Aktualitet

“Berlin 1945- Fundi”, Libri në proces i Bashkim Zenelit me UETPRESS

Shkruar nga Liberale
“Berlin 1945- Fundi”, Libri në proces i Bashkim Zenelit me

Ndërsa bota përkujtoi 75 vjetorin e mbarimit të Luftës II Botërore, diplomati i njohur shqiptar Bashkim Zeneli sapo ka përfunduar librin e tij të radhës “Berlini 1945- Fundi”, të cilin ia ka besuar UETPRESS dhe vjen së shpejti për lexuesit e apasionuar në ngjarjet që kanë shenjuar historinë e njerëzimit.

Pa marrë përsipër të bëjë rolin e historianit, Bashkim Zeneli vjen me këtë libër pas hulumtimesh të imëta në mijëra faqe dokumentash, kujtimesh dhe gjurmësh, të cilat ndërtojnë skenën e errët të ditëve të fundit të Hitlerit në bunkerin e tij dhe ngjarjet e vrullshme tw fundit tw Luftws.

Që nga janari i vitit 1945 Hitleri u largua nga zyra e tij dhe u vendos në bunkerin poshtë godinës së Kancelarisë , për të kaluar aty 105 ditët e fundit të jetës së tij dhe të Luftës së Dytë Botërore.

I ftuar i gazetarit Lorenc Vangjeli, në emisionin JAVA në RTSH, Zeneli bëri me dije linjat kryesore të ngjarjeve që sjell libri i tij; çfarë ka ndodhur në atë bunker në ato 105 ditë, mbledhjet e përditshme të Hitlerit me kabinetin e tij dhe gjeneralët madhorë; gjendja e tij e rënduar psikologjike, qetësuesit, dridhjet e forta të trupit;Testamenti që la, urdhërat për ta kthyer Berlinin në Tokë të Djegur; vetëvrasja e tij dhe e bashkëpunëtorëve të tij; si u helmuan me të njejtin helm bashkëshortja e tij e një dite Eva Braun dhe ajo e Gëbelsit, e cila helmoi 6 fëmijët e saj të mitur, emrat e të cilëve fillonin që të gjithë me gërmën H, në nderim të Fyhrerit që veneronin.

Pas rënies së Murit të Berlinit, filloi të flitet për ngjarjet e atyre ditëve agonike, por Bashkim Zeneli me shqisën e mprehtë të diplomatit  sheston dëshmitë e protagonistëve dhe analizat e autorëve të ndryshëm, për të sjellë në një dritë të re kontekstin historik dhe njerëzor, atmosferën në nivel të gjerë gjeopolitik, kulisat e kancelarive më të rëndësishme të botës dhe artin e negocimit të liderëve në secilin prej kampeve të mëdha, perëndimor dhe lindor; përjetimin e ngjarjeve nga ata që i jetuan dhe ata që i treguan.

Vetëm vitet e fundit është folur për tmerret e ushtrisë sovjetike nëBerlin- epilogun e Luftës. Zeneli pas shfletimesh të shumta në kujtimet e gjermanëve, britanikëve, sovjetikëve, ndërton mizanskenën e tmerrit në një qytet gërmadhë si Berlini, duke u rrekur të përkapë kontekstin psikologjik që përkufizoi panikun e një popullate të indoktrinuar nga propaganda e Gëbelsit, e cila ushqente fantazmën e amanetit të frikshëm për shfarosjen e hebrenjve.

Libri përqëndrohet  në 16 ditët e zeza të Berlinit - kush do ta merrte Berlinin i pari mes sovjetikëve dhe britanikëve, pse ishte e rëndësishme kjo dhe si luhej në nivel botëror diplomacia e nxehtë e fundit të një Lufte Botërore; misteret e ditënetëve pas vdekjes së Adolf Hitlerit, përmbushja e amantit të tij nga shoferi besnik, për t’ia djegur trupin në gropën e hapur ku u varros, në buzë të bunkerit.

“Ky popull nuk më meriton MUA”- tha në gjalljen e tij diktatori delirant, i njëjti, i cili 1 ditë përpara vetëvrasjes më 30 prill, kur la edhe Testamentin, në takimin me një pjesë të stafit, falenderoi popullin gjerman që diti të mbante një qëndrim kaq të prerë ndaj racës hebreje. Dritëhijet e një diktatori, epidemia e vetëvrasjeve të bashkëpunëtorëve të ngushtë, mbi 1400 vetëm në prill 1945; konfigurimi i botës pas hirit të Luftës dhe gjurma që mbart historia, si një kujtesë që mbron të ardhmen e Europës dhe njerëzimit – të sjella nga një autor i sprovuar për finesën e rrëfimit dhe intuinën e grishjes së interesit të lexuesit, jo domosdoshmërisht me interesa në leximet historike.

Pas dy librave, Miqësi e Trazuar/Greqia në Kujtimet e Ambasadorit dhe Për Gjermaninë /Histori diplomatike dhe Kujtime, Bashkim Zeneli vjen me një tjetër botim, të cilin UETPRESS ka kënaqësinë e veçantë ta sjellësë shpejti për lexuesin, në një kohë që ka ridimensionuar  konceptin tonë për botën dhe të ardhmen, kësisoj edhe këndin e leximit të historisë./Gazeta Liberale

[gallery columns="1" size="full" gss="1" ids="1140458,1140457"]

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH