1

“Bar Tokio”

               Publikuar në : 10:38 - 10/04/21 liberale

Vladimir Myrtezai

Përpara se të fillonim ta bënim të prekshme ëndrrën për të marrë me qira një bar, më ishte rrënjosur në kokë një thënie e një miku tim italian, Alfredo Monticellit, që për nga ecejaket në kohën fizike, e kish kaluar gati gjithë jetën e tij në një diskotekë gjigante, diku afër Riminit, në një provincë modeste e shumë të ngjashme me shumë qyteza të vogla simotra. Ai më thoshte se, nëse një ditë do më duhet të largohem nga kjo botë, do preferoja të më digjnin, e hirin të ma vendosin në një shishe të vogël, pikërisht aty mes pijeve të markave të ndryshme në banak, brenda në bar.

– Dua të jetoj gjithë kohën, si këndej e si andej, duke dëgjuar vetëm muzikë dhe zëra njerëzish të gjallë, me hare e erë alkooli.

Ndoshta edhe duke i besuar këtij përfytyrimi të mikut italian, mora shkas t’i them po dy shokëve të mi për të konceptuar një bar. Përmbysjet e mëdha gjatë fundit të shekullit të kaluar dhe fillimshekullit të ri sollën një hallakatje të trazuar në jetën qytetare ngado nëpër Shqipëri. Rrokullisje të shumta e nga më të pabesueshmet ndodhën në ngacmimin e të gjithë atyre që menduan se do shkelin në tokën e shpresës së re dhe në një ndërrim shansesh, duke provuar në shumë drejtime, deri në rrugët irracionale për të ndërruar apo zotëruar fatin. Një anarki e “favorshme” për të tilla prova, por edhe një ngasje për ëndrra të spostuara tashmë në kufij e kute të paimagjinuara; se si do qe mundur që me pak inteligjencë të rrethoheshe nga të ardhurat e nga lehtësia; se si mund të luaje me to e të krijoje kushte më të favorshme në jetën e gjithsecilit, si trokitje fati për t’u rimëkëmbur. Pavarësisht se e menduam si një ndërmarrje lehtësisht të dallueshme, si iniciativë inteligjente vetëformimi, edhe vetë ëndrrat e fshehura na ndihmuan që të gabonim dhe të ndërtonim një dështim, por gjithsesi me vello ëndërrimi të paprovuar ndonjëherë. Kjo sepse të gjitha modelet kanë vërtetuar se nuk se duan vetëm një fillim për të nisur, por do duhej edhe një këmbëngulje për të vazhduar e provuar në kohë një biznes që na afrohej si diçka e re, e paprovuar kurrë më parë.

Si fillim ishim tre, por mund të ishim dhe më shumë për nga mundësitë dhe për nga zemërgjerësia. Por, gjithsesi ishim tre vetë që u bashkuam në një zgjedhje pothuajse dashurore, të fshehtë për nga stima e për nga respekti për talentin e secilit, por edhe prej njëfarë ngjyrimi që dukej se në mungesë të çdonjërit kryente plotësimin e tij dhe dukej përsëri se do ishim veçse tre. Një fillim i ngjashëm me “Tre shokët”.

Bari në afërsi të stacionit të trenit do pagëzohej me emrin “Tokio”. Nuk ishte një zgjedhje që synonte të shënjonte thjesht një bar, por ashtu u ravijëzua dhe mori këtë emër. Në ngasjen time ky bar do pagëzohej me emrin e një përkthyesi i rrallë për nga fama dhe ngjitja e tij bohemiane me baret në Tiranë, Robert Zhvarc, edhe për shkakun se në gjermanisht mbiemri i tij tingëllonte si përkthim i të zezës. Por dhe me nxitjen për të ruajtur në kujtesën qytetase një emër misterioz me dritëhije të lakmueshme të kujtesës së rrugës bulevardeske. Ndoshta arsyeja se pse u quajt “Tokio”, është se e gjithë harta e bareve me një karakter të ngjashëm në atë udhëkryq të kryeqytetit ndjehej tashmë e rrethuar nga emra ekzotikë, që për çudi kishin të bënin me kryeqytete nga kontinente të largëta, dhe fantazia e të gjithë pjesëmarrësve në këtë hartë ndarëse të tregut të tyre përbëhej nga piketa emrash çudi nga ajo botë. Të gjithë emra kryeqytetesh të rëndësishme, si sindromë e madhështisë dhe e ndikimit të vetë botës së largët për të krijuar një qendër krejt afër, në disa metra katror, me një shpërpjesëtim të shkatërruar distancash në një hapësirë të ngushtë krejt skematike. Qe pra një nga çuditë e snobimit e megalomanisë që solli si padashje konkurrenca dhe fantazia e njerëzve të manipuluar nga reklama, të pamësuar nga ndikimi i drejtpërdrejtë i saj. Nejse. Përveç këtij kompromisi dhe aftësisë për të dështuar me sukses, “Bar Tokio” do shërbente për më tepër për të tjerrë histori nga më të çuditshmet, si dhe për të provuar edhe njëherë se gargujt qejflinj që mblidheshin kanë nevojë për shndërrime të tilla, rigjenerim gjendjesh dhe statusesh të lëvizshme, për ta bërë botën më ëndërrimtare, më komunikuese e më snobe, por sidomos spontane. Pak rëndësi ka se si shkoi për tymosje të nxehtë mendjesh të paprovuara, kjo kafene u arredua me stil, me një atmosferë që dinë ta shkaktojnë vetëm artistët, të cilët tashmë ishin bashkërisht menaxhuesit e kësaj atmosfere, si një qoshk idilik i munguar, saqë të dukej si fragment i shkëputur nga Japonia e largët.

Nuk ishte thjesht emri i zgjedhur, por si fillim ndikoi edhe një traditë e sjellë e çajrave të rrallë, si dhe e një lloj klientele të zgjedhur, si rrjedhojë e njohjeve, por dhe për shkak të ndikimeve në hartën e tregut përkatës, e një gjeje krejt tjetër.

E gjithë përçapja shkoi mirë dhe zgjati për ca kohë, sidoqë me angështi të përsëritura për sa i takon raportit me punën e re dhe fitimeve. Atmosfera në “Bar Tokio” ishte e ndezur edhe me personazhe të shumta, që bujtnin dhe ndërroheshin dallgë-dallgë, ca nga kurioziteti i iniciativës, ca të tjerë për të na bërë qokën, disa të rastësishëm dhe shumë të tjerë më pas në emër të shullepjes për t’u fshehur në një prej skajeve të largëta të kryeqytetit.

Klientët ishin shkrimtarë dhe artistë. Vinin shumë piktorë e dramaturgë, politikanë dhe miq të ndryshëm, edhe nga jashtë vendit. Sidoqoftë, ky bar ishte një sy vrojtues i shumë eventeve tërheqëse, në një përputhje krejt çudi dhe krejt e paparashikueshme. Më pas rrodhi një mori e përsëritur studentësh, që vrisnin kohën në një armiqësi të padukshme në raport me të. Të tjerat ishin komunikime, punë, rrahje projektesh, njohje, flirte e shumë nga ngasjet e takimit njerëzor. Më pas “Bar Tokio” u bë shumë shpejt një hapësirë e zakontë e mediokre, pa tërheqjen e vrullit të parë dhe pa fytyrat e dashura të miqve të përbashkët, pasi, me sa duket, u lodhën dhe e ezauruan këtë hapësirë të zhdërvjellët e me kontakte rivitalizuese. Dalemengadalë “Tokio” u venit dhe u kthye në një kujtim për ato takime interesante e plot tërheqje. Aq shumë filloi të venitej, saqë përfundoi që klientët e vetëm e besnikë ngelëm vetëm ne të tre, në një mjedis të shndërruar e pothuaj të huaj. Artistët në një kurth, të rrethuar nga një zhbërje e doradorshme. Pas tërheqjes në kohë të ndryshme nga të tre ne, ky oazë shpresash e tingujsh të përbashkët bashkëjetese u fik, duke lënë si shenjë ngjyrosjen e rënies dëshpërues. Gjithsesi “Tokio” ishte një çast zjarrmie për shumë nga ne, që ditëm ta ndajmë atë hapësirë mirë e me dhunti, pa prishur miqësi, duke u shpërndarë secili në destinin e vet, në të tjera terrene e në të tjera kthesa të papritura.

“Tokio” do mbetej vatra e shumë lidhjeve, që më vonë morën formë në trajektore të zgjatura e të ndriçuara lidhjesh e ndarjesh. Personazhe të shumtë, të zmbrapsur, të tjerë të futur rishtazi në skenë, që hynin e dilnin pa pushuar.

Në kokat tona kish mbetur e njëjta lëvizje dhe të njëjtat personazhe, por jo më të grupuara në një përmbajtje çaji, por në përmbajtje të largëta, me një nyje lidhëse, që merrte shkas nga ajo hapësirë e shtyrë mbrapa, si mall për çajin japonez.

Kreu i iniciativës, si më agresivi e më i qarti në mësymje, qe Pjer K. Ai u përçap e u çapëlye për të vënë në punë një fonderi, gjë që e realizoi, dhe në kokën e tij akoma shihte një film allasoj, nga ata hollivudianët, për ta dominuar këtë botë që i dukej se i kundërvihej dhe e manipulonte. B. Kalvari u mundua të shtrinte mbijetesën e tij mes irracionales së artit të tij gati fëminor dhe një lloj shitblerjeje, nga një pozitë formuese në një tjetër vend e radhë, duke mbajtur në duar një shumë parash për t’u ndjerë në mes të interesave. I treti isha unë, si i marrakotur, duke e jetuar jetën si në letërsi, ose si film; duke u mbështetur sa andej-këndej në sajë të një kimie miqësore që kisha me ta, por gjithnjë në një pozicion të palëvizur e pa shumë ulje-ngritje. Duke i parakaluar botës si fotografi e ngrirë, e ndarë në shumë interpretime. Sa vinte dhe më shumë më ishte mbushur rradakja se gjithçka që lëviz është e përkohshme, dhe gjithësa ndaja me njerëz ishte pasuria ime më e vyer. Një ëndërrimtar ende i parritur, në një adoleshencë të përjetshme.

Vite më vonë, jeta sikur i shpërndau me merak këto personazhe. Më i qarti e më ëndërrmadhi nga ne ishte Pjer K., pasi me guxim dhe shumë rrezik arriti të rindërtonte ëndrrën e tij të vetme për të realizuar vetveten në të gjitha embrionet, që kishte mbjellë në kohë. Si të gjithë artistët, që në dukje të lodhur, jetonin për të pushuar. Fundin e fundit të tij, Pjer K. e kërkonte si me humor të zi në një kasolle të vogël, që të mos e ndante me askënd (as me gruan), vetëm me veten dhe shpirtin e lirë.

Buzë një përroi të lodhur, si në formë lumi, ngriti atë që e bëri të përjetonte hapjen e kapitullit të shumëpritur, qoftë si përmbushje rituale e egos, qoftë si mundësi të ardhurash.

I dyti, B. Kalvari, një lirik i lindur, përsillej pa formë rreth vetes për t’u shkëputur nga të gjitha investimet me ortakë e faktorë të vegjël interesi, si e si edhe ky të gjendej vetëm në narcizmin e tij. Kërkonte një fund, si ai italiani në krye të rrëfimit, të murosej në një bar, mes lagështisë e projeksionit të ngjyrave.

I treti i bie të jem unë, që isha po aq i përfshirë paqartësisht në një ndërmarrje të vonë të kalvarit të familjes, dhe nuk vuaja nga një ndjesi vetmie e kërkuar me patjetër, pasi kisha qëndruar vetëm për gati gjysmëshekulli dhe tashmë ruhesha për të mbledhur situata të lumtura në grup, pa marrë me mend as kostot dhe as përgjegjësitë. Ëndërroja ende për një kalim të shkëlqyer në një botë transit, të shpejtë, duke bërë me shenjë të beftë para se të largohem tej, një shenjë që gudulis miq e dashuri të vjetra.

Nuk se kishim ngjashmëri të lidhura, si të pafat, as si histori të radhitura me heronj romantikë.

Të tilla mendime më kishin kapluar teksa përsillesha larg në periferi, në një situatë të beftë, ku papritmas, në një krevat të shprishur e të batërduar nga një marrëdhënie e provokuar në shenja gjysmerotike, dallova mbi të librin e një prej personazheve të “Bar Tokio”. Ishte libri i jetës së një prej shkrimtareve, që kish kaluar në atë kafene. Nuk do ishte rastësi, por m’u duk fiks si pjesë e qerthullit, ku na lidhen këmbët në këtë botë. M’u duk si shkas shkrimi, se si ngado që përplasemi mendojmë duke harruar me kast një shenjë a objekt të mbarsur me shtëllunga jete, për të ripërtërirë vetveten në rrethana të reja. Mendojmë se arratisemi nga lidhjet, por ndërkaq kemi djegur nga brenda pjesë nga vetja, dhe ato janë rrotull, të shkëndijuara e të përsëritura në barin e ëndrrave ndërtuar vite më parë në një tjetër vend. Po ja që kish kaluar gjithë ajo kohë dhe në formë dëshmish, ngado që përplasesh, ndjen fije të lidhura që të shfaqen në formë mbaresash apo aktesh të harruara nga vrullet e para të njohjeve. Pa e ditur se si në thellësinë e kësaj njohjeje kisha dalluar se ajo shkrimtare me një ballinë ndikuese seksuale, që të përplasej në ajër si nyjë në stomak, kish krijuar një personazh të saj pikërisht atë, skulptorin Pjer K. Më lutej asokohe në “Tokio” konfidencialisht që të bëja të mundur një përplasje mes saj e atij – Pjer K. Ishte një lutje që ma kish shtruar si hall letrar, si përplasje reale me heroin e saj, të përputhur, që, me sa dukej, e kishte të parealizuar.

Po vështroja mbi atë krevat me kërshëri, se si është jeta, sa e zhbërë e sa spontane, sa e vogël gjithaq. Dhe pse do më duhej ende që në rrugëtimin tim të zakontë gjërat të më afroheshin si gjetje, ose si pushtime të befta… Faktet dhe uritë njerëzore, skutat e fshehta që serviren; një moment që të gjithë mund ta zhbëjmë këtë botë si të padukshme, me gjysmën tonë lakuriqe. Befas më zu një e qeshur e hidhur, dorëzuese, ngaqë jeta ka nevojë për një shkak të madh që të bëhet e jotja. Ajo vjen si një nukël i mbërthyer, si një komçë embrionale, që ashtu pa shkak mund të marrë trajtën e një qenieje, apo një ambicieje të fshehur – e ndoshta si marrëdhënie me një femër, për t’u zgjuar në një tregim a roman. Përsëritje e pashmangshme e një urtësie të vjetër sa vetë njeriu, se atë që mbjell do korrësh; ose e pafuqisë për shkaqe krejt njerëzore, për t’u ripërsëritur si pohim jetik. Rasti se si dhe vetë krijuesit hapin gropa të stërmëdha mes tyre, si një lojë e njerëzve që ëndërrojnë herë si fëmijë, herë si adoleshentë të përjetshëm. Fakti që për një aventurë si shkak i të pamjaftueshmes do shtjellohej një histori e shtrirë dhe e ndërvarur njerëzish, mund të shpjegonte edhe “Bar Tokion”, i bërë jehonë tashmë, që varkoi si një dështim i sigurt në përfytyrimin e panatyrshëm të njerëzve të gabuar dhe në vendin e gabuar. Si duket të gjithë ishim të një prerjeje: spontanë e anarkistë të pandreqshëm, gjë që përbën helm për një sipërmarrje.

Sekush nga të tre do kish një shpjegim të kotë e të zgjatur për një nga aventurat e bukura që propozon kurioziteti njerëzor, që u përkthye në një aventurë të kaluar shpejt e të justifikuar si eksperiment i dështuar, ose si lojë arti, apo si e njëjta gjë.

M’u ndërmend një njeri, shumë i njohur i imi, muzikant me një lloj panatyrshmërie paradoksale në impostim mes figurës dhe projeksionit, që kanë të postuar në imagjinatë njerëzit për muzikantët në përgjithësi, me të cilin kaloja shumë kohë, dhe e konservoja si stacion të fundit teksa bënte me dorë nga matanë, përmes ekranit të celularit të tij, krejt i robëruar nga një refleks i dukshëm malli, ku i thërriste me zë të lartë tjetrit nga kontinenti i largët. M’u duk jeta si në një paradë, ku ia bëjmë me dorë dikujt nga larg, si për të përsëdytur mekanikisht kalimin tonë transit në një botë ndjenjash dhe paralelizmash drejt një bote të paqëndrueshme e të ngrirë në retinën dixhitale.

E gjithë gjendja më ngjau një lajthitje e pabesueshme: se mund të parashikohej kështu një fund lehtësisht i afërt, si i pambyllur, por edhe si vazhdimësi që nuk frymon njerëzisht./Gazeta Liberale

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back