Aktualitet

BE zbulon planin 30 miliard euro për Ballkanin Perëndimor, Shqipëria i kërkon lehtësira për të depërtuar në tregun europian   

Shkruar nga Liberale
BE zbulon planin 30 miliard euro për Ballkanin Perëndimor,

Në Tiranë  po zhvillohet Ministeriali  euro-ballkanik i Ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, në kuadër të Procesit të Berlinit, samiti i radhës i të cilit do të zhvillohet në Tiranë më 16 tetor, ku kryefjalë është tregtia e lirë drejt tregjeve të BE-së. Kryeministri Edi Rama tha se tashmë është koha për të parë projekte konkrete nga BE dhe jo vetëm premtime.

“Është koha për të ecur së bashku përpara dhe për tu siguruar që nga fjalët mjaftë premtuese të nisim të shohim vepra premtuese. Një prej të dhënave më të rëndësishme që dua të ndaj me ju është që 6000 shoqëri tregtare kanë përfituar nga aktiviteti i nxitjes së tregtisë. Nga të gjitha heqja barrierave jo tarifore, nga ngjarjet e përbashkëta të cilat kanë përfshirë shoqëri tregtare sidomos dhe mbështetje për qasjet e BE-së në raport me Tregun. Gjithçka që bëjmë së bashku është të përfitojmë një terren për njerëzit që kanë nevojë të lëvizin më lirisht”, tha Rama.

‘BE ka qenë krah jush kësaj kohe të vështirë. Plani ynë i investimeve prej 30 miliardë eurosh po punon që të përmirësojë ndërlidhjen e rajonit dhe të rrisë tranzicionin e gjelbër. Plani i rritjes synon të rrisë zhvillimin ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor, dhe të nxisë integrimin me fusha të caktuara të tregut evropian, përpara integrimit ’- u shpreh përfaqësuesja e KE-së.

Në forum Ministri i Financave Ervin Mete kërkoi që të përshpejtohet puna për integrimin e bizneseve të Ballkanit Perëndimor në tregun e BE-së.

“Për bizneset tona, integrimi i përshpejtuar do të thotë akses në një treg me më shumë se 450 milionë konsumatorë, ku 85% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor besojnë se produktet, mallrat dhe shërbimet e tyre jo vetëm që mund të mbijetojnë, por edhe të konkurrojnë me atë që 27 vendet e BE-së kanë aktualisht për të ofruar”, tha Mete.

Përfaqësuesi i Gjermanisë për çështjet ekonomike në këtë forum, tha se procesi i Berlinit është i rëndësishëm për lidhjet tregtare në Ballkanin Perëndimor, por thellojë më shumë nevojën për bashkëpunim mes shteteve të këtij rajoni.

Kurse përfaqësuesi i OECD-së vuri theksin tek investimi më shumë i shteteve të Ballkanit Perëndimor në teknologji, në krijimin e produkteve inovative dhe në inteligjencën artificiale.

Ministeriali i ministrave të Ekonomisë së BE dhe Ballkanit Perëndimor është i dyti që zhvillohet në Tiranë pas atij të ministrave të Brendshëm më 14 shtator. Shqipëria do të mikpresë më 16 tetor samitin e Procesit të Berlinit, i pari i zhvilluar ndonjëherë jashtë Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit u ndërmor në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon. Samiti i ardhshëm do të organizohet në Tiranë më 16 tetor 2023.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH