Aktualitet

Berisha i përgjigjet Ramës: Sulmet ndaj SPAK, për të tërhequr vëmendjen nga kriza ekonomike

Shkruar nga Liberale
Berisha i përgjigjet Ramës: Sulmet ndaj SPAK, për të

Ish-kryeministri Sali Berisha tha në një konferencë për mediat nga selia blu, se Edi Rama ka nisur një sërë sulmesh ndaj organeve të drejtësisë për të tërhequr vëmendjen nga kriza ekonomike në vend.

“Në një panik të jashtëzakonshëm Rama merret me drejtësinë dhe kundërshtarët e tij politikë. Shkaqet janë madhore. Edi Rama beson se me këto qëndrime të cilat shëmbëllejnë apo janë të denja për Korenë e Veriut apo regjimin e etërve të tij, ka disa synime: së pari të tërheqë vëmedjen e qytetarëve shqiptarë të cilët po përballen me vështirësi shumë të mëdha në jetën e përditshme për shkak të këtij kryeministri I cili me firmë e vulë vetëm vjedh. Shumica e familjeve shqiptare shpenzojnë mbi 50% të të ardhurave vetëm për ushqimet. Rritet çdo javë dhe çdo muaj në këtë vend në një kohë kur kryeministri dhe ministrat e tij të pangopur dhe përdorin fondet publike, pronat publike dhe asetet publike nga Kepi I Stillos deri në skajin tjetër. Në kurriz të taksapaguesve shqiptarë Edi Rama ecën dhe udhëton si gjëja më e pavlerë në Europën zyrtare”, deklaroi Berisha.

Ndërkohë kryeministri Rama tha më herët se, nuk ka bërë asnjë presion ndaj drejtësisë shqiptare, por vetëm  një kërkesë legjitime, hetimin e presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit, Sali Berishës, ndonëse nuk i përmendi me emra.

“Të kërkosh më shumë nga drejtësia kur vettingu po bën 5 vjet, SPAK-u po mbush 3 vjet nuk do të thotë të bësh presion se përndryshe çfarë do duhet të thoshim për deklaratat e përfaqësuesve të BE-së apo SHBA-ve. Ku është kërkuar dhe hapur nominalisht ndëshkimi i politikanëve apo i gjykatësve të korruptuar. Presion mbi drejtësinë, sipas meje jo. Sipas meje një kërkesë legjitime për të kërkuar më shumë nga drejtësia. Në ndërkohë që për drejtësinë është bërë investimi më i madh në historinë e këtij vendi, në aspektin politik qoftë nga partia në pushtet, PS-ja, qoftë nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë. Çfarë presioni është të kërkosh hetimin e një ish-presidenti dhe një ish-kryeministri të shpallur non-grata nga SHBA-të me akuzat më të rënda të mundshme që lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e institucioneve të këtij vendi”, tha Rama.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH