gjimnaz, në 2004. E nisa me rolin e Gjinit si minator, e më pas mësues, një rol që pa modesti, mund të them që e shihte gjithë Shqipëria. Mirëpo kolegët e mi thoshin: “I talentuar, por pa shkollë”. Kështu që hyra në Akademinë e Artit. Gjithsesi, gjërat janë të lindura, sidomos në këtë profesion dhe unë aktrimin e kam pasur të tillë. Jam munduar gjatë gjithë karrierës sime të jem sa më i natyrshëm dhe sa më popullor. Ty artist nuk të bën ekrani i televizorit, nëse ti nuk je në fillim artist në shpirt. Unë kam të njëjtën sjellje me këdo. Nuk duhet të mohosh kurrë origjinën tënde. Unë mund të kisha thënë jam nga Fushë Kruja, por gjithmonë kam thënë jam nga Bubqi. Kjo ka qenë në një farë mënyre çelësi i suksesit.

Ju thatë që babai juaj ishte kundër që ju të vijonit këtë rrugë, e pavarësisht kësaj nuk u ndalët. A e mendonit në atë kohë, se do të arrinit suksesin që keni sot?

Ti kur e nis një garë, duhet ta dish ku do të arrish. Nuk mund të hysh kot për të eksperimentuar. Njeriu duhet të ketë të qartë synimin, se ku duhet të shkojë. Kur isha në klasë të pestë, në një fletore kam shkruar: “Kur të jem 30 vjeç, do të bëhem aktor, do të kem një shtëpitë bukur dhe një grua të bukur”. Në moshën 30 vjeçare i kisha arritur. Ky është besimi, kur ti beson ia del. Ne sot jetojmë në një kohë motivuesish, njerëz që dalin e flasin për të motivuar. Pandemia, tërmeti treguan se në fund të ditës këta lider nuk janë asgjë dhe se nuk ka asgjë më të madhe sesa Zoti. Kështu që kur besoni, bëjeni me përulësi. Unë kam kohë që nuk dal nëpër intervista si më parë. Tani çdo intervistë që jap, e bëj për të përcjellë një mesazh. Nuk të sjell Zoti kot aty ku je, por për të dhënë një shembull. Ne po jetojmë në kohën më të gënjeshtërt. Secili po mundohet t’iu tregojë të tjerëve një jetë që nuk e ka. Unë jam për të dhënë një shembull, se ky brez duhet të dojë gjyshin, gjyshen. Ijen e kam bërë personazh jo rastësisht, por pikërisht me këtë qëllim.

A jeni i kënaqur me ato që keni arritur në jetën tuaj?

Shqiptarët i duan gjërat sot për nesër. Unë kam pritur 17 vjet për të qenë këtu ku jam sot. Tregu në Shqipëri është një garsoniere. E në këtë garsoniere ku ka bërryla, ka luftë, ka gjithçka, ti duhet të mundohesh të zësh një cep tëndin. Kaq mundësi ofron Shqipëria, edhe për mua, kështu që lavdi Zotit jam shumë mirë këtu ku jam. Besimi më ka sjellë këtu. Kam besuar se do t’ia dal.

Përmendët besimin, si një pikë të rëndësishme të jetës suaj. Ju si e shini shoqërinë e sotme shqiptare në raport me Zotin?

Ne si popull nuk dimë historinë tonë. Duke mos ditur historinë, ti nuk di se kush je. E po ashtu, jemi populli më mosbesues. Jemi të vetmit në botë, që nuk kemi besim as te bankomati, por i numërojmë paratë pasi i tërheqim. Besimi është qëllimi, është synimi, është gjithçka, jo vetëm në art, por edhe në jetë. Kam një simpati të madhe për françeskanët e para komunizmit. Ka qenë një kohë, kur si kleri mysliman edhe ai katolik, primare kishin Shqipërinë. Në 1967, kur u mbyllën kishat dhe xhamitë, shumë françeskanë bashkë me klerin mysliman, u burgosën. Unë kam idhull shpirtëror At Zef Pëllumbin, e kam edhe tatuazh. “Rrno vetëm për me tregue” është bibla moderne. E ke për humanizëm, dashuri, politikë, e mbi të gjitha ai është gabimi i një populli, se çdo të thotë të shkosh drejt komunizmi të dytë, duke përqendruar të gjitha pushtetet në një vend.

Çfarë mendon kur sheh në rrjetet sociale komente të ndryshme, mbi jetën, karrierën, familjen apo pasurinë tënde?

Më përpara iu kam kushtuar shumë vëmendje dhe iu ktheja përgjigje të gjithëve. Shqiptarët kanë një gjë: pa përmbushjet e veta, dështimet e veta, paaftësinë e vjellin tek ai që është i suksesshëm. Në këtë vend ka një vetëkënaqësi të jashtëzakonshme të merresh me tjetrin. Nëse ti nuk krijon dallgë dhe qëndron në komfort zone, nuk do të merret askush me ty. Nëse je pjesë e së keqes, të tjerët nuk merren me ty. Nëse ti ke shpirt të pastër, atëherë demonët e të tjerëve do të merren me ty.

Ju e keni nisur karrierën nga zeroja dhe tashmë jeni i njohur në të gjithë Shqipërinë. Si keni arritur ta menaxhoni këtë famë?

Shqipëria është një treg shumë i vogël. Unë kam ikur 3-4 herë nga “Portokalli”. Shumë nga kolegët e mi, vazhdojnë të qëndrojnë aty dhe të jenë të kënaqur me rrogën që marrin. Unë gjithmonë kam dashur më tepër. Vërtet është treg i vogël, por ama mundësi për të ecur më përpara gjen. Kurrë në jetën time nuk kam dashur të jem në komfort zonë. Në fillimet e mia kam marrë 150 mijë lekë rrogë, pastaj 300, 800, e më vonë 1 milion e 200 mijë. Atëherë isha 20 vjeç, pra bëhet fjalë para shumë vitesh. Nëse rri në të njëjtin vend, nuk çan dot përpara.

Në jetën tuaj familjare apo profesionale, a keni pasur ndonjë moment dobësie apo rënieje?

Momente dobësie sigurisht që kam pasur. Ka pasur raste që nuk kanë shkuar gjërat siç i kisha menduar. Nëse nuk i bën keq kujt dhe nëse nuk ke një energji të pastër, Zoti e kthen. Ka një ligj të natyrshëm, është mirënjohja. Në Shqipëri nuk rritet pema e mirënjohjes. Mua Agron Llakaj më ka mbajtur në shtëpi. Të mirën që ai më kanë bërë, unë mundohem ta shpërblej duke ndihmuar të tjerët. Unë nuk kam njeri inat as në profesion, e as në jetë. Inat kam atë njeri, që me më shumë pak gjëra sesa unë, është shumë herë më i kënaqur sesa jam unë. Lumturia e njeriut është të kënaqet me aq sa ka. Kaq e thjeshtë, e kaq filozofike!

Çfarë ndryshimi ka sjellë në jetën tuaj lindja e vajzës dhe të qenit prind?

Është e çuditshme sesi transformohet njeriu kur bëhet me fëmijë. Fëmija është pasuria më e madhe që lëmë pas. Çfarëdolloj gjëje që të trashëgosh, nuk mban emrin tënd, më shumë sesa e mban fëmija. Kam njohur shumë njerëz në jetën time me xhepin plot dhe zemrën bosh, e po ashtu shumë të tjerë që e kanë xhepin bosh dhe zemrën plot. Unë nuk e kam bërtitur kurrë atë që bëj, por po e them për juve që t’ju shkojë në ndërgjegjen tuaj dhe ta bëni këtë gjë. Kam paguar mjekimet e shumë njerëzve, apo terapitë e fëmijëve me sindromën down. Të ardhurat janë më pak sesa shpenzimet, por kur shpenzimet shkojnë në të mirë të dikujt tjetër, Zoti ta kthen shumëfish. Është shumë bukur kur thonë, “jemi të gjithë njerëz të Zotit, ne bëjmë mirë”, por në momentin që iu preket interesi ndryshojnë. Në momentin që iu preket xhepi, atëherë tregojnë fytyrën e vërtetë. Unë nuk kam pasur probleme te kjo pjesë. Prandaj, them që Ajka është pasuria më e madhe dhe kurrë nuk jam ndjerë më i pasur apo realizuar sesa sot.

Vajzën e keni quajtur Ajka, një emër i veçantë dhe i padëgjuar më parë. Pse keni zgjedhur pikërisht këtë emër?

Unë nga Bubqi jam. Mezi prisja qe Ija të ziente qumështin dhe të merrja ajkën për të lyer bukën. Para se të merrnin vesh gjininë e fëmijës, unë isha i bindur që ishte djalë. Madje kisha gjetur edhe dy emra: Amen dhe Oat. Një natë, pas muajit të tretë të shtatzënisë, Xhensila zgjohet nga ora 3-4 e mëngjesit, e më thotë: “E kemi vajzë, do t’ia vëmë emrin Ajka”. Më kërkoi ta mbaja shënim, por unë vijoja me idenë e djalit. Kur shkojmë te doktori ai na konfirmon që prisnim vajzë, por tashmë unë e kisha harruar emrin. Një ditë shkojmë në një restorant në Fresk, ku unë porosis qumësht me ajkë. Aty kujtohemi për emrin dhe vendosim që ta quajmë Ajka.

Na tregoni historinë e një miqësie të veçantë.

Shoku im i ngushtë është Florian Kalaja, i cili është gjyqtar sot. Është më shumë se shok, është vëlla. Madje, kjo e jona, mund të jetë miqësia më e veçantë, sepse jemi rritur bashkë që fëmijë e vijojmë edhe sot të ruajmë shoqërinë. Krevatet i kemi pasur ngjitur që në kopsht. Pastaj që nga klasa e parë deri në fund të gjimnazit, kemi qenë në të njëjtën bankë. Madje, edhe kur kemi ardhur për studime në Tiranë, ai për Juridik, unë për arte, kemi ndenjur 4- 5 vite bashkë në të njëjtën shtëpi.

Ju thatë se në fushën e artit ka shumë bërryla. Sa të vështirë e keni pasur dhe si e keni inkurajuar veten për t’ia dalë?

Ti nuk mund të ngrihesh pa qenë i rrëzuar më parë. Pavarësisht fjalëve e gjithçkaje, njeriu kupton se nëse në Shqipëri i merr fjalët seriozisht dhe ata që flasin për ty, atëherë vetëm humbet kohën. Mund të jesh shumë i zoti e të kapësh dikë për dore për ta ngritur, por nëse ai nuk do, kurrë nuk mundesh ta nxjerrësh në dritë. E nga ana tjetër, nëse një njeri i keq, e merr për dore një njeri të talentuar, atëherë ai e zhyt. Po të merresh me ata, të cilët merren me ty, thjesht iu jep kënaqësi që të mos të lënë të bësh hapa përpara. Në jetën tënde vazhdo ec, jepi dorën gjithkujt, por mos prit kurrë askënd! Po të presësh tjetrin, ul numrin e hapave të tu. Prandaj edhe unë nuk jam marrë me askënd, edhe ndihmën që kam dhënë, nuk kam pritur ta marr mbrapsht. Po ti gjuash çdo qeni që leh, vetëm humb kohën tënde.

Rrugëtimi juaj profesional ka ndryshuar gjatë këtyre 17 viteve. Si ka ardhur kjo rritje, cili ka qenë mentori juaj në gjithë këtë rrugëtim?

Unë nuk jam Besi që kam qenë, sa iu përket arritjeve profesionale dhe gjërave që kam siguruar. Por kam qenë dhe mbetem Besi, siç më ka kultivuar Ija, gjyshja ime, në natyrshmëri, në thjeshtësi. Sa i përket artit, profesionit, ti realizohesh falë çdo pune që bën. Më ka shërbyer jashtëzakonisht shumë pjesëmarrja në programin italian, “Zelig”. Për dy muaj e gjysmë kam punuar me Giancarlo Bozzo, autor i programit. Tashmë me të jemi miq, ka qenë i ftuar në dasmën time dhe ruajmë komunikimin. Kur kam shkuar atje në audicion, jam prezantuar me rolin e skifterit, duke ruajtur pamjen skenografike si këtu, me paruke, vetulla. Kjo temë ishte e njohur në Itali, sepse çdo javë kishte grabitje. Bozzo më kërkoi të hiqja paruken e vetullat e të aktroja. Ne në “Portokalli” e kemi pasur pjesë të punës trukimin dhe personifikimin vizual të karaktereve. Publiku qesh 3 sekondat e para me pamjen tënde dhe 3 minutat e tjera pret fjalën tënde. Në puntatat e tjera nuk qesh fare me pamjen tënde, por qesh me fjalën tënde. Mua më ka ndikuar jashtëzakonisht në rritjen profesionale shumë puna që kam bërë. Po ashtu, kam mësuar shumë më shumë te filmi “The brave”, ku stafi, produksioni dhe drejtori i fotografisë ishin të huaj, sesa kam mësuar të 4- 5 filma të tjerë që kam luajtur këtu. Eksperienca e Italisë më ka shërbyer shumë. Po ta vini re, gjithë profili im te “Kosherja”, është shumë alla-italian. Ne jemi mësuar në Shqipëri, që dikush duhet të bërtasë. Është tipike në shoqërinë tonë. Bazzo ishte i qetë, të krijonte një ambient të këndshëm pune. Në çdo lloj aspekti, në çdo vend pune, ka të bëjë jashtëzakonisht fryma. Sa më shumë frymë pozitive të jetë, aq më produktive është puna.

Çfarë ju këshilloni artistëve të rinj sa i përket leximit?

Unë kam vënë re që sot lexojnë vetëm ato që publikohen në rrjetet sociale. Momentalisht po lexoj një libër të përkthyer nga Erion Kristo, “Të fitosh në çdo negociatë” nga Chris Voss. Unë kam lexuar që në gjimnaz, madje deri në vitin e katërt kam qenë absolut. Nuk është e thënë që duhet të jesh pjesë e artit për të lexuar. Edhe një futbollist duhet të lexojë. Sa më qetëson leximi, nuk më qetëson gjë tjetër. Gjithmonë që lexoj ndonjë libër, shkëpus ndonjë element.

Si i keni krijuar personazhet tuaja, si i keni ndërtuar karakteret që keni luajtur në skenë?

Amatorët kopjojnë, gjenitë vjedhin! Unë kam vjedhur nëpër persona të ndryshëm detaje. Edhe nga kolegët tim kam vjedhur, teksa ata thonë ndonjë gjë, pa e ditur që ajo gjë do të më inspirojë për të ndërtuar personazhin tim. Kudo që shkoj apo lëviz, përpiqem të vjedh ndonjë personazh. Më përpara kam bërë “Mozaiku folklorik” me Erion Isain, ku unë luaja një profesor nga veriu, ndërsa ai një profesor nga jugu. Nga Gjini, kalova te një personazh nga Lura. Për tre vite rresht shkoja në Lurë dhe pikasa këtë tipin. Ishte veteriner dhe quhej Bashkim. Dua ta tregoj pak sesi e kam njohur. Kur kam shkuar për herë të parë, në ish-kampin e punëtorëve, nuk kishte as televizor, asnjë gjë. Kur shkuam për herë të dytë, ngaqë na pëlqeu si vend, morëm disa pajisje dhe i çuam. U hap fjala që kishte shkuar Gjini në Lurë. Mirëpo, që në 7 të mëngjesit, aty e nisnin me raki e mish. Sa shkova të pushoja, erdhi përgjegjësi i kampit të punëtorëve e më thirri: “O Gjin, ka ardhur i plotfuqishmi i zonës, me pi me ty”. Pasi mbarova me të, erdhi kryetari i komunës. Pasdite isha duke fjetur, e ai më thërret sërish: “ka ardhur doktori i zonës, me pi me ty”. I thashë që isha i pirë, se realisht isha i tillë. Kur dëgjoj zërin e tij: “Thuaji ka ardhur Pashkimi”. Këtë fjali më kapi veshi dhe u ngrita direkt. Ishte tamam personazh.
Ti sjell një përvojë, sot shpalose këtu jetëshkrimin tënd.

Ke folur vetëm për humorin, por ndërkohë ti ke luajtur edhe në filma, një ndër të parët është edhe “Koha e Kometës”. Si e shikon veten në raport me këtë gjini?

“Koha e Kometës” ka qenë filmi im i parë dhe pastaj kam luajtur edhe në filma të tjerë shqiptarë apo të huaj. Më falni që po e them këtë, por shumë talente, i ka prishur Akademia e Arteve. Në vitin e parë dhe të dytë unë shkoja në shfaqje, teatër dhe dëgjoja profesorët të komentonin: “Po çfarë është kjo shfaqje”, “po çfarë është ky aktor”. Nga viti i tretë hoqa dorë nga kjo lloj kritike dhe vendosa t’i qëndroj natyrshmërisë sime. Në filmat që kam qenë pjesë, edhe te filmi im “Falko”, kam vënë re që aktorët impostohen direkt vetëm sepse po luajnë në një film. Sa më i natyrshëm që je, aq më i besueshëm bëhesh.

Në art, artistët krijojnë diçka dhe mbeten aty. Ti si e riformaton veten, për të sjellë karaktere të reja, për të qenë i ndjekur pavarësisht kohës?

Gjatë gjithë kohës kam evoluar. Kur kam nisur me karakterin e Gjinit, e kam filluar si minator, kam kaluar në mësues, analist politik, pastaj prezantues, deri sot që është bërë militant i Partisë Demokratike. Kam nisur që në 2004 dhe vijoj ta mbaj deri sot, në 2021. Nëse do ta mbaja në tipologjinë e një minatori, nuk do ishte i ndjekur sepse s’ka vëmendje ndaj tyre. Nëse do ta kisha mbajtur vetëm në tipologjinë e një mësuesi, prapë do të digjej. Ka personazhe në spektaklet e humorit, që janë po aty ku e kanë nisur. Ke tipologji të fortësh që nuk janë më në qarkullim. Unë kam evoluar gjithmonë personazhin, e duke e bërë këtë, kam evoluar edhe veten. Nuk bëhesh i përsëritshëm. Pjesën e këngës e nisa si parodi, por kjo gjë më largoi nga Gjini, sepse të gjithë më identifikonin me këtë emër. Pas këngës, më identifikonin me emrin tim.

Një tjetër karakter që iu ka bërë të njohur, ka qenë ai i laçianit. Si ka lindur ky personazh, ku jeni inspiruar?

Ti duhet të rrish me ta, që të marrësh. Për rreth 5 vite unë kam qenë vetëm në zonën e Laçit, Milotit, Fushë Krujës. E bukura në këtë pjesë është, se pas rolit të skifterit, ky term u bë gjerësisht i përdorshëm sidomos në media e lajme, ku tashmë grabitësit i identifikonin metaforikisht skifterë. Madje sot në njësinë e Tiranës, është njësia “Anti-skifter”. Gjithsesi, po tregoj momentin kur e kam luajtur për herë të parë. Atë javë në “Portokalli” duhet të luaja Gjinin. Ndodhi aksidenti i Sokol Olldashit e unë nuk mund të vijoja me personazhin, duke qenë se flisja për PD-në. Mbeta pa rol. Ishte e premte në mëngjes. I kërkova Altin Bashës që të bëja laçianin. Shkoj pasdite me rolin e shkruar dhe po e lexoja me Salsano Rrapi. Dialogu ka qenë i tillë:

– Nga je ti?

– Për kishë të Laçit, po e gjete nga jam, do të jap 100 euro.

Me këtë batutë, pa vijuar më tej ta dëgjonte, Basha dha miratimin për ta vazhduar si personazh. Pas skifterit, vijova me “One man show”, që është një ndër më të bukurit dhe më aktuali në Shqipëri.

Pas dy dekadash karrierë, art, biznes, Besi si e sheh veten? Je njeri më optimist për shoqërinë shqiptare?

Unë jam optimist për veten, por jam pesimist për Shqipërinë. Më vjen keq që gjithë të rinjtë kërkojnë të largohen. Është plagë për këtë vend, por nga ana tjetër ndoshta largohen me të drejtë, pasi çmimet janë evropiane dhe rrogat janë shqiptare. Një njeri nuk e sheh veten në të tilla kushte. Duhet të investohet dhe të bëhen politika për të rinjtë, për mos largimin e tyre. Largimi i tyre sjell ngjarje të tilla, si ardhja e punëtorëve nga Bangladeshi apo vende të tjera, se shqiptarët nuk duan të punojnë. Si të punojë një njeri me një pagë 300 mijë lekë, kur nuk i del as për t’u ushqyer, ndërkohë që çmimet dhe taksat i paguan si në Evropë? Është plaga më e madhe që ka rinia shqiptare, sepse nuk shohin një të ardhme.

A mendoni se përtej varfërisë e kushteve jetësore, është krijuar një frymë e tillë pesimizmi që po i largon shqiptarët? A keni menduar të krijoni diçka, ndoshta një projekt, për të krijuar një frymë pozitive?

Unë e nisa me periferinë. Në këtë takim kaluam mirë, sepse kishte një frymë pozitive. Nëse ti ushtron presion, qoftë edhe në një punë ku ke 3-4 bashkëpunëtorë, atëherë punojnë thjesht për ta bërë atë gjë, jo sepse marrin kënaqësi nga ajo që bëjnë. Prandaj në çdo punë, takim, kur krijon frymën e duhur, ku secili ndjehet rehat, atëherë gjërat ecin mirë. Unë kam miq shumë pastorë e njerëz që besojnë. Një prej tyre më tregoi një histori biblike me Leviathans, një krokodil, që simbolizon frymën e përgojimit. Krokodili e kap prenë, e rrotullon dhe pastaj e përcjell. Në Shqipëri është ulur këmbëkryq një frymë e keqe.

Çfarë raporti keni me politikën dhe politikanët në Shqipëri?

Artistin e duan të gjithë. Por sado artist i mirë të jesh, sado që t’i bësh për të qeshur, prapë bëjnë një diferencim dhe të etiketojnë politikisht. Në humor nuk ka kompromis, prandaj unë kam realizuar skeçe ku kam imituar personazhe që iu përkasin të gjitha partive politike. Unë kam foto me të gjithë.

Më tepër se një pyetje, unë kam një kërkesë. Do të ishte mirë që të zgjerohej bashkëpunimi. Në Universitetin Europian të Tiranës, studentët marrin një kulturë të përgjithshme dhe përfshirja në praktikë do t’i ndihmonte në rritjen e tyre profesionale.

Skenari i filmit që kam shkruar dhe që pres ta xhiroj është për shpopullimin. Filmi nis me një lajm, ku Gjermania kërkon 5 mijë punëtorë mjekë e infermierë, e profesione të lira. Një gjerman vjen në Shqipëri, sëmuret dhe gati vdes, sepse nuk ka mjekë e infermierë t’i bëjnë një gjilpërë. Ky është në vija të trasha skenari. Kështu që do të doja, që në të përfshihen edhe studentët të UET-së, jo vetëm në produksion, por edhe si aktorë. Po ashtu, edhe në audicionet e “Kosheres”.

Çfarë këshille keni për të rinjtë në përgjithësi, e më specifikisht për studentët dhe artistët e rinj?

Mos rrini kurrë në komfort zonë, sado lekë që të merrni. Kurrë mos jeni të kënaqur, jo me pagesën, por me veten. Shumica e gjërave të mia në jetë më kanë ardhur sepse nuk i kam bërë për lekë. Përveç aktrimit, kamë bërë këngë, kam luajtur edhe futboll, deri në kategori të parë. Më është dashur t’i bëj të gjitha në jetë. Duke i bërë të gjitha, kam çfarë të tregoj nesër, pra “rrno vetëm për me tregue”. Njeriu jeton për të treguar. Nëse nuk lëviz, nuk ke çfarë tregon, sepse i ke ujërat e qeta. Nëse ti krijon dallgë, ke çfarë thua. Dhe së fundi, kini dashuri dhe jini të lirë në shpirt! /Gazeta Liberale

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back