Aktualitet

Berisha: Basha një humbës, mos e votoni më!

Shkruar nga Liberale
Berisha: Basha një humbës, mos e votoni më!

Pas përjashtimit nga grupi parlamentar, ish-kryeministri Sali Berisha ka organizuar këtë të enjte takimin e parë me mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike.

Berisha thotë se do të zhvillojë një tur takimesh që nis sot nga Tirana, për atë që ai e ka cilësuar “rikthimi i sovranitetit për PD”.

Të pranishëm në sallën ku u mbajt takimi ishin të pranishëm deputetët Flamur Noka dhe Tritan Shehu si dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, Bujar Nishani.

Ndonëse takimi mbahej në kuadër të përjashtimit të tij nga grupi i PD, Berisha e nisi fjalimin e tij në sulme ndaj kreut të mazhorancës.

“Kjo foltore nis në një moment më kritik se çdo kohë tjetër për Shqipërinë. Sot në Parlamentin shqiptar betohen për të tretën herë kreu i Meduzës së krimit të organizuar” tha Berisha.

Iniciativën “Open Balkan” e cilësoi si përpjekje për të rikthyer Jugosllavinë. Berisha e cilësoi Ramën si “vasal” dhe “argat” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe shtoi se e ka shndërruar Shqipërinë në epiqendrën e luftës së ftohtë ndaj Kosovës.

Berisha u shpreh se “PD është në gjendjen më kritike që prej krijimit të saj” duke shtuar se “ka 8 vjet që ka humbur çdo nismë përveç ligjit të dekriminalizimi”.

“Ka humbur çdo aksion, ka 8 vjet që shkatërrohet mekanizmi elektoral dhe nuk i del zot. Ka 8 vite që kalon nga disfata në disfatë. Humbi zgjedhjet e fundit, vodhi dhe grabiti dy herë më shumë se sa në 2017. Nëse Rama nuk i fitoi, PD nuk i fitoi zgjedhjet . Nuk mund të them atë që nuk është”, tha Berisha.

Ish-kryeministri shprehu rezerva ndaj Bashës duke thënë se “vetëm 1/5 votave ishin për kryetarin” dhe shtoi se duhet të japë dorëheqjen.

“Humbe dy herë zgjedhjet, dy herë duhet të ikësh”, tha Berisha.

“Mos votoni asnjëherë një humbës, nuk u çon asnjëherë në fitore. Votoni një tjetër se nëse nuk u çon i dyti, mund t’u çojë i treti por humbësi kurrë”, tha Berisha.

Berisha tha se Basha pranë të huajve ka pretenduar se vendimet në PD nuk janë marrë prej tij.

“Ka deklaruar fshehtas tek të huajt që vendimet nuk i marr unë por Berisha”, u shpreh ish-kreu i PD duke shtuar se të gjitha vendimet kanë qenë të Bashës.

Ish-kryeministri tha se gjatë 8 viteve ka ndodhur spastrimi i mbështetësve të tij nga PD duke shtuar se në 2017 Basha “ekzekutoi” eksponentët kryesor të PD pa u thënë asnjë fjalë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH