Sot në orën 14.00 me orën tonë pritet në ndahet çmimi Nobel në letërsi. Pas skandalit seksual ku u përfshi Akademia një vit më parë, këtë vit Stokholmi do të ndajë dy çmime Nobel për letërsinë. Por sa janë shancet që shkrimtari Ismail Kadare të jetë një nga nobelistët e këtij viti?
E ftuar për të folur në "Top Channel" për këtë ngjarje të rëndësishme letrare, Alda Bardhyli u shpreh se “Prej vitit 1973, kur për herë të parë emri i Kadaresë u përfol për çmimin Nobel, letërsia shqipe është vendosur në optikën e gjykimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të gjykimit të letërsisë botërore, e kjo është një ngjarje për një gjuhë e kulturë si e jona. Duke parë gjeopolitikën e zhvillimeve të këtij çmimi vitet e fundit, por dhe për shkak se ende nuk ka përfunduar nderimi për ata që i mbijetuan kampeve socialiste, dhe ndoshta për një rikthim të Akademisë në kostumin e saj tradicional, do doja që Kadare të ishte sot një ndër emrat që do të vlerësohet me çmimin e madh”.
Sipas saj, një prej nobelistëve mund të jetë grua.
“Ndoshta një prej nobelistëve do të jetë grua. Në historinë e çmimeve Nobel shkrimtaret gra kanë qenë më pak të vlerësuarat, kjo për shkak të historisë së kësaj gjinie në letërsi. Por sot do doja të nderohej një grua jo për gjininë, por për letërsinë e mrekullueshme që shumë autore gra kanë shkruar. Ndoshta mund të jetë Margaret Atëood, Anne Carson, Lyudmilla Ulitskaya, Olga Tokarczuk, etj, pasi lista e grave që kanë bërë histori në letërsi është e gjatë”, tha Bardhyli.
Por a ka munguar lobingu për Kadarenë nga Shqipëria, dhe a ka nevojë letërsia për lobing?
Bardhyli u shpreh se edhe pse letërsia e Kadaresë nuk ka nevojë për lobing, pasi ai vazhdon të jetë më i kuotuari në bastet për këtë çmim e më i vlerësuari nga kritika botërore, letërsia ashtu si çdo disiplinë tjetër ka hyrë drejt orientimeve të reja, tregjeve të mëdha që sigurisht kërkojnë mjete të reja komunikimi.
“Vetë hapja e Akademisë suedeze vitet e fundit, duke treguar një qasje liberale tregoi hapjen ndaj së resë. Lobingu nga ana e Shqipërisë nuk ka qenë i mjaftueshëm për mos thënë që numri i letrave kundër shkrimtarit në adresë të Akademisë ka qenë i madh, dhe kjo nuk na nderon ne si komb. Më shumë se letra kundër shkrimtarit ato kanë qenë letra kundër gjuhës shqipe. Dominimi sot në botë bëhet përmes kulturës dhe gjuhës, e shqipja përmes veprave të Kadaresë ka treguar superioritet si një gjuhë thellësisht europiane”, tha Bardhyli. /Gazeta Liberale