1

“Barometri i Sigurisë në Shqipëri”-një pasqyrë edhe e mjedisit…

               Publikuar në : 08:59 - 29/07/20 Blendi Lami

Blendi Lami

1.Mjedisi ndërkombëtar i sigurisë dhe “Barometri i Sigurisë Shqipëri”

“Barometri i Sigurisë Shqipëri”, i hartuar nga “Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”, është publikuar së fundmi dhe ofron të dhëna të spikatura për të kuptuar situatën e sigurisë në Shqipëri – një situatë, e cila kërkon të njihet nga aktorë vendas dhe të huaj që kanë interesa për stabilitetin e hapësirës shqiptare, dhe veçanërisht Shqipërisë. Për Zyrën e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), “ky botim është pjesë e synimit tonë më të madh për të mbështetur paqen dhe zhvillimin shoqëror . . . në Shqipëri. Ne e shohim të rëndësishme këtë mbështetje veçanërisht për shkak të lidhjes midis sigurisë dhe zhvillimit ekonomik dhe shoqëror”.

Ky studim reflekton jo vetëm situatën e sigurisë në Shqipëri, por është edhe një pasqyrim edhe i lëvizjeve aktuale që po ndodhin në mjedisin ndërkombëtar të sigurisë.

Të dhënat e këtij publikimi janë të domosdoshme qoftë për informimin e popullatës së përgjithshme, qoftë si lëndë e parë e vlefshme për studiuesit vendas dhe të huaj. Ato përfshijnë qëndrime dhe perceptime të të anketuarve për sigurinë / pasigurinë për fenomene lokale si vendbanimi, vendi i punës, besimi/mosbesimi tek institucionet, e ardhmja e vendit, korrupsioni, krimi i organizuar dhe papunësia; fenomene rajonale si lufta midis shteteve dhe terrorizmi; dhe fenomene globale si ngrohja globale – të ndërthurura me ato lokale dhe rajonale.

Vlen për t’u theksuar qasja që kanë qytetarët për aktorë si Bashkimi Evropian dhe NATO si kontribuues pozitivë ndaj sigurisë së Shqipërisë. Të anketuarit identifikojnë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Italinë si tre shtetet më miqësore ndaj Shqipërisë, dhe janë të painformuar plotësisht lidhur me kërcënimin ndaj sigurisë nga ana e ndikimit të të ashtuquajturave vende të treta, të tilla si Rusia, Kina dhe Turqia dhe vendet arabe.

Ky “Barometër” publikohet në një moment tepër kritik për mjedisin ndërkombëtar të sigurisë. Referuar autorit Ian Bremmer, jemi në një rend botëror, në të cilin asnjë vend i vetëm ose asnjë aleancë e qëndrueshme e vendeve nuk mund të kapërcejë sfidat e udhëheqjes globale. Me kaq shumë sfida transnacionale – si stabiliteti i ekonomisë globale, ndryshimet klimatike, sulmet kibernetike, terrorizmi apo sigurimi i furnizimit me ushqim dhe ujë – mungon bashkëpunimi ndërkombëtar. Mungesa e lidhershipit botëror do të bënte të mundur koordinimin e reagimeve shumëkombëshe ndaj problemeve transnacionale. Ky tranzicion – i identifikuar nga Bremmer – do të jetë një inkubator për katastrofa. Përveç një kolapsi financiar me përmasa shkatërruese të ngjashëm me krizën e vitit 2008, ky autor – në librin e tij të botuar në vitin 2012 “Every Nation for Itself: Winners and Losers in a G-Zero World”, parashikon katastrofa të mëdha për sigurinë si ndryshimi i regjimit në Korenë e Veriut, një luftë e mundshme Indi – Pakistan, pasojat e tmerrshme që do të sillnin ndryshimet klimatike ose rritja e çmimeve të energjisë që do të zhyste në kaos vendet eksportuese të naftës. Mbi të gjitha, për kontestin e sotëm me situatën me Coronavirus-it, ai parashikon (në vitin 2012) se një epidemi gripi në Azi mund përhapet në të gjithë globin, sepse qeveritë e vendeve të prekura angazhohen më shumë për të fshehur të vërtetën dhe për të mbrojtur veten sesa për të demonstruar transparencën e nevojshme për një reagim efektiv ndërkombëtar.

Thelbi i kësaj pasigurie globale është mungesa e bashkëpunimit ndërkombëtar në një botë pa udhëheqje, e cila nuk po shihet as tek Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë ndërtuar tashmë institucionet kryesore për menaxhimin e botës, dhe sigurisht as tek fuqitë e tjera, të cilat janë të fokusuara më shumë tek rajonet e tyre.

Sipas Ian Bremmer, kemi hyrë në një botë të re – G-Zero – duke qenë se as fuqitë perëndimore, as fuqitë e tjera, as institucionet ndërkombëtare nuk janë në gjendje të udhëheqin rendin global dhe kjo situatë do të prodhojë vazhdimisht pasiguri. (Termi bota G-Zero i referohet një vakuumi të fuqisë në politikën ndërkombëtare, që është krijuar nga rënia e ndikimit perëndimor dhe fokusi i brendshëm i ekonomive në zhvillim.)

Pavarësisht nga mjedisi ndërkombëtar i sigurisë dhe ndryshimi i balancës së fuqisë në botë, Perëndimi (Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO) ka interes të veçantë për hapësirën shqiptare. Ky interes është perceptuar edhe nga të anketuarit e “Barometrit”.

  1. Interesi i Perëndimit dhe Shqipëria

Duke marrë në konsideratë pozicionin gjeografik, popullatën pro-perëndimore dhe reformat politike dhe ekonomike në Shqipëri, Perëndimi e ka thelluar depërtimin në hapësirën shqiptare. Nga ana tjetër, duke marrë në konsideratë sjelljen e Perëndimit në këtë hapësirë, Shqipëria ka në fokus Euro-Atlantizmin. Kjo përputhje interesash është reflektuar në dokumente strategjike dhe platforma politike, të cilat nxisin edhe më tej afrimin e palëve. Ky fokus i Perëndimit përputhet më së miri edhe me platformën politike shqiptare.

Është ky afrim që – në njëfarë mënyre – “sfidon” kontekstin ndërkombëtar të sigurisë. Më lart u përmend se fuqitë perëndimore nuk janë në gjendje të zgjerojnë influencën e tyre, por hapësira shqiptare vazhdon të jetë në fokusin e fuqive perëndimore. Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për konsolidimin e shtetit shqiptar, pasi e konsiderojnë një projekt të filluar që pas Luftës së Parë Botërore. Bashkimi Evropian po arrin të kapërcejnë ngurrimet të shumta, dhe po përfshihet fuqimisht në Ballkanin Perëndimor, pasi kjo periferi evropiane është me interes për infrastrukturën e sigurisë evropiane.

Me gjithë problemet e shumta që janë shfaqur në partneritetin transatlantik, SHBA dhe Evropa janë të përqendruara në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor dhe specifikisht në hapësirën shqiptare. Ky afrim do të arrihet përmes forcimit të institucioneve të pavarura dhe demokratike, gjë që përbën një investim kolosal të Perëndimit. Referuar “Barometrit”, ndikimi i SHBA dhe BE perceptohen si një element pozitiv ndaj sigurisë, e cila garanton stabilitetin e vendit.

BE ka luajtur një rol të madh në forcimin e demokracisë dhe brendshme, por në sytë e publikut shpesh shfaqet e pasigurt. Megjithatë, duket se BE po e forcon rolin e vet edhe si fuqi imponuese në Shqipëri, pasi po tejkalon mosmarrëveshjet në proceset e veta vendimmarrëse (për shembull: mosmarrëveshje mes Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare). Kjo shfaqet edhe tek të dhënat e “Barometrit”, pasi SHBA ka një nivel më të lartë besueshmërie. Ky qëndrim ndodh për faktin se SHBA duken më të suksesshme në realizimin e objektivave të politikës së jashtme në Shqipëri.

Megjithatë, BE është rankuar tepër pozitivisht nga të anketuarit. Teksa vërehet roli në tkurrje i Shteteve të Bashkuara në skenën globale, BE është e detyruar të marrë përgjegjësi në një rajon, nga i cili ndikohet drejtpërdrejt për stabilitetin e Unionit. Ky stabilitet po garantohet nga reforma dhe politika të sigurisë në kuadër të kërkesave të anëtarësimit në NATO dhe BE dhe partneriteteve për paqen. Duke ditur që në Ballkan vazhdon të ekzistojë risku për konflikte etnike, akoma diskutohen shkëmbime territoresh apo njohje/mosnjohje shtetesh apo mund të ketë dyndje refugjatësh nga Afrika e Veriut ose Lindja e Mesme. Këta dhe faktorë të tjerë e bëjnë Ballkanin të brishtë ndaj sfidave të sigurisë.

Për këtë arsye, të anketuarit e “Barometrit”, për të fuqizuar dimensionin e sigurisë që do t’i mbronte nga kërcënimet e identifikuara prej tyre (lufta midis shteteve, terrorizmi, krimi i organizuar dhe korrupsioni), e gjejnë zgjidhjen tek Perëndimi.

III. Aktorët e tretë

Tani që Shtetet e Bashkuara nuk mund të luajnë më rolin e policit global, parashikohen më shumë përplasje në nivele rajonale dhe globale, teksa fuqitë në rritje konkurrojnë për dominim lokal. Ndërsa Perëndimi duket më pak i gatshëm për të ndërhyrë, ruajtja e paqes do t’u mbetet forcave lokale me kapacitete të pamjaftueshme, por, siç u përmend më sipër, Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë në fokusin e Perëndimit. Megjithatë, kjo qasje e re globale krijon vakuum dhe ndryshim të balancës së fuqisë. Këto lëvizje tektonike shfrytëzohen nga fuqi të tjera, të cilat – në shkallë të ndryshme – shtrijnë tentakulat për influencë edhe në hapësirën shqiptare. Në “Barometër” – me të drejtë – janë trajtuar në kategorinë “fuqi të tjera” – Turqia, Rusia, Kina, Irani dhe vendet arabe.

Turqia duket se ka pikët më të larta në këtë grup. Duhet theksuar se Turqia është ndër partnerët strategjikë të Shqipërisë, pavarësisht rrugës që ka marrë në orientimin e vet dhe në raport me Perëndimin. Përmes doktrinave specifike në politikën e jashtme, Turqia ka arritur të shfrytëzojë trashëgiminë historike dhe gjeografike për influencë në Shqipëri. Kjo trashëgimi është ndërthurur me fuqinë e butë për të krijuar terrenin e nevojshëm për të depërtuar në hapësirën shqiptare. Turqia ka interesa specifikë në hapësirën shqiptare, duke e konsideruar zonë e duhur për promovimin e interesave të saj në rajon dhe më gjerë. Kjo politikë ka dhënë fryte, teksa ajo – në të dhënat e “Barometrit” – renditet e katërta pas SHBA, Gjermanisë, Italisë . . . dhe përpara Francës.

Aktualisht, Turqia po kalon marrëdhënie tepër të acaruara me BE. Është ende e paqartë nëse presidenti Erdogan do ta shpalosë tërësisht axhendën e tij në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që, ndryshe nga Rusia, i ka ndërtuar mekanizmat në terren. Rreziku parësor është bashkërendimi i politikave turke me Rusinë në Ballkan, ashtu siç po ndodh në Lindjen e Mesme. Ndaj, Evropa “nxiton” të frenojë manovra të tilla në Ballkan. Në këtë kuptim, si në trajektoren me Perëndimin ashtu dhe në matjen e “Barometrit”, mund të thuhet se Shqipëria ka një hapje të kufizuar me Turqinë.

Rusia, pasi ka dëshmuar se ç’bëri në Ukrainë dhe tanimë me praninë e padiskutueshme ruse në Serbi, tenton të shfrytëzojë aksin sllav-ortodoks, por është e penguar nga Perëndimi në depërtimin në hapësirën shqiptare. Evropa dhe SHBA e kanë kuptuar se nuk është më Rusia e viteve ’90, por është një Rusi agresive që tenton grusht shteti në Mal të Zi apo mbështet nacionalistë të linjës sllave në rajon. Më këtë kuptohet se Rusia duhet frenuar në destabilizimin e vendeve të brishta ballkanike. Në këtë aspekt, Këshilli Evropian për Politikën e Jashtme del në përfundimin se “Rusia e konsideron Ballkanin si fushëbeteje në ‘luftën e saj politike’ . . . dhe po kërkon të ushtrojë autoritet në rajon, duke shtuar tensionet ekzistuese”. Më tej, në këtë dokument të Këshillit, thuhet se Rusia është e limituar në influencën në Shqipëri.

Me Kinën duket se Shqipëria ka një hapje të kontrolluar. Vetëm vitet e fundit është folur për Kinën në Ballkan. Mund të thuhet se BE nuk e konsideron kërcënim, por risku i parë gjeopolitik, i parashtruar në raportin e “Eurasia Group” për vitin 2018, është “mbushja e vakuumit nga ana e Kinës”. Duhet theksuar se në Ballkan Kina është një lojtar aktiv dhe ka shpalosur objektiva të qarta afatgjata. Në rast të një strategjie të paqartë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, rezulton se Kina është e gatshme për ndërhyrje. Vlen të theksohet iniciativa “Një brez, një rrugë” (“One Belt, One Road”) – një strategji e propozuar nga presidenti Xi, e cila përqendrohet në ndërlidhjen dhe bashkëpunimin mes vendeve evropiane dhe Kinës. Me fillimin e zbatimit të kësaj strategjie, Kina është bërë një aktor me peshë në Ballkan. Ndërsa po krijon një rrjet të lidhjeve infrastrukturore përmes Eurazisë, vendet e Ballkanit zotërojnë një pasuri të vyer: pozicionin gjeografik. Dokumenti i Këshillit të Evropës për Politikën e Jashtme thekson se “Kina është një aktor global ambicioz dhe kërkon të përfitojë influencë përmes investimeve . . . as Rusia nuk e ka arritur në Ballkanin Perëndimor atë që ka bërë Kina” (The EU Global Strategy).

  1. Domosdoshmëria për një strategji shtetërore (dhe kombëtare)

Kura më e mirë për reduktimin apo eliminimin e këtyre kërcënimeve është hartimi i një strategjie shtetërore (dhe kombëtare) me objektiva të qarta për vendin dhe të përputhshme me objektivat e partnerëve perëndimorë. Kjo strategji ofron një udhërrëfyes për menaxhimin e risqeve që lidhen me sfidat e ardhshme, gjë që mundëson siguri afatgjatë. Në përballjen me shumë sfida që kanë kërcënuar seriozisht Shqipërinë, qeveria shqiptare – në mungesë të një strategjie të mirëfilltë – është gjendur e papërgatitur dhe ka vepruar për të zbutur apo lehtësuar dëmet, jo për t’i parandaluar ato. Kjo normalisht është reflektuar edhe në të dhënat e “Barometrit”.

Në një botim të “Atlantic Council” të shkurtit 2019 identifikohen elementet kryesore të një strategjie kombëtare. Mbështetja nga qeveria, reflektimi i qartë i vlerave kombëtare, artikulimi i saktë i interesave kombëtare, deklarimi i vizionit strategjik, identifikimi dhe vlerësimi i sfidave të ardhshme, si dhe udhëzime për zbatimin e politikave janë kolonat e një strategjie të mirëfilltë. Vetëm në rast të hartimit të strategjisë dhe referimit e zbatimit të saj në raste krizash, në “Barometrin” e ardhshëm shqiptarët do të përballen me më pak kërcënime të brendshme apo të jashtme. /Gazeta Liberale

Tags: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back