Politikë

“Basha nuk e rikthen dot PD në pushtet”. Po Berisha?!

Shkruar nga Liberale
“Basha nuk e rikthen dot PD në pushtet”. Po Berisha?!

Alfred Peza

Një nga tezat kryesore me të cilën po operon propaganda e Sali Berishës, duke dashur që ai të rikthehet sërisht pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar, është ajo se PD nuk vjen dot në pushtet me Lulzim Bashën në krye. Sipas tyre Lulzim Basha është një lider i dobët, i kapur, i shitur, i marë peng nga Edi Rama dhe një humbës serial, që nuk e garanton dot fitoren e opozitës.

Kjo tezë po mbahet më gjatë se të tjerat në lojë, për arsye se është vetë historia e Lulzim Bashës si Kryetari formal i PD me 4 humbje radhazi në zgjedhje (2015, 2017, 2019 dhe 2021), që e favorizon atë. Duke qenë se nuk ka fituar për 8 vjet me radhë, asnjë betejë elektorale ndaj Edi Ramës, kundërshtarët e tij e kanë më kollaj që ta godasin në këtë pikë. Bilanci flet kundër Lulzim Bashës dhe për aq kohë sa nuk mund të tjetërsohen, ata do vazhdojnë që ta mbajnë si refren këtë tezë.

Por sado e fortë që të duket kjo goditje, ajo përsëritet e përsëritet nga propaganda e Sali Berishës, jo se është e vërtetë por sepse nuk ngjit. Pasi ka brenda saj, një pikë edhe më të dobët, se ajo e Lulzim Bashës vetë. Le ta zemë për një moment, se Sali Berisha do ta fitojë turin e takimeve në bazë. Se do ia pushtojë zemrat demokratëve dhe strukturave të PD, e do ta gjejë një mënyrë për tu rikthyer jo vetëm në Grupin Parlamentar, por edhe në krye të partisë duke larguar Luzim Bashën.

Pyetja që ata nuk e kanë bërë kurrë, e për rrjedhojë i druhen “si djalli temjanit”, është: Me Lulzim Bashën jo e jo, po me Sali Berishën në krye, a rikthehet dot PD dhe opozita në pushtet? A e mund dot Sali Berisha, Edi Ramën dhe mazhorancën socialiste, në zgjedhjet e radhës të 2025? Në këtë rast nuk ka rëndësi se ai do të jetë 81 vjeç, as nëse SHBA do e heqë apo jo deri atëherë, nga lista e zeza. Jo.

Sa më e thjeshtë që të jetë e vërteta, aq më shumë komplikohet rruga, për të arritur lehtësisht atje. E vërteta është se Sali Berisha ka patur dy kulme elektoriale në jetën e tij 30 vjeçare politike: Udhëhoqi PD dhe opozitën shqiptare, në fitoren e forcave të reja politike, në zgjedhjet e 22 marsit 1992. Pas 50 vjetësh, komunistët u larguan nga pushteti dhe ai vetë u bë, Presidenti i parë i pluralizmit në Shqipëri.

Kulmi i dytë, është tejet negativ për të, ose e thënë ndryshe ajo është e kundërta e të parës. Sali Berisha u mund me votë, si askush tjetër nga Edi Rama dhe koalicioni i majtë, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Ajo ka qenë humbja më thellë me votë, më e madhe nga çdo pikëpamje e më turpëruesja, në historinë e karrierës së tij të gjatë politike. Aq sa iu desh një javë që ta pranonte atë publikisht dhe të deklaronte se për shkak të saj, do të largohej nga jeta aktive politike e vendit.

Duke mos u larguar për asnjë moment nga skena, pavarësisht se propoganda e cilësonte si pensionist politik, shqiptarët e kanë patur më të qartë se kujt do ia jepnin votën. Për aq kohë sa Sali Berisha ishte Kryetari “de facto” i PD dhe lideri “de facto” i opozitës, Edi Rama e PS e kishin të garantuar fitoren. Fitorja e tretë radhazi në zgjedhjet e 25 prillit, si kurrë më parë në historinë e postkomunizit, e vërtetoi përfundimisht këtë tezë. E vërteta e thjeshtë është se: Për aq kohë sa Sali Berisha është brenda saj, PD nuk rikthehet dot më kurrë në pushtet.

Ka patur një arsye fare të thjeshtë për këtë. As PD, as opozita, as e djathta shqiptare, nuk mund tia shisnin dot qytetarëve për Lulzim Bashë, Sali Berishën. Nuk mund tia shisnit dot të shkuarën, për të ardhme. Nuk mund tia shisnin dot të vjetrën, për të re. Nuk mund tia shisnin dot kopjen, për origjinal. Nuk mund tia shisnin dot dordolecin, për të zotin e arës. Nuk mund tia shisnin dot administratorin e deleguar të SHQUP, si pronarin e saj. Nuk mund tia shisnin dot ish Kryeministrin, si Kryeministrin e ri të së ardhmes.

Tani karriera politike e Sali Berishës, është çështje e historianëve dhe jo e zgjedhësve shqiptarë. Ndaj propaganda e tij e ka të kotë, pasi nuk mund ta bëjnë dot të ardhme, të shkuarën. E vetmja gjë që mund të bëjë Sali Berisha tani, është që të largohet nga skena në mënyrë që ti japi mundësinë për herë të parë Lulzim Bashës, të provohet realisht në politikë. Edhe si Kryetar “de facto” i PD, edhe si lider i opozitës, ehe si udhëheqës i vërtetë i së djathtës shqiptare.

Le ta shohim fillimisht, nëse Luli ecën dot vetë. Nëse e bën, apo nuk e bën dot. A ia del që ta krijojë dot profilin dhe lidershipin e tij, apo jo. Vetëm pas kësaj mund ti japim përgjigjen e saktë pyetjes: A e rikthen dot Lulzim Basha, PD në pushtet? Deri më sot, ai e ka mbajtur kokën, mbi qafën dhe supet e Sali Berishës. Tani që do qëndrojë mbi këmbët e veta, le të shohim sa këllqe ka që të fitojë në 4 vitet e ardhshme vetë, përballë Edi Ramës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH