Dossier

“Bëmë baba të të ngjaj”/ Sterjo Spase i rrëfyer nga i biri

               Publikuar në : 11:23 - 10/04/21 liberale

Kolana UET Press – 15 vjet

Titulli: Im atë, Sterjo

Autor: Ilinden Spasse 

1.

Ishte mëngjesi i 14 gushtit të vitit 1912 dhe jo i 14-ës, kur Spasja i Niço Kristos mori sihariqin se e shoqja e tij Marë, kishte lindur djalë. Ai po psalte në kishën e vjetër poshtë fshatit, buzë liqenit. Jehona e zërit të tij prej basi kumbonte në veshët e besimtarëve. Ujërat e liqenit jashtë llapashiteshin në muret shkëmbore të kishës, lëpinin guralecët e vegjël e tërhiqeshin prapa me një fëshfërimë të lehtë. Rrezet e diellit, që kishin platitur në fillim majat e maleve të Babës, të Galiçicës e të Malit të Thatë, filluan të zbrisnin poshtë nëpër brezaret e pyjeve dhe kodrave të Goricës, Gllomboçit e të Pustecit, fushave dhe me tej liqenit, ku me ujin e tij të përzier si me ar reflektonte siujdhesën e Golem Gradit, Kodrën e Belit dhe shkëmbinjtë e Kosornikut.

Spasja buzëqeshi. Zëri i tij kumboi më fort. I kishte lindur fëmija i katërt. Mezi priti, sa mbaroi ceremonia. I hodhi një pare metalike së bijës Trëndë, që i kishte dhënë sihariqin. Diç i pëshpëriti në vesh papa Nunit dhe doli. Ndjeu ajrin e freskët të liqenit, ndjeu rrezet e forta të diellit. Duke mbajtur për dore Trëndën, iu ngjit me të shpejtë të përpjetës së fshatit.

– Të të rrojë djali! – i tha plaku Niço.

Spasja buzëqeshi nën mustaqe.

– Baba, baba, nëna na lindi djalë, na lindi vëlla! – i mori sihariqin për së dyti, djali i dytë, Stojani.

Spasja e përkëdheli në kokë e me të dy fëmijët për dore hyri drejt e në ahur. Një lopë, pak më tutje, sa kishte lindur një viç me pullë të bardhë në ballë. Në anën tjetër, Spasja pa Marën lehonë tek mbante në prehër beben e porsalindur të mbështjellë në pelena. Spasja e mori në dorë dhe ia nguli sytë me një buzëqeshje të lehtë. Nga jashtë u dëgjuan të binin kambanat.

– Edhe viç, edhe vëlla! – hidhej Stojani tërë gëzim, duke përkëdhelur herë beben e herë viçin.

– Shyqyr, që shpëtove, të na rrojë djali! – i tha Spasja Marës si duke mërmëritur dhe ktheu prapa, se nuk duronte dot vështrimin e kunatave dhe të nënës së tij Niçovicë.

2.

– Sterjo do t’ia vëmë emrin! – u tha në darkë nuni Ilo.

– Ashtu qoftë, Sterjo! – iu përgjigj plaku Niço.

– Ta gëzojë emrin! – ngritën gotat dhe uruan vëllezërit e Spasses me babain Niço në krye.

– Të na bëhet këngëtar si i ati, Spasja!

– Të na bëhet i ditur si papa Nuni…

Spasja, atë natë, i skuqur në fytyrë, me ato mustaqe të zeza e të dendura, nuk fliste, si të ishte për herë të parë baba, por qeshte nën buzë duke mbajtur kokën ulur.

– Të na rrojë e të na bëhet me nipër e mbesa! – uroi më në fund e ëma, plaka Niçovicë.

Dhe, në atë mjedis të Gllomboçit, mes shokëve të tij, filloi të rritej edhe Sterjoja, me ato flokë të dredhura krela-krela e të dendura si pyjet e Goricës, me ato sy të kaltër e pak të përhimë, si ujët e liqenit aty pranë, me atë fytyrë të pastër e të bardhë si qumësht, që ua tërhiqte vëmendjen të gjithë kalimtarëve, sidomos nuseve të reja, të cilat, sa e shihnin në rrugë, e ngrinin hopa, e puthnin në të dy faqet, ia puthnin syçkat e bukur e ia përkëdhelnin flokët sterrë të zeza.

Kur vente të premteve në kishë për të kënduar, Spasja merrte me vete edhe Sterjon, i cili përpiqej ta kuptonte të atin kur këndonte. Kthente kokën majtas e djathtas. Shihte besimtarët me qirinj në duar, që dëgjonin me vëmendje, që bënin kryq e që faleshin. Kthente kokën nga muret: shikonte llambadarët, qirinjtë e ndezur dhe afresket murale me ngjyra të theksuara; vështrimin e Shën Mërisë, me sy të menduar, ngulur mbi foshnjën e saj në dorë; kryeengjëllin Gabriel, tre jerarkët, dy me mjekra të mëdha dhe i mesit me mjekrën e hollë, Shën Thanasin, 12 apostujt që vërtiteshin mbi kubenë e kishës me ato pamjet e tyre mistike e të gjitha këto i ngjallnin atij një botë të pakapshme, të pakuptueshme. Shën Mëria, Krishti i kryqëzuar, Juda, Evangjeli, 12 apostujt, era e temjanit, papa Nuni me mjekër… i ngjallnin edhe kërshërinë për të pyetur,

– Ç’ është kjo?

– Ikonë!

– Cili është ky?

– Krishti i vogël!

– Pse e ka mjekrën e madhe papa Nuni?

Spasja në fillim i përgjigjej me qetësi, po pastaj, për t’iu shmangur pyetjeve e merrte për dore dhe ndiznin nga një qiri për të kujtuar të vdekurit. Radha e të vdekurve shkonte brez pas brezi, por këta mbanin mend dy, e shumta tre breza. Ndërsa Sterjoja i vogël edhe në këtë rast pyeste:

– Babai i gjyshit Niço, si quhet?

– Pavle!

– Po babai i Pavles?

– Kristo!

– Po babai i Kristos?

– Dëgjo papa Nunin, mos pyet më, se do të të rrah! – i përgjigjej disi i bezdisur Spasja. Sterjoja bindej. Heshte. E kuptonte se i ati nuk vazhdonte dot më tej, por në vetëdijen e tij ai donte të dinte akoma më tepër për rodin, matanë Kristos, matanë gjyshit të gjyshit të tij, por matanë gjyshit të gjyshit të tij Niço, nuk shkonte dot. Nuk shkonte dot as vetë gjyshi Niço, i cili e merrte me vete Sterjon kur lëronte tokën me parmendë. Mbase s’ishte kujtuar atëherë në kohën e vet gjyshi i tij Niço, tashti nëntëdhjetëvjeçar, për të pyetur pararendësit për gjyshstërgjyshët e tyre….

– Pse e gërvisht tokën dhe nuk e lëron më thellë, babagjysh?

– Ashtu duhet.

– Pse duhet ashtu dhe nuk duhet më thellë?

– Ashtu thotë Zoti.

– Ku është Zoti?

– Mjaft më, edhe ti me këto pyetje, shko gjej një stap tjetër, për të nagasur qetë, se s’bën ky që kam….

Sterjoja largohej me vrap në pyll, për të gjetur stapin tjetër.

Vetëm vëllai i madh Joshja, i urti Joshe, që e merrte me vete me çumkë, matanë bregut shkëmbor të liqenit, nuk mërzitej nga pyetjet e shumta të tij. Qëndronin bashkë në zallishtet, përbri diellit, që i ngrohte më së miri. Sterjoja, ulur galiç, shihte vëllain sesi hidhte pezaulin dhe e tërhiqte ngadalë plot me mrenka të mëdha e të vogla. Pastaj, ngrihej e me vrap shkonte për ta ndihmuar, për t’ia pastruar pezaulin nga shkarpat, apo pllashicat, që kishin ngecur në rrjetë.

– Pse quhet matkë, kjo mrenë? – pyeti vëllain, duke mbajtur me doçkat e tij të vogla një peshk, që përpëlitej më tepër nga të tjerët.

– Se është nëna e të gjithë këtyre që kemi zënë.

– A ka shumë matka liqeni?

– Shumë, shumë, po zotësia është që t’i zëmë….

Dhe në darkë vonë, zbrisnin nga çumka në fshat: Joshja me thesin dhe pezaulin në krahë, Sterjoja me trastën të mbushur me mrenka. Ia shpinin nënë Marës, për t’i gatuar për darkë.

Edhe Stojani, vëllai i dytë, e merrte shpesh Sterjon në mal për të kullotur bagëtinë.

– Kush ia ka prerë veshin këtij përçi? – e pyeste Sterjoja herë pas here.

– Bariu Gjele!

– Po Baloja pse e ka pullën në çaçkë të kokës ?

– E ku e di unë, or kungull… Kur të vesh në shkollë do t’i mësosh të tëra – ia ktheu një herë Stojani. Barinjtë e tjerë që u ndodhën pranë ia plasën së qeshuri.

Etja e tepruar e Sterjos për të parë, për të pyetur, për të mësuar gjithçka e detyroi Spassen që ta shpinte në shkollën e fshatit, një ndërtesë dykatëshe kjo, e bërë me gurrë e baltë dhe e mbuluar me qeramidhe. Aty ai mësoi alfa, vita, gamën greke se në shkollë mësimi jepej greqisht.

4.

Në këtë kohë Sterjoja do të përjetonte një ngjarje tronditëse: Ishte vjeshta e vitit 1922. Po martohej vëllai i madh, Joshja. Në shtëpi, barabanët kishin ditë që kishin filluar të binin. Sterjoja, si fëmijë, shkrihej mes krushqëve e dasmorëve, mes motrave, vëllezërve e kushërinjve. Syrit të tij nuk i shpëtonte asgjë nga ritet fetare që zhvilloheshin me ardhjen e nuses. Ai shkonte sa para prapa vëllait të madh, që ishte veshur kësaj here me rroba të reja shajaku me kinda të bardha. Darka u shtrua herët. Njerëzit filluan të ngrinin dolli, të pinin e të këndonin. Gratë shkonin e vinin nga qilari te dhoma e miqve duke ndërruar tepsitë me mish e sahanet me fasule. Nga mezi i natës, në kulmin e dasmës dëgjohen papritur të shtëna pushkësh dhe të plasura bombash. Llambat, në shtëpinë përballë, të Stojan Sërbinit, u shuan. Lemeri grash, të bërtitura burrash, të virra fëmijësh, lëvizje hijesh. Krisma të tjera bombash dhe pushkësh dhe… papritur qetësi.

Barabanët pushuan, këngët u ndalën. Çdo gjë u platit. Asnjë shenjë, asnjë pipëtitje. Plaku Niço, në krye të sofrës së madhe i nemitur, dasmorët të nemitur….

Vetëm të nesërmen në mëngjes u mor vesh e vërteta: Kur po shkonin në shkollë, Sterjoja bashkë me moshatarët e tij panë rrugëve të Gllomboçit dy kufoma, njërin me mjekër të zezë e të gjatë e tjetrin pa mjekër, që i zvarritnin lidhur me fërtoma prapa një pende qesh.

– Ilo Digalla, Ilo Digalla!

– E vranë Ilo Digallën, e vranë Ilo Digallën!

Sterjos do t’i mbetej në mend kjo skenë e më vonë, kur të rritej do të mësonte të vërtetën e kësaj ngjarjeje të cilën do ta përpunonte në tru dhe do ta përdorte si material vizual në librat e tij.

5.

Vitin tjetër atë e nisën të vazhdonte mësimet në fshatin Nivicë, pasi, për mungesë nxënësish, shkolla në Gllomboç u mbyll.  Ishte një mëngjes i bukur e i freskët shtatori. Një erë e lehtë flladiste fytyrën e mitur të Sterjos, të babait Spasse e të remtarëve të tjerë që vozisnin varkën. Ndonjë krap përplasej në liqenin që valëzonte lehtë-lehtë. Sterjoja, me vështrimin e hedhur prapa, përshëndetej me fshatin e tij të lindjes, Gllomboçin, me Podbuçelin, me kodrën e Belit, Bezmishtin dhe ja, prapa malit të Gllomboçit i hapej një pamje tjetër: Malet e Babës me majën e Pelisterit nga larg ndriçoheshin nga dielli i porsalindur; Golem Gradi hijerëndë rrinte në mes të liqenit; Kosorniku, me atë pamje të ndriçuar nga ana e kundërt, i zbuloi një shpellë në zemër të tij, që lidhej me një shkallë prej druri me liqenin:

– Po ajo guvë, çfarë është aty?

– Kishë, është kishë në mes të shkëmbit.

– Të zbresim, ta shohim?

– Remtarët qeshën.

– Ndonjëherë tjetër, tani s’kemi kohë. – u përgjigj Spasja.

Sterjoja uli kokën. Diç mendoi. Mbase u shpejtua, që kërkoi të ndalnin për të parë kishën e Evangjelizmosë në Cërna Peshtera, në zemër të maleve të Kosornikut, tani që ishin nisur për udhë, për në fshatin Nivicë.

Hodhi sytë edhe një herë nga prapa: pa çumkat e peshkatarëve që ktheheshin nga gjuetia e natës. Ndërmjet tyre pa edhe vëllain e tij Joshe. E përshëndeti me dorë.

Ktheu kokën nga përpara. Kopshtet e bukura të mbushura plot pemë e lule të Nivicës, sikur kishin hapur krahët e po e prisnin me ngazëllim. Edhe andej takuan mjaft çumka, që po ktheheshin nga gjuetia e natës. Po i afroheshin Nivicës, që ngrihej si një kon i madh gjeometrik.

6.

Kur u kthye Sterjoja pas tre muajsh nga Nivica, e gjeti fshatin e tij të mbuluar me dëborë, i gjeti shokët e tij në sheshin pranë shkollës duke bërë një “ortek”. Sterjoja u afrua pranë tyre:

– Çfarë bëni Kolo, ashtu? – pyeti Nikolinën.

– Ah, Sterjoja, kur erdhe? – iu përgjigj ajo.

– Tani, posa zbrita! – i tha ai.

Hoqi trastën me libra nga qafa dhe ia la në dorë asaj. Mblodhi një shuk dëbore, e ngjeshi dhe e bëri sa një kokë njeriu, iu afrua “ortekut” dhe ia ngjiti sipër. Manusha, motra e Nikolinës, seç ndihmonte dhe ajo, për t’i bërë duart njeriut prej dëbore. Nikolina i dha ca thëngjij e shkopinj Sterjos, i cili filloi me to t’i bëjë sytë, hundën, gojën, veshët….

Kur mbaruan, Nikolina me Sterjon u tërhoqën pak prapa:

Tamam njeri: me hundë prej koçani të zhveshur, me sy prej thëngjilli, me mustaqe prej misri e me…. bark të madh!

Qeshën sa mundën dhe vështruan shoqi-shoqin në sy. Avujt që u dilnin nga goja pështollën fytyrat e të dyve. Nikolina u përflak me një ngjyrë të purpurt, sa që Sterjoja u bllokua menjëherë. Tej, poshtë, rrugës së xhadesë po vinin duke kuvenduar njëri me tjetrin plaku Niço, gjyshi i Sterjos dhe plaku Naum, gjyshi i Nikolinës.

– Erdhi gjyshi! – tha Nikolina. Ia hodhi çantën në duar Sterjos dhe iku me vrap.

Edhe Sterjoja, pasi iu hodh në qafë gjyshit Niço dhe mbasi i puthi dorën gjyshit Naum, hodhi trastën me libra krahëqafë dhe u nis me vrap në të përpjetën e fshatit për në shtëpi. Dy gjyshërit diç çuçuritën mes tyre. Ndërsa Manusha i përqeshi nga prapa të dy pleqtë duke vënë gishtin e madh të pëllëmbës së djathtë në majë të hundës./Gazeta Liberale

Tags: , , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back