Aktualitet

Bashkimi Europian: Masat ndaj Kosovës mund të rëndohen, nëse situata nuk ç’tensionohet!

Shkruar nga Liberale
Bashkimi Europian: Masat ndaj Kosovës mund të rëndohen, nëse

Dështimi i tryezës së dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, mund të shoqërohet me masa të reja ndëshkimore si ndaj Prishtinës, ashtu edhe ndaj Beogradit.

Kjo u paralajmërua nga zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano.

“Nëse ndonjë anëtar i BE-së nuk sheh hapa për çtensionim, mund të futen masa shtesë për Kosovën, por edhe për palën tjetër. Ky është një proces që anëtarët po e ndjekin, nuk janë të kënaqur me zhvillimin e ngjarjeve. Ata kishin pritshmëri të ndryshme dhe nëse situata vazhdon të zhvillohet kështu, do të sjellë përgjigje më specifike”.

Sipas tij, i dërguari special për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka nisur t’i informojë shtetet anëtare për takimin e 14 Shtatorit, dhe pas analizës, shtetet anëtare do të vendosin se çfarë do të ndodhë më pas.

Të zhgënjyer nga mungesa e përparimit të dialogut janë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm”.

Për takimin e së enjtes në Bruksel, shefi i diplomacisë europiane, Jozef Borell fajësoi Kryeministrin Albin Kurti, që sipas tij nuk e pranoi një propozim të tij për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e arritur ne Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve.

BE-ja vendosi fillimisht masa ndaj Kosovës gjatë Korrikut për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria për uljen e tensioneve në veri.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH