Editorial

Bashkimi Europian nuk është NATO

Shkruar nga Liberale
Bashkimi Europian nuk është NATO

Ervis Iljazaj

Pas çeljes së negociatave me Bashkimin Europian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duket sikur drita jeshile për zgjerimin e mëtejshëm drejt Ballkanit të Bashkimit Europian u ndez. Më së paku, Europa tregoi që i intereson Ballkani Perëndimor, të paktën gjeopolitikisht.

Megjithatë, për sa i përket zgjerimit, edhe pse këto dy vënde i celen negociatat, duket një cështje ende e largët. E para sepse për Shqipërinë hapja e negociatave ka shume kushte. Dhe e dyta, sepse flitet për një metodologji të re zgjerimi të propozuar nga Franca. Me votimin e 15 kushteve për Shqipërinë nga Parlamenti Europian, rruga e procesit të integrimit  bëhet edhe më e vështirë. Kushte të cilat, ishin një shuplakë e fortë për qeverinë Rama.

Me siguri Kryeminsitri Edi Rama do të bëjë fajtor konktestin e brendshëm politik të disa vëndeve të Bashkimit Europian për dështimin tashmë disavjecar që ka patur Shqipëria për celjen e negociatave. Të njëjtën qasje pati disa ditë më parë, ku u mundua të bindë opinionin publik se me Europën nuk ka datë të sigurtë, pasi ata janë të paparashikueshëm. Madje, ka patur raste që ka akuzuar Europën se  e ka vendim politik stopimin e zgjerimit, dhe ky nuk është faji i Shqipërisë.  Sipas Ramës Shqipëria është gati, Bashkimi Europian nuk është gati të na pranojë,  për shkak të euroskeptikëve që nuk duan zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Edi Rama ka këtë qasje ndaj Bashkimit Europian.  Sa herë që afron dita e vendimarrjes për procesin e integrimit me Shqipërinë, mban po të njëjtin refren. Jo vetëm kaq, por shpesh here ka  ‘’kërcënuar’’ Bashkimin Europian me influencat ruse në Ballkanin Perëndimor, apo fuqive të tjera nëse vonohet celja e negociatave.

Kjo është një qasje totalisht e gabuar e një kryeministri ndaj Bashkimit Europian që nuk të con asgjekundi me prespektivën europiane.  Kryeministri shqiptar ka për detyrë të plotësojë kushtet që i vendosen nga BE , e jo të analizojë apo të kritikojë BE-në dhe politikën e saj të brendshme euroskeptike.

Me sa duket, kryeminsitri shqiptar e kujton Bashkim Europian si një organizatë gjeopolitike ku edhe nëse nuk e meriton të jesh pjesë e saj mund të bëhesh për interesa gjeostrategjike. Bashkimi Europian nuk është si NATO, ku Shqipëria u bë pjesë e saj edhe pse nuk e meritonte. Bashkimi Europian është një qeverisje e përbashkët, me parime dhe rregulla të përbashkëta. Nëse nuk plotëson standartet e kërkuara, nuk bëhesh  asnjëherë pjesë e tij.

Sigurisht që  Edi Rama ka një të drejtë kur thotë se ky nuk është moment më i mirë për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Europian, por ky nuk është justifikim për dështimet e brendshme të Shqipërisë. Nëse ne do të kishim bërë detyrat e Shtëpisë, patjetër që do të na jepnin dritën jeshile.

E kundërta është ë vertetë, që Bashkimi Europian edhe pse ekziston një klimë skeptike ndaj zgjerimit , edhe pse Shqipëria nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë sic duhet, nuk i ka ndëprerë asnjëherë perspektivën europiane shqiptarëve, dhe gjithmonë është munduar ta mbajë derën e saj hapur për vëndin tonë.

Por edhe skepticizmi që ekziston sot në Europë për sa i përket zgjerimit të mëtejshëm, vjen  pikërisht si pasojë e vëndeve si Shqipëria që aspirojnë të bëhën pjesë e saj. Vende të cilat nuk kanë standarte ekonomike, shoqërore dhe ligjore për të qenë anëtare të denjë të Bashkimit Europian.

Prandaj, ajo që pritet nga Kryeminsitri i Shqipërisë, është puna dhe përgjegjshmëria që duhet të marrë përsipër për të ndërtuar një vënd me standarte, i cili mertion anëtarësimin në Bashkimin Europian,  dhe jo të bëj kritika apo analiza gjeopolitike apo politike të Bashkimit Europian. E para sepse nuk e ka fuqinë për ta bërë një gjë të tillë, dhe e dyta sepse ne nuk jemi në gjendje ti japim mësim politikës Europiane./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH