Aktualitet

Basha: Preferencë për sistemin mazhoritar, i gatshëm për zgjedhje

Shkruar nga Liberale
Basha: Preferencë për sistemin mazhoritar, i gatshëm për

Lulzim Basha ka deklaruar se është i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe se është i gatshëm të përballet me Edi Ramën në zgjedhje.

Në një intervistë për News 24, kreu i demokratëve foli mbi krizën politike dhe reformën  zgjedhore, që është një nga 9 kushtet që Bundestagu ka kërkuar të plotësohet sa më shpejtë. Ai tha se në mbledhjen e sotme të ekspertëve të opozitës është vendosur theksi në dy pika kryesore, ligji për partitë politike dhe ndarja e politikës nga krimi. Nëse këto dy pika garantohen sipas Bashës atëherë duhet parë hapi tjetër për mundësimin e votimit dhe numërimit elektronik.

Megjithatë kreu i Partisë Demokratike shtoi gjithashtu se është i hapur ndaj ndryshimit të sistemit, kërkesë kjo kryesisht e partive aleate dhe e opozitës parlamentare.

“Absolutisht, jam i hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Personalisht e kam shprehur preferencën time për sistemin mazhoritar dhe lidhjen e drejtpërdrejt të deputetit me zgjedhësit dhe kjo i jep shumë mundësi zgjedhësit dhe deputetit, që të përfaqësojnë interesin publik drejtpërdrejt në Parlament” tha Basha.

I gjithë ky propozim i Bashës merr akoma më shumë vlerë për faktin se ai pranoi se është I gatshëm të përballet në zgjedhje me kryeministrin Rama. Sa përket dialogut dhe nëse është i gatshëm të hyjë në zgjedhje me Ramën kryeministër ose jo, Basha tha se është abuzuar me vullnetin e opozitës në dialogjet e mëparshme dhe nënvizoi se problemi nuk qëndron te njeriu por tek cilësia dhe mënyra se si do të zhvillohen zgjedhjet.

“Nuk kemi ne asnjë problem, as si opozitë, as si Parti Demokratike dhe as unë personalisht, sepse Edi Ramën e kam mundur edhe tek e tek dhe e kemi bërë atë betejë. E kam mundur dhe e mund çdo ditë. Nuk është problemi te njeriu, problemi është: do të ketë një palë zgjedhje të tjera si 2016-ta, 2017-ta, ku në vend që të votojnë qytetarët, në vend që të diktojë sovrani me votë, të diktojë krimi?! Oligarkët?! Avdylat?!” tha Basha.

Kreu i opozitës komentoi gjithashtu deputetët e opozitës së re në parlament. Ai tha se përtej çdo justifikimi, kjo është një gjë që nuk duhet përsëritur më kurrë dhe për këtë duhet reflektuar duke marrë përgjegjësitë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH