Krye

Basha ende nuk ka një model për të kujtuar viktimat e komunizmit

               Publikuar në : 09:30 - 21/05/19 Liberale

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë të hënën në inaugurimin e Memorialit të Viktimave të Komunizmit në qytetin e Shkodrës, por ende ai dhe forca e tij politike vazhdon të mos ketë një model në lidhje me kujtesën e viktimave të diktaturës shqiptare. 

Reldar Dedaj

Partia Demokratike nuk e ka përmbushur ende detyrën për të detyruar Parlamentin shqiptar që të miratojë me ligj të posaçëm, sigurisht dhe me mbështetjen e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve këtë detyrim sa më parë. Respekti ndaj viktimave tregohet te hapat ligjorë për të dënuar përgjegjësit e regjimit dhe te nderimi i sinqertë i viktimave.

Të dyja këto nuk janë bërë deri më sot.

Kreu demokrat theksoi se vesi dhe krimi komunist nuk u ndëshkua, por u lartësua. Ndërsa theksoi se do e kthejë ligjin për ish të përndjekurit në shinat e Kushtetutës.

Nga Shkodra, Basha u shpreh se gjithçka që është arritur në raport me borxhin e pashlyeshëm të mirënjohjes kombëtare, morale, ndaj të përndjekurve politikë, familjarëve dhe pasardhësve të tyre, është meritë e PD-së dhe gjithçka që nuk është arritur, është përgjegjësi e Partisë Demokratike.

Ai u shpreh para të pranishmëve të shumtë në sallë se këtë përgjegjësi nuk mund ta kërkoni askund tjetër, përveçse te Partia Demokratike. Sipas tij, përgjegjësia është e PD-së, duke u shprehur atyre ndjesë të thellë për gjithçka që nuk është arritur.

“Jam këtu me vetëdijen e plotë të peshës dhe përgjegjësisë që kam unë dhe partia ime. I vetëdijshëm që gjithçka që është arritur në raport me borxhin e pashlyeshëm të mirënjohjes kombëtare, morale, ndaj të përndjekurve politikë, familjarëve dhe pasardhësve të tyre, është meritë e PD-së dhe gjithçka që nuk është arritur, është përgjegjësi e Partisë Demokratike. Nuk mund ta kërkoni dhe as nuk dua ta kërkoni askund tjetër. Përgjegjësia është e jona. Ndjesa e thellë për gjithçka që nuk është arritur, është e jona”, do të shprehej Basha, ndërsa u zotua në emër të tij dhe të PD-së, për ta çuar deri në fund. Sipas kryedemokratit, kjo duhet të ishte të paktën një nga ato çështje që i bënte bashkë të gjitha partitë politike. “Por e dimë fare mirë, se diçka na pengon ta bëjmë këtë. Akoma na pengon!

Na pengon edhe këto ditë, kur nesër bëhemi gati të përkujtojmë Spaçin e pasnesër 35-vjetorin e Qafë-Barit. Na pengon jo thjesht dhe vetëm prej retorikës, por për shkak të falsifikimit brutal të historisë, lartësimit të vesit të kriminelëve, që i shërbyen vesit dhe zhytjes së Shqipërisë në mjerimin më të madh human që ka njohur Europa”, u shpreh Basha.

Rasti i Estonisë

Një memorial për viktimat e komunizmit është hapur në qytetin estonez, Talin më 23 gusht të 2018-s, në Ditën Europiane të Kujtesës së Viktimave të Regjimeve Totalitare, i cili i kushtohet të gjithë popullit të Estonisë që vuajti nën terrorin e shkaktuar nga Bashkimi Sovjetik.

Emrat e mbi 22 000 personave që u vranë ose që vdiqën për shkak të kushteve çnjerëzore të jetesës në burg ose të atyre që u detyruan të jetojnë në mërgim, janë shkruar në pllakat e emrave të vendosura në memorial. Një mur i veçantë përkujtimor i është kushtuar edhe ushtarakëve të Estonisë, të cilët ranë pre e terrorit komunist.

I konsideruar një memorial mbresëlënës, i cili është krahasuar me murin e kujtesës së veteranëve të Vietnamit në Uashington, SHBA, memoriali është i krijuar nga dy pjesë, të quajtura “Udhëtimi” dhe “Kopshti i Shtëpisë”, duke krijuar një korridor të kujtesës me emrat e viktimave të vendosura në muret e saj. Ky memorial simbolizon indiferencën dhe mizorinë e regjimit totalitar ndaj njerëzimit. Me një popullatë që kalon shifrën e një milion banorëve, një në pesë persona është shpallur i humbur në Estoni, për shkak të politikës terroriste të Bashkimit Sovjetik.

Rasti i Shqipërisë

Ne jemi shumë të vonuar në ngritjen e një memoriali që kujton viktimat e diktaturës shqiptare. Parlamenti me një ligj të posaçëm dhe me mbështetjen e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve duhet ta përmbushë këtë detyrim sa më parë. Respekti ndaj viktimave tregohet te hapat ligjorë për të dënuar përgjegjësit e regjimit dhe te nderimi i sinqertë i viktimave. Të dyja këto nuk janë bërë deri më sot. Nuk kemi ende asnjë të dënuar për krime ndaj njerëzimit dhe nuk kemi ende një memorial kombëtar. Shqipëria vazhdon të jetë vendi i fundit i ish-bllokut komunist, i cili akoma nuk ka trajtuar me seriozitet dhe në mënyrë sistematike çështjen e së kaluarës së errët komuniste.

Shkolla, sheshe, rrugë dhe objekte të tjera vazhdojnë të mbajnë emrat e atyre që kanë qenë përgjegjës në mënyrë direkte ose indirekte të vrasjeve, persekutimeve, internimeve, torturave dhe vuajtjeve të mijëra shqiptarëve anembanë vendit. Kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe Shqipëria ende vazhdon të ecë një hap para dhe dy prapa. Pse kemi ngelur në vend? Thënë ndryshe: Kush nuk e do memorialin? Edhe Rusia ku ende vërtitet fantazma e Stalinit, përuroi së fundmi Muzeun Kombëtar për Gulagun famëkeq mu në qendër të Moskës./ Gazeta Liberale

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *