Globi

Berlusconi: E djathta fiton vetëm nëse është pro-evropiane dhe atlantike

Shkruar nga Liberale
Berlusconi: E djathta fiton vetëm nëse është pro-evropiane

“Qendra e djathtë është shtëpia e përbashkët e të gjithëve, por për të fituar ajo duhet të kthehet në një konotacion të fortë liberal, kristian-demokrat, pro-evropian dhe atlantist."

Kështu deklaroi Silvio Berlusconi duke folur nga Konventa e “Forza Italia”, në Napoli.

“Me të majtën në qeveri – shtoi ai – do të kemi më pak liri”.

E kaluara e tij politike, sikurse rikthimi sërish në skenë, ngjason me atë të ish-kryeministrit Sali Berisha, megjithëse dallimi është i madh në stilin e lidershipit, retorikën e përdorur, si dhe në vlerat e përfaqësimit.

Berlusconi më tej njoftoi para audiencës në Napoli përkushtimin e tij për zgjedhjet e ardhshme politike dhe, nën duartrokitjet e militantëve, ai deklaroi: “Pas dëbimit me forcë nga Senati, nëntë vjet më parë, unë do të rikthehem në fushën e betejës bashkë me ju. Ne duhet të punojmë për zgjedhjet e 2023, të cilat janë vendimtare për ndërtimin e të ardhmes që duam.”

Ish-kryeministri italian foli edhe për atë që shqetëson sot globin, luftën në Ukrainë. Ai akuzohet nga e majta për miqësinë e hershme me Putin, ndaj edhe u tregua i kujdesshëm në qëndrimet para elektoratit.

“Tmerr për imazhet nga Kievi, liri për popullin ukrainas" – tha Berlusconi. – “Nuk mund të mos ndaj me ju shqetësimin për konfliktin në Ukrainë – shtoi më tej ai. - “Ndaj i bashkohem mesazheve si ai i Papa Françeskut, i cili bën thirrje për paqen, për të garantuar fundin e luftës dhe lirinë e popullit ukrainas. Është e pabesueshme që sot flasim për një kërcënim atomik”.

“Ukraina, theksoi kreu i Forca Italia, “është një vendi i sulmuar dhe ne duhet ta ndihmojmë atë të mbrohet. Forza Italia është dhe do të mbetet gjithmonë në anën e Evropës, të Aleancës Atlantike, të pjesës së Perëndimit, në anën e Shteteve të Bashkuara”.

Kujtojmë se një dallim tjetër thelbësor me ish-kryeministrin Berisha, në rikthimin e tij është fakti që Berlusconi u ndëshkua nga gjykata italiane dhe jo nga Perëndimi dhe SHBA.

Përgatiti Liberale.al

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH