Globi

BE paralajmëron Rusinë për pasoja të mëdha nëse pushton Ukrainën

Shkruar nga Liberale
BE paralajmëron Rusinë për pasoja të mëdha nëse

Përhapja e variantit Omicron dhe tensionet me Rusinë për konfliktin në Ukrainë ishin çështjet kryesore që u diskutuan në samitin e Bashkimit Evropian.

Liderët e Unionit nuk mbajtën pozicion të përbashkët për kufizimet e udhëtimeve që disa shtete kanë rivendosur për shkak të rritjes së të infektuarve me COVID-19.

Ata këmbëngulën se doza e tretë e vaksinës është arma kryesore për të luftuar përhapjen e virusit.

“Jemi plotësisht të përkushtuar për të përshpejtuar dozat e treta. Ne jemi po ashtu plotësisht të përkushtuar për të forcuar nivelin e koordinimit në lidhje me lëvizshmërinë, udhëtimet brenda BE-së, dhe me vendet e treta. Dhe pika e katërt e rëndësishme në lidhje me COVID-in është solidariteti ndërkombëtar”, tha Charles Michel, President i Këshillit Evropian

Për raportet me Rusinë, BE ra dakord të vendosë sanksione të mëtejshme ekonomike. Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se nëse kufijtë evropianë nuk respektohen, do të ketë pasoja.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen theksoi se çdo gjë varet nga Moska.

“Ne vazhdojmë thirrjen tonë ndaj Rusisë për të ulur tensionet dhe për t’u përmbajtur nga çdo agresion i mëtejshëm. Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie të mira me Rusinë, por kjo varet shumë nga zgjedhjet që bën Moska. Nuk ka aspak dyshime – nëse Rusia do të lëvizte kundër Ukrainës, Bashkimi Evropian do të jetë gati të ndërmarrë sanksione që mund të shkaktojnë kosto të mëdha”, tha Von der Leyen.

Kriza energjetike, apo të tjera çështje të planifikuara nuk tërhoqën mjaftueshëm mbështetje në samit për të arritur në një qëndrim të përbashkët.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH