Aktualitet

Basha takim me të rinjtë në Tiranë: Me sistemin pas 2008-ës politikbërja ka degjeneruar. Çfarë ndryshon me listat e hapura?

Shkruar nga Liberale
Basha takim me të rinjtë në Tiranë: Me sistemin pas

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me të rinjtë dhe të rejat e degës 14 në Tiranë, ku ka folur për rëndësinë e listave të hapura.

Sipas Bashës, deputeti është lidhja mes votuesve dhe parlamentit, dhe me këtë sistem, ka degjeneruar politikëbërja sepse përfaqësuesit e qytetarëve kanë dështuar të kuptojnë problemet e tyre.

Me sistemin politik që kemi ne, prej vitit 2008 dhe deri më tani e ka këputur lidhjen mes deputetëve të zonës dhe zgjedhësve. Mjafton që deputeti të jetë në një vend të sigurt në listë dhe zgjidhet. A i shërben kjo qytetarëve dhe rinisë? Për mendimin tim jo vetëm që nuk i shërben, por kjo është një nga arsyet kryesore pse ka degjeneruar politikëbërja, pse politika i ka hequr sytë nga njerëzit, pse qeverisja i ka hequr sytë nga hallet dhe problemet e shqiptarëve, pse ajo ka dështuar të zgjidhë hallet dhe problemet tuaja. Sepse në radhë të parë dështon të njoh dhe kuptojë problemet tuaja.

Pse e them këtë? Deputeti është lidhja kryesore mes qytetarit dhe vendimmarrjes. Deputeti është në parlament, parlamenti duhet ta mbajë qeverinë përgjegjëse, duhet të bëjë interpelanca, të kërkojë mocione, informacione, duhet të ngrejë zërin. Opozita po, por edhe parlamenti. Parlamenti është përfaqësuesit e popullit në 4 vite. Duke qenë se popullin nuk e mbledhim dot në një sallë të madhe për të votuar për ligje, delegojmë ata 140 deputetë për të marrë vendime për ju.

Por a na përfaqësojnë ata ne edhe ju? Jo. Kjo nuk ka nevojë për retorikë të madhe politike.

Sa herë ka ardhur deputeti juaj i zonës për t’ju takuar? Veçanërisht këta që po ju qeverisin. A ka ardhur njeri pasi ka marrë votën t’ju pyesë për problematikat tuaja? Jo. Pse? Sepse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ju. Lidhja me ju është njëherë në 4 vjet që të marrë mjaftueshëm vota partia dhe të rrinë në krye të listës ata që caktohen në krye të listës nga kryetarët.

A mund ta ndryshojmë këtë? A keni shpresë se mund të ndryshohet?”- pyet Basha të rinjtë ndërsa njëri prej tyre i përgjigjet se ka shpresë vetëm përmes listave të hapura.

Më tej, Basha bashkëbisedoi me të rinjtë për kuptimin e listave të hapura dhe rëndësinë që ato kanë për demokracinë. Nëse njerëzit duan demokraci si ato në Perëndim, listat e hapura janë zgjidhja, thotë Basha.

“Këtë parlament jo se e votuat ju, por e vuri partia në lista të parët. Pra, çfarë ndryshon me listat e hapura? Kush votohet më shumë, hynë në parlament. Dhe si e përmirëson kjo demokracinë, cilësinë e parlamentit dhe të qeverisjes? Deputeti nuk e ka më vendin e sigurt në listë, kështu që duhet të shkojë derë më derë për të kërkuar votën. Është e lehtë të qëndrosh pas derës së kryetarit për t’u bërë deputet, por e drejtë është të shkosh tek qytetarët dhe të kërkosh votën e tyre. Dhe për të arritur këtë duhet të jesh njeri i besueshëm me integritet dhe e dyta të kesh një projekt, një vizion, një qëndrim që i bën njerëzit të votojnë për ty.

Por nuk mbaron me kaq. Pasi ke mbërritur në parlament, nëse kërkon të kesh karrierë politike duhet të shkosh rregullisht tek ata njerëz që të kanë votuar dhe s’të kanë votuar dhe të japësh llogari. Çfarë bëre në parlament? E ngrite çështjen e zonës që të ka votuar? Kështu funksionon demokracia. Nëse do demokraci si ato në Perëndim, kjo është rruga. Pyetja esenciale është: Cfarë keni bërë për qytetarët”- tha Basha.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH