Krye

Bashkim Shehu sjell në UET “Liri Belishova dhe koha e saj”

               Publikuar në : 09:57 - 03/04/21 liberale

Dritëhijet e një sistemi, analizuar përmes fakteve dhe rrëfimeve të protagonistes dhe viktimës së tij, e vetmja që e ‘shpëtoi’ veten përmes katarsisit

Luiza Pinderi

Department’s Book Review, cikli i bisedimeve që zhvillohet prej muajsh në Universitetin Europian të Tiranës, solli këtë të premte shkrimtarin dhe publicistin Bashkim Shehu me librin e tij të fundit “Liri Belishova dhe koha e saj”. Ky botim i UET Press, i cili i shtohet kolanës së spikatur të kësaj shtëpie botuese, vjen me parathënien e profesoreshës dhe përkthyeses Diana Kastrati.

Nën organizmin e Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, nën moderimin e Dr. së Shkencave të Komunikimit, Irena Myzeqari, u zhvillua një bashkëbisedim me autorin dhe Prof. Kastratin, të cilët ndanë me pedagogët dhe studentët e UET-së, dimensionet e figurës gati të papërkufizueshme të Liri Belishovës, njërës prej eksponentëve më të lartë të fillim- komunizmit, që më pas u bë viktimë e tij për të disatën herë radhazi, për të arritur pastaj në një lloj katarsisi mbi ideologjinë e atij sistemi, tregues i personalitetit të pangjashëm që ajo mbartte.

Të pranishmit ranë dakord për dy tregues të rëndësishëm të veprës, për risinë që sjell autori në analizën e asaj periudhe, përmes figurës së Liri Belishovës, si dhe për mënyrën e të shkruarit, një zhanër i pa trajtuar në letërsinë shqipe. “Nëse do ta përcaktonim, do ta cilësoja një miks, pra, memoristikë, analizë, përsiatje, eseistikë dhe njëkohësisht një analizë që kapërcen nivelet individuale të vet autorit”, u shpreh Kastrati.

“Mund të them, se pasi mbarova librin, e kuptova se ishte një përzierje zhanresh, nuk është as biografi, as thjesht ese, por mund të themi se është diçka e ndërmjetme, një ndërthurje e këtyre dy zhanreve”, tregoi Shehu në një lidhje online nga Spanja.

Ashtu siç edhe autori e prek në hyrje të librit, për figurën e Liri Belishovës është folur në media, nëpërmjet dokumenteve arkivore, por edhe nëpërmjet zërit të saj, e cila pati fatin të jetonte pas rrëzimit të sistemit dhe të tregonte jetën e saj dhe regjimin, nëpërmjet idealit që e ngriti në lartësitë e pushtetit, për ta rrëzuar në humnera shumë më të rrezikshme dhe të pamëshirshme. Pra, në këtë drejtim, autori tha se nuk kishte asnjë gjë të re për ta trajtuar, por filli që ai kap, analiza dhe përfundimi që tenton të shkojë nëpërmjet figurës së Belishovës, është një risi i këtij botimi.

Të shkruaje një biografi për Liri Belishovën kur mediat kanë folur, ajo vetë ka folur, nuk mendoj se do të kishte një interes në këtë drejtim. Unë kam kapur disa elementë më thelbësore dhe më domethënëse në jetën e saj, për të dhënë kohën në të cilën ajo ka jetuar. Në përshkrimin e kësaj kohe, dy gjëra kanë qenë të rëndësishme për mua në këtë linjë: Ideja e totalitarizmit, se çfarë është ai dhe tjetra Jugosllavia, d.m.th. raporti i shtetit shqiptar më Jugosllavinë.

Lidhur me totalitarizmin, si një nga boshtet e këtij libri, nuk pretendoj se sjell ndonjë gjë të re në konceptin e këtij sistemi, ka shumë mendimtarë që e kanë trajtuar. Jam përpjekur ta përdor mënyrën sesi e kanë konceptuar studiuesit këtë ide, për të analizuar jetën e Liri Belishovës”, u shpreh Shehu.

Përqendruar tek kjo ide, autori e nis librin me shprehjen e Milan Kunderës, shkrimtarit të njohur Çek, vendit që ka përjetuar të njëjtin regjim si Shqipëria, teksa përkufizon totalitarizmin, sistemin që i bën mendjet njerëzore inteligjente, të vrasin dhe vriten nga një ideal.

“Totalitarizmi nuk është vetëm ferri, po është edhe ëndrra e parajsës: ëndrra e stërlashtë e një bote ku të gjithë jetojmë në harmoni, të bashkuar në një vullnet të vetëm dhe në një fe të vetme…”. Pjesë e kësaj ëndrre, e kësaj feje do të binin shumë individë, disa prej të cilëve nuk u zgjuan kurrë, e disa të tjerë pjesërisht dhe ndoshta e vetmja që u zgjua plotësisht nga zhgënjimi i dhimbshëm tragjik, ishte Liri Belishova. Jetën e saj autori e ndan në dy periudha, në periudhën kur ka qenë komuniste dhe periudha kur ka filluar të zhgënjehej nga ajo ideologji.

“Ndryshimin e saj është vështirë ta identifikosh, por mendoj se ka ndodhur në vitet 1980. Atëherë mendoj se ajo u zhgënjye plotësisht dhe u shkëput totalisht nga idologjia komuniste. Kur e kam takuar unë ishte krejtësisht e kthjellët, nuk i kishte mbetur asnjë gjë nga ajo ideologji. Mendoj se kishte diçka të përbashkët nga idealet e jetës së saj, por të zhveshura nga ideologjia komuniste, nga formulimi, struktura e sistemit. Ajo pësoi një rënie të tmerrshme në 1957, pastaj u kthye prapë në pushtet dhe aty duhet të ketë qenë në një luftë me veten dhe këtë jam përpjekur të analizoj. Megjithatë ajo e ka parë të padrejtë përjashtimin e saj në 1960-ën, në rënien e dytë që pësoi, prapë kishte besim në idealin komunist, të identifikuar me sistemin komunist. Me kohë u zhgënjye plotësisht nga komunizmi në tërësi”, tregoi Shehu.

Drejtuesi i Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, Ermir Nika u ndal tek analiza e figurës së Liri Belishovës, duke veçuar portretizimin që ajo i ka bërë vetes fisnikërisht dhe ashtu si askush më parë se ka bërë.

“Unë mendoj se pika e saj më e fortë ishte në mënyrën sesi e ka analizuar vetveten. Nuk kam parë protagniste të asaj periudhe, që t’i bëjë një analizë vetes siç i ka bërë ajo. Na ka çkontraktuar, le të themi, mendimin dhe na e ka sjellë situatën më qartë, më hapur, me ngjyrat e kohës dhe duke mos e paragjykuar. Unë mendoj që autori ka pasur mundësi ta njohë më afër këtë figurë dhe nuk i është avitur me fobi kësaj figure, sepse ajo ka lënë dëshmitë më të sakta. Ka lënë ato ungjijtë e saj, për një periudhë, ku sot duken më mirë ato pasojat dhe mënyrën sesi është ndërtuar tranzicioni. Populli shqiptar doli nga një traumë, edhe ata që përjetuan burgun apo  persekucionin, ishin me ndërgjegje të trazuar. Liri Belishova doli përtej këtyre situatave të vështira dhe zbardhi një rrugë e cila na çon te e vërteta”, tha shkrimtari dhe studiuesi.

Ndërsa drejtuesja e Shtëpisë Botuese UET Press, Suela Mino ceku vlerat që mbart ky botim në vetvete, teksa çmoi sofistikimin dhe mjeshtërinë e autorit, gjuhën e pasur dhe “emancipimin për të qenë përshkrues pa u përfshirë, për të sjellë një frame, një ndalesë, një skicë të një kohe, pa u përfshirë, posaçërisht në kushtet specifike të autorit, i cili ka qenë dëshmitar dhe përjetues i asaj kronike”.

Duke u ndalur tek aspekti tjetër, ai i komunikimit të librit me lexuesin, Mino theksoi se ky botim do të jetë me shumë vlerë, ndër të tjera, sidomos për lexuesin e ri, që nuk ka jetuar kohën për të cilën flitet në libër.

“Nëse e konsiderojmë se kemi përpara një lexues të ri, i cili nuk e ka jetuar komunizmin, nuk e njeh dhe ndalet të lexojë profilin e një heroine të asaj kohe, jashtë mistikës të këtij termi, heroinë sepse është një përmasë intelektuale e paneglizhueshme dhe kupton që njerëzit nuk janë imunë, përtej inteligjencës, përtej formimit, ne nuk jemi imunë. Kemi nevojë të shihemi në një kaleidoskop historik edhe referencial, për të qenë të zgjuar dhe për të qenë të kujdesshëm për të përcjellë së pari veten dhe pastaj kontekstin social ku ne jetojmë. Desha të ndalesha në këtë qasje, sepse besoj se studentit, lexuesit të ri, i vjen një kontribut që nuk gjendet lehtë në shkrimtari, sidomos në shkrijimtarinë e këtij lloji, të këtij profili që s’po i vëmë emër dhe që është e bukura e këtij libri’, u shpreh Mino.

Kastrati: Bashkim Shehu sjell një qartësi në gjuhën shqipe që gati prek përsosmërinë

Gjatë bashkëbisedimit në Department’s Book Review, Prof. Diana Kastrati u shpreh e vlerësuar që u përzgjodh nga autori për të bërë parathënien e librit “Liri Belishova dhe koha e saj”. Teksa falenderoi për këtë besim, Kastrati e cilësoi këtë ‘detyrë’ një kënaqësi cerebrale, intelektuale, po aq edhe gjuhësore. Më poshtë po sjellim të përmbledhur fjalën e saj, arsyet personale që e shtynë në bërjen e kësaj parathënie, risitë që sjell autori në këtë vepër, si dhe zbërthimin që i bën figurës së Liri Belishovës dhe regjimit në të cilin jetoi.

Kam qenë me fat që z. Bashkim, në një ditë të shkurtit të kaluar të 2020-ës, më afrohet dhe më thotë që t’i bëja parathënien e librit. Ishte një pranim pa rrugëzgjidhje nga ana ime për dy arsye, të cilat i kam cekur edhe në parathënie, por që po i them edhe këtu, më hapur e në mënyrë informale.

E para, sepse vinte nga një autor si z. Bashkim, i cili në gjithë këto vite, tashmë dekada, ka dhënë më të mirën ndoshta të letrave shqipe, të periudhës në të cilën po jetojmë. Kjo jo vetëm në nivel të krijimit, pra shkrimtar, në një formë që unë e kam quajtur shumë moderniste, gati-gati post-moderniste në trajtimet e tij, pra për të gjithë stimën që kam personalisht, por edhe që lexuesi e ka shprehur, si eseist dhe mbi të gjitha për këtë formë të re që na ka servirur në këtë moment.

Së dyti, është një faktor tjetër përsëri personal. Unë e kam njohur nga afër znj. Liri Belishova. Momenti i parë ka qenë viti 2002, kur ka ardhur të më takonte kur unë asokohe punoja në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për të më njohur dhe për të më dhënë besimin, që t’i përktheja në gjuhën italiane ditarin e së bijës. Nuk e di arsyet pse ky përkthim nuk u bë, për të cilin unë isha pro. Kam njohur një grua e cila përmbledh në vetvete, në mënyrën më të mirë të mundshme, inteligjencë, saktësi, memorie të jashtëzakonshme dhe një optimizëm që më ka çuditur. Bëhet fjalë pikërisht para 21 vitesh, e megjithatë unë e kam në kokë atë takim, i cili është pasuar me takime të tjera të organizuar dhe rastësorë.

Gjatë leximit të librit, e kuptova që kemi të bëjmë me një zhanër pothuajse i patrajtuar në skemën tonë të botimeve dhe të krijimeve, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me krijim. Nëse do ta përcaktonim, është një miks, milonxh, pra, memoristikë, analizë, përsiatje, eseistikë dhe njëkohësisht një analizë që kapërcen nivelet individuale të vet autorit. Kemi një sfond analize sa gjeopolitike, ideologjike, kulturore, sociale, të të gjitha vendeve që përbënin ish- bllokun komunist, duke mbajtur në fokus, brenda këtyre analizave, një dëshmitare që ishte bij e asaj ideologjie, kultivuese dhe e bindur në këtë kultivim dhe në këtë shërbim që i bëri ideologjisë komuniste dhe sistemit që u vendos në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë, viktimë. Kemi të bëjmë me një figurë frojdiane, brenda këtij konteksti, gjeopolitik ndërkombëtare dhe pastaj shqiptar. Analiza që i bëhet figurës, ecurisë, rrugëtimit të Liri Belishovës është një shembull i konferm, e cila vjen dhe konvergon me këtë analizë të patëmetë të bërë nga autori. Një risi që vjen në formën më të mirë të mundshme, janë të gjitha citimet, që vijnë sa nga autorë, filozofë, studiues, të asaj periudhe dhe ideologjisë komuniste, me emra të shënuar dhe që kanë bërë epokë, e në raste më të pakta kemi edhe një intertekstualitet që anon nga profili tjetër i autorit, që është ai i letërsisë, duke prekur Dostojevskin, Ismail Kadarenë, etj. Të gjitha këto ngërthehen në një mozaik që rrjedh natyrshëm.

Nuk kemi të bëjmë thjesht me një memoristikë, përndryshe nuk do të bënte një risi. Memoristika është një nga gjinitë më të lëvruara gjatë gjithë historisë së njerëzimit, aq më tepër memoristika në vendet që kanë kaluar një diktaturë, edhe ky është një terren i rrahur, është gjithmonë me shumë vlerë, por nuk përbën risi. Memoristika futet në kornizën e një analize subjektive, sido që të jetë. Në këtë rast, kemi sjelljen dokumentative, nga vetë arkivat, nga mbledhjet e Pleniumit, duke konfirmuar, dëshmuar dhe vërtetuar, në të njëjtën kohë, ecurinë, ngritjen, futjen në rrugën e këtij sistemi të Liri Belishovës, ngritjen e saj në zenit, rënien e saj, jo një herë, por disa herë dhe së fundi vdekjen e saj metaforike në të gjallë, e të familjes së saj. Ky është një element që i bashkëngjitet vlerës së veprës, duke u paraqitur si një mozaik i shumë elementëve, të marrë në dozën e duhur brenda një libri, një shtrirje faqesh që pranohet lehtësisht, jo vetëm nga një lexues i kultivuar por edhe nga një lexues mesatar, i cili do të shkonte me mirëdashje drejt leximit të librit. Të gjitha këto e bëjnë librin një prurje jo vetëm me shumë vlerë, por edhe në aspektin e ligjërimit. Duke pasur parasysh skenën e krijimtarisë së sotme, jo thjesht artistike, por në përgjithësi, të lëvrimit të gjuhës shqipe, ndeshemi me një lartësi, të një gjuhe shqipe që gati-gati prek përsosmërinë, pavarësisht se autori nuk jeton në Shqipëri, dhe secili prej nesh që është brenda një konteksti ku nuk flitet ajo gjuhë, natyrisht ka ndikimit e veta. Nuk vërej asnjë ndikim nga gjuha e vendit në të cilin ai jeton apo eventualisht edhe të gjuhëve të tjera që ai njeh.

Autori është njëkohësisht edhe dëshmitar i periudhës, i personazhit të cilin merr në analizë, në një farë mënyre është një produkt, ku i ati ka qenë një nga emblemat të sistemit komunist, në ecurinë e zhvillimit të karrierës së tij, por po aq edhe në ikjen e tij nga jeta. Ishte i destinuar që të hynte dhe të bëhej emblemë, për të gjithë misterin që e mbështolli, që e mbështjell akoma, për të gjithë kompleksitetin e figurës së të atit, dhe këtu z. Bashkim ka një distancim jo objektiv, është njëlloj si ta shkruante dikush që Mehmet Shehun nuk e ka pasur asgjë. Dhe kjo i bën nder autorit.

Sa herë që flitet për figura të tilla, të përmasave të Liri Belishovës, që nuk kemi të bëjmë vetëm me një person që vepron thjesht për hir të një besnikërie, apo ideologjie dhe që i bashkëngjitet kësaj ideologjie, por kemi të bëjmë me një personalitet kompleks, të mirë arsimuar, që e di shumë mirë se çfarë është duke bërë, pra kemi një ndërgjegje sa personale, politike, shoqërore, natyrisht, brenda kornizave që të dikton ai komunist. Citati i Milan Kunderës, i vënë që në fillim të veprës, përligj dëshmitë e saj verbale që i janë dhënë autorit, ku në një moment të caktuar thotë: “Komunizmi ishte një drogë, ishim si të droguar”. Ideologjia e futur në këto përmasa, drogim psikologjik, ka zgjatur përgjatë gjithë ekzistencës së saj, pothuajse, deri aty nga fundi i jetës, ku droga e ëndrrës për të jetuar në barazi, harmoni, për të besuar të njëjtën fe, kishte bërë një rrugëtim aq të gjatë në jetën e protagonistes, sa ajo nuk arrin të ndajë, që jo vetëm ideologjia ishte një e keqe e madhe, por ishte mbi të gjitha aplikimi që iu bë nga njerëzit e sistemit. Duket e pangjashme, që një njeri me një mençuri të tillë, siç ishte Liri Belishova, por besoj se historia e njerëzimit ka njohur shumë dhe shumë raste të tjera, të përqafonte një ideologji të tillë dhe një aplikim të tillë, të mbetej në idealizimin e drogës së parë që kishte marrë. Është e pangjashme, që një inteligjence të tillë t’i mbivendoset një drogim i tillë ideologjik dhe që i kushtoi natyrisht jetën e saj.

Në fund të parathënies së librit, më vinin ndërmend Giorgio Gaber, satiristi i njohur italian, i cili me anë të një monologu të vënë në muzikë, ka të famshmet vargje “Dikush ishte komunist”. Dhe ai rendit në këtë monolog të gjitha shkaqet nga më banalet, nga më të pamendueshmet, pse u përqafua kjo ideologji. Nga të gjitha këto, unë kam zgjedhur këtë, që Liri Belishova nuk ishte njeri që besonte në një fe të caktuar, e megjithatë ajo e bëri fe, e bëri dogmë ideologjinë komuniste. Gaber thotë se “dikush ishte komunist sepse ishte aq ateist saqë kishte nevojë për një zot tjetër”. /Gazeta Liberale

Tags: , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back