Aktualitet

Berisha: Marrëveshja historike do të shënojë fillimin e fundit të regjimit Rama-Veliaj

Shkruar nga Liberale
Berisha: Marrëveshja historike do të shënojë fillimin e

Kreu i "Rithemelimit", Sali Berisha e quajti historike marrëveshjen e firmosur me kreun e Partsë së Lirisë, Ilir Meta për zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 majit 2023.

Sipas tij, marrëveshjen e konsideron historike, pasi do të shënojë fillimin e fundit të regjimit të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt.

"Nuk mund të lëmë pa thënë dy fjalë për Parlamentin inekzistent të Tiranës që drejtohet nga një zonjë që po të kishte një mbiemër të dytë do të quhej Romina Hije. Për të qytetarët nuk ekzistojnë. Ajo sikur është binjake me hijen. Merr fund kjo. PD do të mbështesë fuqimisht nismën referendare. Sot referendumi dhe demokracia direkt mbetet mjeti më kryesor për të shëruar, për të rikthyer demokracinë në Shqipëri, që është në agoni të plotë dhe ka zbritur nën nivelet e Kirgistanit. E konsideroj historike marrëveshjen, do të shënojë fillimin e fundit të regjimit të Ramës dhe Veliajt", tha Berisha.

Marrëveshja e firmosur prej tyre përbëhej nga gjashtë pika të rëndësishme:

1. Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

2. Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.

3. Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.

4. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.

5. Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.

6. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve. /Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH