Aktualitet

Banka e Shqipërisë/ Rriten transfertat financiare hyrëse, 295 mijë për vitin 2022

Shkruar nga Liberale

Transfertat hyrëse nga jashtë në llogaritë bankare të individëve në Shqipëri shënuan një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2022. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë ato arritën vlerën e 47.4 miliardë lekëve, në rritje me 4.2% krahasuar me një vit më parë. Rritja është më e ngadaltë me nivelin 10.1% të vitit 2021, por pjesërisht kjo është ndikuar edhe nga efekti statistikor që jep mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit, sidomos ndaj euros.

Transfertat për vitin 2022 arritën thuajse 295 mijë, me një rritje prej 73% krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë i detajon transfertat hyrëse ndërkombëtare sipas bizneseve dhe individëve që prej viti 2015. Shifra e vitit 2022 është më e larta e regjistruara për këtë periudhë kohore.

Duhet theksuar se, transfertat bankare nuk janë kanali i vetëm i hyrjes së tyre. Një peshë edhe më të lartë zënë dërgesat nëpërmjet operatorëve të transfertave të parave apo edhe flukset që hyjnë në rrugë informale.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë janë të disponueshme deri në fund të 9-mujorit të parë të vitit 2022, kohë kur u raportuan remitanca për një vlerë të përgjithshme prej 592 milionë eurosh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, remitancat u rritën me 9.8%, duke shënuar gjithashtu nivelin më të lartë të periudhës 9-mujore që prej vitit 2009. Po t’i referohemi vitit 2021, transfertat bankare hyrëse në llogaritë e individëve përbënin 49% të vlerës totale të remitancave.

Në dekadën e fundit, po shënohet një valë e re emigracionit shqiptar, e drejtuar sidomos drejt vendeve të Europës Perëndimore. Kjo valë ka përfshirë në një pjesë më të madhe profesionistë dhe punonjës të specializuar, që kanë shfrytëzuar kërkesën për punë në tregjet europiane dhe po ushqen një cikël të ri të rritjes së remitancave që dërgohen në Shqipëri.

Përveç remitancave në formën e tyre më të zakonshme, të dërgesave të emigrantëve në formën e ndihmës për familjet e tyre në Shqipëri, në vitet e fundit ka një tendencë të rritjes së të ardhurave nga puna sezonale jashtë vendit dhe sidomos nga ajo në distancë. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin 2022 të ardhura nga puna jashtë vendit kishin vlerën e 311 milionë eurove, në rritje me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kursi mesatar i këmbimit të euros për vitin 2022 zbriti në 119 lekë nga 122.5 lekë që ishte në vitin 2021, teksa monedha europiane pësoi një zhvlerësim mesatar me rreth 2.9%. Gjysma e dytë e vitit 2022 u shoqërua me një tendencë në dukshme drejt një mbiçmimi më të lartë të monedhës vendase. Për tremujorin e fundit 2022, Euro u këmbye mesatarisht me 116.4 lekë, ndërsa për muajin dhjetor kursi mesatar ishte edhe më i ulët, në nivelin 114.9 lekë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH