Aktualitet

Berisha zbulon datën kur nisin protestat e opozitës

Shkruar nga Liberale
Berisha zbulon datën kur nisin protestat e opozitës

Kreu i "Rithemelimit" Sali Berisha ka njoftuar sot se, protestat e opozitës do të nisim më 12 nëntor.

Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se, pjesë e protestës nuk do të jetë vetëm Partia e Lirisë, por edhe parti të tjera opozitare.

“Jam këtu për t’ju informuar opinionin se PD e PL e forca të tjera opozitare nisim më 12 nëntor betejën e madhe kundër regjimit të urryer. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e urrejtjes ndaj monizmit të Edi Ramës. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katastrofale të krijuar nga vjedhjet e mëdha dhe të papërmbajtura të fondeve buxhetore, të pasurive publike të qytetarëve shqiptarë. Vjedhjet e buxheteve familjare përmes çmimeve të larta, pabarazisë absolute para ligjit që sundon në Shqipëri, ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjen me regjimin e partisë- shtet, i cili në historinë kombëtare është regjimi më anti-shqiptar pas regjimit të Enver Hoxhës", tha Berisha.

Sipas tij, ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjet me regjimin e asaj që ai e quan partisë-shtet.

"Unë kam besimin më të madh se të rinjtë, të rejat e Shqipërisë, që ndodhen në vend dhe ata që janë larguar për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar jetën në Shqipëri, burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet.”, tha Berisha.

Kujtojmë se më herët, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe kreu i "Rithemelimit", Sali Berisha patën një takim në selinë blu. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH