Aktualitet

Basha nga Vlora: Ju ftoj të më bashkoheni për të vijuar betejën

Shkruar nga Liberale
Basha nga Vlora: Ju ftoj të më bashkoheni për të vijuar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal për një takim sot me demokratët e Vlorës. Kryeopozitari tha se kushdo që mendon se demokratët kanë ndërmend që të dorëzohen dhe të pranojnë masakrën elektorale, sipas tij e kanë gabim.

Basha shtoi më tej se pavarësisht mosmarrëveshjeve apo pakënaqësive që mund të ekzistojnë, demokratët duhet të jenë të vetëdijshëm për diçka, barrën e përgjegjësisë që ende rëndon mbi supet e tyre.

Kushdo që mendon se me kaq mbaroi, e ka shumë gabim. Kushdo që mendon se demokratët, anembanë Shqipërisë, kanë ndërmend të dorëzohen dhe të pranojnë këtë masakër, e ka shumë gabim dhe nuk ka vend më të mirë për ta thënë këtu, se në mesin e demokratëve të Vlorës, që nuk janë dorëzuar kurrë, as në ditët më të errëta të Vlorës e të këtij vendi. Pavarësisht prej mosmarrëveshjeve apo pakënaqësive që mund të ekzistojnë, duhet të jeni të vetëdijshëm për diçka, barrën e përgjegjësisë që ende rëndon mbi supet tona, të misionit historik të papërmbushur të 25 prillit, para shqiptarëve, para Shqipërisë, për të cilën e bëmë betejën, të cilën e besuam dhe prandaj na ndoqën. Kush prej jush ofroi para për votën apo i shantazhoi votuesit apo ndau fonde, apo shpërdoroi detyra shtetërore? S’kishim se si sepse ne ishim një me ta. Ndaj, e vetmja arsye që na ndoqën, ishte sepse besuan se beteja bëhej për ta dhe për ta u bë dhe për ta do ta vazhdojmë betejën deri në fund.

Është një betejë për ndryshim, së pari, sepse ne kemi qëndruar gjithmonë besnikë ndaj vlerave me të cilat kemi lindur, vlerave të lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut, të ekonomisë së tregut, të barazisë para ligjit, vlerave me të cilat kjo parti politike, kjo familje politike mori formë dhe i mbijetoi edhe kohëve më të vështirë. Ndaj, me përgjegjësinë që na kanë ngarkuar shqiptarët, me përgjegjësinë e ndalur në mes me 25 prill i cili nuk i dha zgjidhje asnjë prej pyetjeve të cilat u shtruan për zgjidhje, por i bëri edhe më të mëdha pyetjet për gjithçka, për ekonominë, për sigurinë, për integrimin. Me këtë barrë përgjegjësie vij sot para jush me një kërkesë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë: për t’ju ftuar ta vazhdojmë së bashku dhe ta çojmë deri në fund betejën për Shqipërinë dhe shqiptarët, betejën për ndryshimin. Duke ia shkurtuar ditët regjimit Rama-Doshi të dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit dhe duke bërë të mundur që Shqipëria të çlirohet nga ky makth dhe duke u çliruar nga ky makth të mund të zgjedhë rrugën e ndryshimit, rrugën që ne ofrojmë dhe garantojmë”, tha Basha.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH