Aktualitet

Banda e Avdylajve kërcënoi me jetë punonjësit e burgut 313-të

               Publikuar në : 20:43 - 30/05/20 liberale

Dokumente të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm tregojnë se 5 anëtarë të bandës së Avdylajve kërcënuan me jetë punonjësit e burgut 313-të për shkak të detyrës.

Më 23 maj, Astrit e Altin Avdyli, Hajri Seferi, Saimir Gjepali dhe Giovanni Di Cosimo (njohur edhe si Giovanni Petrone) kundërshtuan kontrollin rutinë të qelisë duke kërcënuar dhe ofenduar oficerët e burgut.

Pamjet filmike dhe informacionet e mbledhura nga Shërbimi i Brendshëm tregojnë se gjatë momentit kur punonjësit e burgut kanë konstatuar se të arrestuarit po mundoheshin të hidhnin nga qelia një celular janë përplasur me ta.

Përveç përplasjes fizike, oficerët janë ofenduar dhe kërcënuar me jetë me kërcënime të tipit: “A e din se kush jemi ne…”; “Nuk kontrolloni dot Avdylajt ju…”; “Për 10 ditë unë jam jashtë! Mbaje mend fytyrën time! Do takohemi!”; “Do t’ju qërojmë! Do t’ju heqim qafe!”; “Do t’ju vrasim e presim ju që po na ngacmoni… nuk kontrolloni dot Avdylajt ju”.

Konflikti në fjalë, i ndodhur një javë më parë, ka sjellë edhe një përplasje mes institucioneve pasi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kërkoi vendosjen për 3 muaj në mbikëqyrje të rreptë të të pestë të arrestuarve, kjo me argumentin se veprimet e tyre ishin të qëllimshme për të nxitur revoltë dhe për t’i mundësuar të arrestuarve të tjerë të zhduknin celularët.

Në fakt autoritetet konstatuan në një qeli tjetër pjesë celulari të dëmtuara, ndërsa në momentin e përplasjes nga qelitë ngjitur ka pasur kore dhe thirrje kundër policisë.

Mirëpo Gjykata e Tiranës vendosi pasditen e së premtes të rrëzojë vendimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agrim Ismaili për t’i vënë në izolim 5 të paraburgosurit duke arsyetuar se ndaj tyre më parë ishte vendosur një masë ndëshkuese nga administrata e burgut 313-të dhe se “të arrestuarit nuk mund të ndëshkohen dy herë për të njëjtin fakt penal”, shkruan Euro News.

Vëllezërit Avdylaj, Saimir Gjepali dhe Hajri Seferi janë pjesë e çështjes së njohur si “Vol-Vo 4” dhe “Dosja 339”, ku bashkë me persona të tjerë akuzohen për trafik droge si grup i strukturuar kriminal.

Nga përgjimet e tyre, biseda me funksionarë politikë i kanë përfshinë ata edhe në akuzat e shitblerjes së votave.

Ndërkohë Giovanni Di Cosimo konsiderohet si kreu i një grupi mafioz në Bari. Ai u arrestua një vit më parë në Durrës, ndërsa në muajin shkurt Operacioni Forca e Ligjit i sekuestroi një fabrikë prodhimi produktesh plastike, 12,500 metra katrorë tokë, 4 makina dhe dy llogari bankare me rreth 5 milionë lekë.

Tags: , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back