Aktualitet

Basha: Ekonomia po falimenton, ne do të sjellim shpresë

Shkruar nga Liberale
Basha: Ekonomia po falimenton, ne do të sjellim shpresë

Teksa ka zhvilluar takime në disa biznese, lideri i opozitës Lulzim Basha thotë se ekonomia shqiptare ka falimentuar. Sipas tij, diçka të tillë e tregojnë edhe të dhënat e FMN, si edhe rrëfimet e qytetarëve e bizneseve. Basha tha në “Facebook” se bizneset po përjetojnë ditë të vështira, ndërsa kryeministri Rama nuk ka kohë për problemet e shqiptarëve.

“Ndërkohë që Rama shpenzon të gjithë kohën duke cicëruar gënjeshtra kundër meje, ekonomia jonë po falimenton. Të dhënat krahasimore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dëshmojnë se Shqipëria është ekonomia më e nënfinancuar e Ballkanit Perëndimor. Për 7 vite rresht Rama e ka shkatërruar ekonominë. Mijëra dyqane dhe njësi shërbimi si biznesi i Artan Muratit po vuajnë rënien e fortë të xhiros. Bizneset e vogla po marrin kredi për të mbajtur hapur derën. Prej muajsh nuk nxjerrin asnjë fitim. Vendet e punës i kanë shkurtuar. Komunitetet rreth tyre janë varfëruar më shumë. Kanë pritur që qeveria t’i ndihmojë një herë të vetme, siç kanë paguar taksat rregullisht. Por Edi Rama nuk ka kohë për problemet e shqiptarëve që e nxjerrin vetë bukën e familjeve të tyre. Edi Rama nuk ka as para për bizneset që mbajnë me bukë familjet e komuniteteve të tyre. Sepse taksat që mbledh prej tyre, Edi Rama i ndan me miqtë e tij", shkruan Basha.

Më tej, kryedemokrati premton një të ardhme më të mirë me opozitën në pushtet.

“Ne do ta ndryshojmë këtë gjendje. Ne do të kujdesemi për biznesin, do të kujdesemi për të vetëpunësuarit, do të kujdesemi për të gjithë qytetarët dhe do të japim ndihmë financiare për çdo qytetar. Ne do të sjellim shpresë për Shqipërinë”, shkruan Basha.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH