Analizë

Bekimi dhe mallkimi i demokracisë së sotme në Shqipëri

Shkruar nga Liberale
Bekimi dhe mallkimi i demokracisë së sotme në Shqipëri

Nga Ben Andoni

Shqipëria përjeton dekadën e tretë të shekullit të parë në mijëvjeçarin e ri me një sistem demokratik, për të cilin sot debatohet jo pak. A ka mundur të vendosë në trase përfytyrimin demokratik që kishte publiku, ardhur nga regjimi socialist? A mundi zhvillimi ekonomik të plotësojë si duhet nevojat dhe përfytyrimet e njerëzve? A ka mjaftuar liria e shprehjes të jetë një lloj justifikimi i dështimeve të qeverive PS dhe PD të pas viteve ‘90? A mundën të zgjedhurit tanë të bënin ligje të mira për zhvillimin e vendit? Vërtetë na përgjigjet kjo elitë politike?!

Një indeks i përvitshëm, hartuar nga “Economist Intelligence Unit”, i jep përmirësim të lehtë Shqipërisë (68) dhe e fut në fashën e “Demokracive me të meta”, ku para saj gjendet Serbia (63). Por, mbas i qëndrojnë tre shtete të tjera të ish-republikave jugosllave, respektivisht Maqedonia e Veriut (73), Mali i Zi (74) dhe Bosnjë Hercegovina (95). Metodologjia klasifikon katër kategori: demokraci e plotë, demokraci me probleme, regjim hibrid ose regjim autoritar (Për fat të keq, Kosova nuk klasifikohet ose më saktë nuk është e përfshirë në renditje). Shikohet se ka përmirësim bajagi të pjesës demokratike, por mbetet për të gjykuar mbi metodologjinë, paçka se Indeksi në formë kanonike mat gjendjen e demokracisë bazuar në procesin zgjedhor dhe pluralizmin, funksionimin e qeverisë, pjesëmarrjen politike, kulturën politike dhe liritë civile. Në të gjitha Shqipëria ka probleme, porse krahasuar me vitet paraardhës në segmente shikon edhe për përmirësime. Të cilat një kah i politikës i hedh poshtë kur është në opozitë, në funksion të glorifikimit kur vjen në pushtet! Paradoks. Por që e kupton se pa asnjë mëdyshje vjen falë ndihmave të mëdha që ka marrë vendi nga faktori ndërkombëtar dhe remitancat e vetë shqiptarëve. A mundemi të gjykojmë ndryshe për Shqipërinë? Në fakt, jo thjesht për kohën, por demokracia midis të gjitha formave të qeverisjes, jo vetëm tek ne rezulton më jetëgjati. Duke u mbështetur në minimumin e detyrimit dhe maksimumin e pëlqimit, me gjithë goditjet që ka marrë në vend nuk mund të mohohet se ka arritje.

Bekimi

Është disi e vështirë ta llogarisësh në mënyrë statistikore ndihmën ndaj Shqipërisë që prej rënies së sistemit socialist. Por, do të marrim një indikacion, i cili lidhet me ndihmën prej rreth 1,16 miliardë euro, premtuar Shqipërisë nga komuniteti ndërkombëtar, si mbështetje për përpjekjet për rindërtim pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit të vitit 2019. Gati 70% e ndihmës, referuar specialistëve konsiderohet si borxh, ku rreth €805 milionë euro të premtuara janë hua nga katër banka ndërkombëtare: Banka Islamike për Zhvillim (€365 milionë), Banka Botërore (€160 milionë), Banka Evropiane e Investimeve (€100 milionë), Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (€100 milionë) dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (€80 milionë). Bashkimi Evropian ka dhënë ndihmën më të rëndësishme (mbi €216 milionë), e cila është falas dhe e pakushtëzuar. Gjysmën e ndihmës së BE-së e premtoi Komisioni Evropian (€115 milionë) dhe pjesën tjetër vendet anëtare (€101 milionë). Duket se i gjithë ky proces që i hoqi Shqipërisë pasojat e tërmetit nuk do të ndodhte nëse vendi ynë do të ishte në konjuktura të tjera, por edhe pa këtë performancë në demokraci, që me gjithë problemet mbetet për t’u vlerësuar. Falë, këtyre konjukturave, Shqipëria për shembull vetëm gjatë periudhës 1993 – 2016, arriti që me ndihmën e remitancave të emigrantëve shqiptarë të mblidhte rreth 10-22 për qind të asaj që kemi nga PBB.  Kulmin e tyre remitancat e arritën ne vitet 2006 dhe 2007 me dërgesa mbi 900 milion euro. Në  vitet e fundit 2012 – 2014 remitancat kanë qene poshtë 300 – 400 milion euro në vit. Në dy vitet e fundit ky nivel dërgesash arriti mbi 600 milionë euro në vit, referuar Altax. Rezultati i lirisë ekonomike të Shqipërisë është 66.6, duke e bërë ekonominë e saj të 50-tën më të lirë në Indeksin e 2022-ës. Shqipëria renditet e 30-ta në mesin e 45 vendeve në rajonin e Evropës dhe rezultati i saj i përgjithshëm është nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren botërore. Por a ia vlen ky model ekonomik, ku ndihmat dhe remitancat ndijnë brenda konturit demokratik. Mësimi i Afganistanit dhe sidomos tashmë i Ukrainës është i hidhur “duke derdhur sasi të mëdha ndihme në Ukrainë, tani përfituesi më i madh në botë i ndihmës së huaj, me mbikëqyrje minimale, komuniteti ndërkombëtar duket i gatshëm të përsërisë gabimet e tij të mëparshme. Ukraina ka nevojë për ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për të pasur ndonjë shpresë për të fituar luftën. Por çmimi i fitores nuk duhet të jetë e ardhmja demokratike e vendit”, vërejnë Jennifer Brick Murtazashvili dhe Nataliia Shapoval tek “Drowning Democracy”.

Gjatë pesë viteve të fundit, rritja ekonomike e Shqipërisë u rrit nga 2017 në 2018, u ngadalësua në 2019, u kthye negative në 2020 dhe u rimëkëmb në 2021. Një tendencë pesëvjeçare e zgjerimit të lirisë ekonomike ka rifituar vrull pozitiv, por megjithatë mbetet në rangun e mesëm të vendeve “Mesatarisht të Lira”. Madhësia e qeverisë dhe treguesit e tregjeve të hapura janë pozitive, por sundimi i ligjit mbetet problematik dhe kjo është ajo që publiku e konsideron si jo të drejtë, kurse opozita vrastare.

Mallkimi

Fondet që u dhanë për tërmetin vërtetë ishin premtime në parim, të cilat duhet të konkretizohen në marrëveshje formale, gjatë javëve të ardhshme. Nuk ka garanci se e gjithë kjo shumë do të konkretizohet dhe lëvrohet—pjesa më e madhe e saj janë hua të cilat duhet të mbështeten mbi projekte konkrete që të lëvrohen, shkruante Exit. Shqipëria është futur në hullinë demokratike dhe tashmë e lehtëson edhe ky zhvillim që mund të marrë ndihma. Pas projekteve që lëvrohen nga qeveritë dhe falë projeksioneve tre dimensionale lëbyrëse duket se Shqipëria duhet t’i ulë tam-tamet sepse në fakt i kanë dhënë dërrmën vetë konceptit të demokracisë. Historia e demokracisë shqiptare tregon se Shqipëria prodhon shumë më pak se më parë; popullsia po bjerret, ku vetëm gjatë 10 viteve të fundit e kanë braktisur vendin rreth gjysëm milioni shqiptarë, ku sipas projeksioneve të Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, varianti pesimist parashikon që vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë!! Teorikisht edhe kjo e ka një logjikë: Demokracia pjell probleme.

“Politikat demokratike në mënyrë të pashmangshme e gjejnë veten të ngarkuar me disa paradokse ose kontradikta ‘të integruara’. Tensionet që shkaktojnë këto politika nuk janë të lehta për t'u pajtuar dhe çdo vend që do të ishte demokratik duhet të gjejë mënyrën e vet për ta bërë këtë”, shkruan Larry Diamond tek “Three Paradoxes of Democracy”.

Konkurrencën e pastër për pushtet një demokraci si ajo e Shqipërisë e ka kthyer në luftë për pushtet. Të mjafton të shikosh sloganet kryesore të partive: “Rilindja” dhe “Shqipëria në rrezik”  dhe emrat e disa Partive të kuptosh se jemi gati në gjendje lufte. Sërish, citojmë autorin e sipër përmendur: “Demokracia është, nga natyra e saj, një sistem i konkurrencës së institucionalizuar për pushtet. Pa konkurrencë dhe konflikt, s’ka demokraci. Por çdo shoqëri që sanksionon konfliktin politik rrezikon që të bëhet shumë intensiv, duke prodhuar një shoqëri kaq të mbushur me konflikte saqë paqja civile dhe stabiliteti politik janë në rrezik” (Ibid).

Karakteristikat e kahet e demokracisë liberale e përbëjnë Zgjedhjet e Lira, Tregu i Lirë dhe  Diversifikimi i pushtetit. Por, tek ne sot, pushtetit është gjithnjë e më shumë i koncepteve autokratë dhe më shumë se kaq i grupeve të pakta të interesit. “...për të qenë e qëndrueshme, demokracia (ose çdo sistem qeverisjeje) duhet të ketë atë që Aleksandër Hamilton e quajti ‘energji’ - ajo duhet të jetë gjithmonë në gjendje të veprojë, dhe nganjëherë duhet ta bëjë këtë shpejt dhe me vendosmëri. Qeveria nuk duhet t'i përgjigjet vetëm kërkesave të grupeve të interesit; duhet të jetë në gjendje t'u rezistojë atyre dhe të ndërmjetësojë edhe mes tyre. Kjo kërkon një sistem partiak që duhet të prodhojë një qeveri të qëndrueshme dhe kohezive të mjaftueshme për të përfaqësuar dhe për t'iu përgjigjur grupeve dhe interesave konkurruese në shoqëri pa u paralizuar apo kapur prej tyre. Përfaqësueshmëria kërkon që palët të flasin me dhe për këto interesa kontradiktore; qeverisja kërkon që partitë të kenë autonomi të mjaftueshme për t'u ngritur mbi to”, shkruan Larry Diamond.

Dhe, nga i njëjti autor, marrin dhe argumentin e tij për kontradiktën e tretë, atë që rrjedh midis pëlqimit dhe efektivitetit të demokracisë: “Demokraci do të thotë, fjalë për fjalë, ‘sundim nga populli’, ose të paktën sundim me pëlqimin e të qeverisurve. Ky është mesazhi i njerëzve në mbarë botën të ngopur me shtypjen dhe korrupsionin e elitave qeverisëse autoritare apo totalitare”.

Ndihma që kanë marrë dhe marrin pushtetarët, tollovia e BE-së, zgjedhjet e padrejta dhe shpesh konfuzioni i publikut, i bën autokratët e sotëm që të mos ngopen me pushtet. Ndaj sot rasti Orban është i dhembshëm për Evropën por aspak për Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, por edhe Kosovën. Që do të thotë, pushteti politik duhet të tregojë një balancë të donacioneve, ndihmës dhe përkrahjes politike e mbi të gjitha të mësohet të bëjë zgjedhje të lira. Nuk duhet të mbetemi peng i ndihmave dhe udhëzimeve.

Dhe, sërish na vjen mësimi i specialistëve në fillim të shkrimit, lidhur me krahasimin e rastit të Ukrainës dhe Afganistanit: “Çfarë do të ndodhë nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera donatore injorojnë mësimet nga Afganistani? Ne mund të imagjinojmë lehtësisht një luftë të prishur dhe përpjekje rindërtimi që derdhin miliarda dollarë në Ukrainë me pak mbikëqyrje. Kjo do të ishte katastrofike për përpjekjet e Ukrainës kundër korrupsionit dhe, më gjerësisht, për fatet demokratike të vendit. Do të ishte vërtetë tragjedi ta shihje orën të kthehej mbrapa në Ukrainë dhe për mëkatet e donatorëve të fajësohen gabimisht populli dhe qeveria ukrainase, pasi ata mbrojtën me kaq guxim vendin e tyre kundër Goliatit rus”, vëren Jennifer Brick Murtazashvili dhe Natalia Shapoval tek artikulli i tyre “Drowning Democracy”.

Krijimi një demokracie dhe ruajtja e saj janë dy gjëra të ndryshme. Kjo është e dukshme për rastin e Shqipërisë, ku demokracia duhet të ketë bekimin e njerëzve dhe jo mallkimin, që mundohen t’ia japin të gjithë ata që i kërkojnë vetëm pushtetin për të sunduar...me donacione dhe këshilla demokratike. (Homo Albanicus)

 

 

Poll
SHQIPENGLISH