Aktualitet

Basha në Bulqizë: Brenda 6 muajsh miratojmë statusin e minatorit

Shkruar nga Liberale
Basha në Bulqizë: Brenda 6 muajsh miratojmë statusin e minatorit

Pas Peshkopisë e Maqellarës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ndal edhe në Bulqizë, ku u angazhua se brenda 6 muajve do të miratojë statusin e minatorit.

Në fjalën e mbajtur para simpatizantëve, kryedemokrati tha se ai që i la minatorët në galeritë e nëntokës pa mbështetje, nuk do ndryshojë edhe 40 vjet po t’i japësh.

“Brenda 6 muajve të parë qeveria ime do miratojë statusin e minatorit, sipas standardeve europiane. Kjo është më e pakta. Detyrimi më i vogël për sakrificën tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Brenda 6 muajve të parë, në dialog të plotë me përfaqësuesit dhe sindikatat tuaja, statusi i minatorit do të jetë realitet. Jam i vetëdijshëm për peshën e këtij premtimi, prandaj do të them që atë traun e rrugës së kombit që do ta heq që ditën e parë, ta vendosni në këtë rrugë nëse nuk e mbaj zotimin tim.

Ndaj kam ardhur të zotohem para jush se statusi i minatorit do të jetë i garantuar me PD-në dhe qeverinë e ardhshme. Ju ftoj, investoni te ndryshimi që po vjen, të shkoni derë më derë të minatorët dhe pensionistët dhe ti bëni bashkë për ndryshimin më 25 prill. Nuk shkohet në Europë me rroga të ulëta, më shëndetësi të rrënuar, pa respektuar punën dhe njerëzit e punës. Në Europë shkohet duke siguruar arsimimin e fëmijëve tanë, duke u siguruar një të ardhme këtu dhe jo në emigracion. Ai që ju la në galeritë e nëntokës pa mbështetje, nuk do ndryshojë as 40 vjet po t’i japësh. Zgjidhni ndryshimin për nje ekonomi te fortë dhe me të ardhme europiane”, tha Basha.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH