Aktualitet

Berisha, bisedë për 30 vjetorin e Tranzicionit me studiuesen Budini

Shkruar nga Liberale

Intervista, në vijim të një projekti kërkimor nisur me Oxford University

Në një cikël bisedash për Tranzicionin demokratik shqiptar, drejtuar nga studiuesja Belina Budini, është rrëfyer dje në ditën e rinisë, 8 dhjetor, në lidhje me rolin dhe protagonizmin e tij përgjatë tranzicionit, ish presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai i është përgjigjur një pyetësori të thelluar në vijim të një projekti kërkimor që profesorja Budini zhvillon me Universitetin e Oksfordit, duke u përqëndruar tek liderët politikë dhe demokratizimi. Cikli i bisedave zhvillohet me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar pas viteve ’90.

Në fokus të projektit janë refleksionet, kujtimet, fjalimet dhe bisedat me ish-Presidentët, Kryeministrat dhe Kryetarët e Kuvendit të kësaj periudhe. Berisha tregon në pjesën e parë të kësaj interviste retrospektivën dhe kronologjinë e ngjarjeve të dhjetorit 1990, duke rrëfyer se si u gjend në mes të transformimeve, si edhe tregon përjetimet e atëhershme dhe reflektimet e sotme ndaj atyre ngjarjeve. I përgjigjet akuzave apo pretendimeve në lidhje me një rol prej fasade revolucionare të elitave të kohës, duke mohuar një tezë të tillë e cila synon të minimizojë rolin e studentëve dhe të rinjve dhe shprehjes së hapur e të sinqertë të aspiratave të tyre në këtë periudhë me thirrjet “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa".

Në këtë bisedë, Berisha, një ish-pedagog i Mjekësisë që u pozicionua në postet më të larta të shtetit demokratik shqiptar, rrëfeu mënyrën sesi ai u gjend i përfshirë në Lëvizjen Studentore të ’90-ës, e cila identifikohet dhe festohet kombëtarisht me datën 8 dhjetor. Ai tregoi se gjendej jashtë Shqipërisë në një konferencë shkencore dhe pas kthimit mësoi mbi lëvizjen dhe më vonë edhe mbi kërkesat që kishin studentët.

“Më datën 8 dhjetor unë jam kthyer nga Toskana, ku kam marrë pjesë në një kongres, si i deleguar i OMSIT për biogenetikën dhe kam mësuar të nesërmen në mëngjes, sëbashku me dy miqtë e mi, me të cilët lashë takim pasi erdha, për një kafe në hotel Tirana. Ata janë Besnik Mustafaj dhe Kujtim Çashku. Rrugës për në hotel, një mik i imi i vjetër, Qemal Sakajeva, më tregon për demonstratën që kishte ndodhur në mesnatën e datës 8, takimin që studentët kishin pasur me Ramiz Alinë, por nuk dinte për karakterin e kërkesave”, ka treguar Berisha, duke shtuar se më vonë u informua edhe për karakterin politik të këtyre kërkesave.

Pas përplasjes që studentët patën me Policinë dhe pas arrestimeve, Berisha ka treguar se është interesuar për gjendjen e tyre mjekësore, e më pas ka shkuar në Komitetin e Partisë së Punës, ku paraqiti edhe kërkesat e tyre. Ata kërcënonin me zhvillimin e protestës masive në sheshin Skënderbej, nëse nuk liroheshin shokët e tyre të burgosur. Duke paraqitur disa nga bisedat që pati me drejtues të asaj kohe dhe me Ramiz Alinë, Berisha rrëfeu se deri në fund qëndroi me studentët dhe në mbrojtje të tyre. Por nga ana tjetër, ai zbuloi se qëllimi i tij ishte që të shmangte një konflikt civil, prandaj u përpoq që t’i bindte studentët, bashkë me Azem Hajdarin që të mos dilnin në sheshin Skënderbej, por t’iu qëndronin dy kërkesave të tyre për pluralizëm politik dhe heqjen e hegjemonisë së Partisë së Punës

“Mendoj se ky ka qenë një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi Azemi kaloi provën më të veçantë të liderit. Sheshi ishte mbushur me 2000- 3000 vetë për të zbritur në sheshin Skënderbej dhe ata ishin gjithë adrenalinë dhe energji dhe ai pas bisedës me mua, duhet t’iu thoshte se nuk do të zbrisnin. Iu fola unë në fillim, duke iu thënë se po i bënin një shërbim të jashtëzakonshëm vendit, por kur iu thashë që të mos zbrisnim në shesh, ata shpërthyen në fishkëllima e britma, duke më quajtur ‘tradhtar’. E merr Azemi fjalën dhe më prezanton mua dhe iu kërkon që të mos më drejtohen në atë mënyrë. Por kur iu tha që nuk do të zbrisnim, ata shpërthyen sërish në fyerje.

Dhe ky është momenti më epik. Azemi iu thotë: “Vëllezër, unë iu fus thikën në bark Rudinës dhe Kirit dhe ua nxjerr në kapërcyell dhe juve nuk iu tradhtoj”. Aty ra një heshtje varri dhe pas disa sekondash masa shpërtheu për heroin e tyre, i cili u liderizua me një lloj betimi, të ashpër, vrasës sa vetë vrasësia, por ai nuk u tërhoq”, rrëfeu Berisha.

Lidhur me zërat kritikë që qarkullojnë, për faktin se revolucioni demokratik u përmbajt, apo se u përgatit nga elitat komuniste, Berisha e quajti këtë “një trillim i turpshëm i Policisë Sekrete Shqiptare”, duke shtuar se ai ka publikuar në shtypin shqiptar gjatë viteve ’90 gjithë “çdo gjë që ekziston në të gjithë dokumentet, e të gjitha opozitave disidentë në vendet lindore”.

“Kështu që unë shkova tek studentët si një njeri që kisha parashtruar një platformë të plotë, e cila mbante çdo element thelbësor të të gjitha platformave të disidencave në atë kohë, që unë ndiqja. Unë ndonjë kulturë të madhe politike, përveç çështjes së Kosovës, nuk kisha. Por unë ndiqja me interes absolut, pasi kisha marrë një vendim me veten time, dhe ai vendim ishte të bëja atë që s’kisha bërë, të thoja ato që s’kisha thënë, për të qenë vetja ime, pavarësisht nga çmimi. Kurrë për të krijuar një forcë politike”, rrëfeu ai më tej, duke shtuar se qëllimi i tij nuk ishte të krijonte një parti politike, por të dilte nga “dubliciteti që ne ishim të zhytur në kohën e diktaturës”.

Berisha tregon, se asnjë shkrimtar disident nuk e frymëzonte aq shumë sa fizikanti i Bashkimit Sovjetik, Andrei Saharov, i cili hoqi dorë nga profesioni dhe iu përkushtua të drejtave të njeriut. Por si e gjeti Berisha veten në politikë dhe cilat ishin arsyet që e çuan drejt këtij vendimi për të hequr dorë përfundimisht nga profesioni i mjekut, që ai thotë se e adhuronte, e për të marrë një drejtim të ri?

Arsyeja e parë ishte Kosova. Në shtator të ’90 unë kam një artikull në gazetën “Bashkimi”, ku e lidh në mënyrë të pazgjidhshme vendosjen e demokracisë në Shqipëri dhe çështjen kombëtare me çështjen e Kosovës. Për mua, pa një Shqipëri demokratike, nuk mund të kishte një Kosovë të lirë. Kosova ishte ideali sublim i jetës sime. Aty mendova se në PD, duke iu përmbajtur si parti e interesit kombëtar, unë mund të ndikoj.

Së dyti, mendova se duhet të bëj gjithçka për rrugë paqësore. Unë i pashë studentët. Ata kishin një guxim të jashtëzakonshëm, mund të thuhet një guxim me tepricë. Natyrisht unë isha në jetë më me eksperienca se ata, isha më gjakftohtë. Kisha marrë një vendim dhe nuk më impresiononte më asgjë. Mendova që të rri, në mënyrë që të bëj gjithçka për të shmangur një konflikt”, rrëfen më tej ish-kryeministri.

Në një periudhë të vështirë për shoqërinë shqiptare, mes problemeve të thella ekonomike, sociale, arsimore, Berisha tregon se sfidat ishin të mëdha. Teksa rendit gjendjen në të cilin ndodhi ky revolucion demokratik që përmbysi sistemet, ai nënvizon progresin e këtyre viteve, që për të është mjaft i konsiderueshëm.

Motoja e revolucionit demokratik ishte “e duam Shqipërinë si Europa”. Shqipëria është sot anëtare e NATO-s. Shqipëria eci me gjithë ndërlikimet në rrugën e saj, deri në vitin 2013. Ajo Firmosi Stabilizim Asocimin, mori miratimin për të ecur drejt anëtarësimit, mori liberalizmin e vizave, bëri gati statusin e kandidatit, por nuk votoi 3 ligjet, ai që po e mban tani peng. Shqipëria, vendi i investimeve totalisht të ndaluara, arriti të bëhet promotor i njërit prej projekteve më të mëdha të Europës, që është TAP. Ju duhet ta dini dhe shqiptarët duhet ta dinë, se TAP është TAP sepse kalon nëpër Shqipëri. Të gjithë ata që mendojnë ndryshe, gabojnë. Ai projekt gjigand është i tillë sepse kalon nëpër Shqipëri. Çdo devijim tjetër e zhvlerësonte projektin në shkallë maksimale projektin. Në vitin 2005 nuk ka llogarisnin fare për përqindjen e penetrimit të projektit, ose shkruanin 4.9 %. Në 2013 Shqipëri kishte 63 %. Në 2005 Shqipëria kishte 2300 km rrugë të asfaltuar, nga 18 400 km rrugë. Arriti të asfaltojë 11000 km rrugë. Ndërmori një nismë të madhe në energjinë ujore. Nga ajo nismë, sot janë me dhjetëra hidrocentrale të reja dhe janë në ndërtim të tjera”, tha Berisha. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A mund të shihen si shpresëdhënës politikanët e rinj për të përmbysur raportin tradicional të dy partive të mëdha në qeverisje prej ‘92?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH