Kryesore

“Bechetti”, PS refuzon hetimin 

               Publikuar në : 09:40 - 12/10/21 liberale

PS jep OK për dy komisionet hetimore të kërkuara nga PD, zgjedhjet e 25 prillit dhe inceneratorët, ndërsa për gjobën që Shqipëria duhet t’i paguajë biznesmenit italian do të votojë kundër. Basha reagon duke lajmëruar  nxitjen dhe mbështetjen e çdo forme të reagimit qytetar

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka rënë dakord për ngritjen e komisioneve hetimore, atë të inceneratorëve dhe atë të masakrës zgjedhore të kërkuar nga Partia Demokratike, por nuk ka rënë dakord për komisionin hetimor për çështjen Bechetti. Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla sqaroi se ky për këtë të fundit, ngritja e komisionit hetimor bie në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese dhe dëmton interesat e Shqipërisë.

“Sa i përket çështjes së ngritjes së komisioneve hetimore, nga PD kanë ardhur 3 kërkesa; njëra bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pakica ka të drejtë të ngrejë komision hetimor, por kur kërkesa bie në kundërshtim me kushtetutën dhe kjo bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë në raport me disa procese ligjore që po zhvillon Shqipëria,. Në këtë fazë të proceseve gjyqësore të arbitrazhit, interesi më i madh është i Shqipërisë, ne nuk mund t’i bëjmë shërbim një individi para Shqipërisë dhe Shqipëria po mbron interesat e saj dhe ky ka qenë sugjerim dhe i avokatit të shtetit, i cili kërkon që kjo çështje të shtyhet dhe sapo Shqipëria të ketë ecur në procesin juridik, ligjor për këtë çështje ne mund ta ngremë këtë komision në një moment të dytë. Unë do të mbaj qëndrimin e plotë të mazhorancës për këtë çështje dhe investimi i Kuvendit që është sa i të majtës dhe të djathtës mund të vendoste në pikëpyetje ecurinë e procesit gjyqësor të arbitrazhit dhe GJEDNJ, dhe ky komision mund ta dëmtonte Shqipërinë”, tha Balla.

Ai njoftoi gjithashtu se do të votohet edhe kandidatura  e presidentit për Autoritetin e Konkurrencës, ndërsa do të hidhen poshtë disa nga dekretet e presidentit, si ai për buxhetin 2021.

“Kemi mbajtur qëndrimin tonë për disa dekrete të presidentit. Do t’i rrëzojmë dekretet për buxhetet e shtetit 2021 ku na është dashur të bëjmë ndryshime për shkak të pandemisë dhe problematikave të tjera”, shtoi Balla.

Në mbledhjen e grupit, socialistët kanë kërkuar të komunikojnë me bazën për rritjen e çmimeve bukës dhe naftës, të sqarohet baza dhe t’u garantohet që nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë që të mos preket konsumatori familjar.

Basha: Antikushtetues

Kryetari i Partisë Demokratike e quajti antikushtetues vendimin për të mos miratuar ngritjen e komisionit hetimor për çështjen Bechetti, të kërkuar nga opozita.

“Kushtetuta është e qartë sa i përket komisioneve hetimore. Të fshehësh dosjen Becchetti është në interes të Ramës dhe Veliajt, jo të Shqipërisë. Ata janë drejtpërdrejtë të implikuar në një rast ku shqiptarëve kanë filluar t’u merren 120 milionë euro për shkak të luftës personale që i hapën Becchettit. Prandaj ta harrojnë se do të pranojmë në heshtje shkeljen e Kushtetutës. Komisioni është e vetmja mënyrë për të nxjerrë para drejtësisë dhe të bëjë që dëmi të mos bjerë mbi xhepat e shiqptarëve, por të bjerë mbi sarajet, pasuritë dhe llogaritë offshore të politikanëve”, tha Basha.

Ai u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që të reagojnë edhe për krizën energjetike të paralajmëruar nga socialistët. “Presim që institucionet e drejtësisë të mos zdërhallen në tapetet e kuq të vanitetit gjatë fundjavës në Tiranë, ne nuk mund të rrimë duarkryq”, shtoi Basha.

“Ndaj për ne kjo javë do të vazhdojë siç ka nisur, me një ofensivë që ka si objektiv interesin e nevojave bazike të qytetarëve. Nëpër dyqane blihet me listë si asnjëherë më parë. Nuk dua të them se lindi sot, por sot është më i rëndë se kurrë. Do të shikoni një familjar që blen gjysmë buke, dy karrota, dy qepë.  Çmimet kanë kapërcyer në gjithçka, jo vetëm në energji.

Kriza nuk zgjidhet me pseudopaketa që përpiqen të fshehin vjedhjen. Shteti i ka të gjitha mundësitë që t’i japë fund shkakut themelor të kësaj krize, instalimi i një regjimi të përbërë nga kryeministri, një grusht ministrash dhe eksponentë të krimit të organizuar. Thonë që ulja e TVSH-së nuk ul çmimin, por TVSH-në e jahteve e kanë hequr. Oligarkëve u bëka punë, fukarenjve jo. Këtë e thotë dikush që ka humbur lidhjet me realitetin. Do të nxisim dhe mbështesim çdo formë të reagimit qytetar.

Jeni para shumë testesh, por ky është një nga testet kryesore. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë që është krizë korrupsioni. Ne do të sjellim kallëzimin brenda kësaj jave, për t’u hequr çdo alibi. Ata nuk janë aty për asgjë tjetër veç se për të bërë detyrën. Ta kuptojnë që janë rrethuar nga komoditeti i zyrës, se ajo zyrë është krijuar për të ndëshkuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë”.

Vendimi përfundimtar, Shqipëria do i paguajë Becchettit 110 mln euro

Shqipëria humbi përfundimisht gjyqin me sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, lidhur me dëmshpërblimin e kërkuar nga ai për mbylljen e televizionit “Agon” në vitin 2015. Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) një gjykatë arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Ky dënim përfaqëson dhe vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi.

Autoritetet shqiptare reaguan duke kërkuar anullimin e vendimit të marrë. Në Gusht të vitit 2019 ICSID pranoi ankimimin duke urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimit të saj. Kërkesa për anullim është një formë e jashtëzakonshme rekursi e parashikuar në mbrojte të parimeve themelore juridike që lidhen më një process. Një palë mund të kërkojë anullimin e plotë ose të pjesshm të një vendimi duke u mbështetur së paku në një prej 5 rasteve të parashikuara nga vetë rregullat e ICSID-së: kur trupa gjykuese nuk është formuar në mënyrë korrekte; kur ajo ka tejkaluar hapur pushtetin e saj; kur është konstatuar rast korrupsioni nga një prej anëtarëve; kur është vënë re devijimi nga një prej rregullave bazë të procedurave dhe kur vendimi nuk ka mundur të dëshmojë motivet mbi të cilat është bazuar. Kërkesa e palës shqiptare, u bazua te shkelja e procedurave gjatë procesit të arbitrazhit, por Komisioni Ad Hoc i ngritur për shqyrtimin e rastit, nuk e ka gjetur të drejtë pretendimin e palës shqiptare, e cila do të duhet tanimë të paguajë dëmshpërblimin prej 110 milion eurosh.

Për t’u përfaqësuar në procesin e ankimimit, Avokatura e Shtetit shqiptar kishte përzgjedhur studion amerikane, Foley Hoag, me një eksperiencë në trajtimin e rasteve të tilla. Ndërsa përballë saj, sipërmarrësi italian Becchetti, përfaqësohej nga dy studio të mëdha ligjore, Debevoise & Plimpton, me seli në Neë York, dhe Quinn Emanuel Urquhart & Sullivan, me seli në Paris dhe Neë York.

Becchetti: “Persekutimi im politik mbaroi”, Shqipëria duhet të paguajë 140 euro

Një gjykatë ndërkombëtare vendosi njëzëri se qeveria shqiptare është fajtore për përndjekjen politike dhe për sjelljen korruptive e të padrejtë ndaj sipërmarrësit italian Francesco Becchetti, kështu shkruan media italiane ‘affaritaliani.it’.

Becchetti, që aktualisht banon në Londër, është pronar i ‘Agon Channel’, një stacion televiziv që transmeton nga Shqipëria. Agon Channel, i cili punësoi më shumë se 500 persona në Shqipëri, kishte marrë një pozicion kritik ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit aktual, Edi Rama.

Gjykata ndërkombëtare doli në konkluzionin se qeveria Rama lëshoi një urdhër-arresti të motivuar politikisht kundër Becchettit dhe ortakut të tij në biznes, duke i akuzuar ata për shmangie të taksave, falsifikim të dokumenteve, përvetësim dhe pastrim parash, duke kërkuar gjithashtu ekstradimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar.

Gjatë arbitrimit, gjykatat e Londrës kishin refuzuar tashmë kërkesat për ekstradim nga pala shqiptare, duke e konsideruar një abuzim serioz dhe Interpol kishte tërhequr urdhrat e arrestit ndërkombëtar kundër Becchettit dhe ortakut të tij të biznesit, De Renzis, pasi Shqipëria nuk ishte në gjendje ti justifikonte urdhër-arrestet.

Gjykata ndërkombëtare dënoi Shqipërinë për shpronësimin e paligjshëm të stacionit televiziv Agonset, në shkelje të traktatit të investimeve bilaterale midis Italisë dhe Shqipërisë, dhe urdhëroi pagimin e 140 milion eurove si kompensim ndaj Francesco Becchettit nga Qeveria Shqiptare.

Becchetti komentoi: ‘Familja ime dhe unë jemi të kënaqur që 4 vitet e betejave ligjore kundër arrestimit të paligjshëm dhe persekutimit politik kanë përfunduar. Mendimet tona të para shkojnë për të gjitha familjet e punonjësve të grupit mediatik që u është dashur të vuajnë kaq padrejtësisht për shkak të veprimeve të nxituara të qeverisë së korruptuar shqiptare, shkruan më tej ‘affaritaliani.it’ .

Ne jemi të kënaqur që gjykata ndërmori një hap të jashtëzakonshëm për të konfirmuar se ne kemi qenë të përndjekur nga shteti shqiptar. Ne mezi presim që të vazhdojmë me jetën dhe aktivitetet tona.

‘Policia shqiptare ndaloi punonjësit e Agon Channel në kufi. Subjektet, të cilët janë përcaktuar nga Qeveria shqiptare si ‘persona shumë të rrezikshëm’, përfshijnë gazetarë, drejtorë dhe analistë, por dhe kameramanë, operatorë e parukierë të TV-së’. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back