Kryesore

Bamir Topi: Debatet me presidentin Tadiç për Kosovën

               Publikuar në : 11:22 - 15/05/19 E Liberale

Ish-presidenti Bamir Topi tregon në librin me kujtime “Nocturn” botim i UET PRESS, vizitën historike vetëm pak muaj para pavarësisë. Informacionet për rrezik nga shërbimet e huaja dhe roli i Shqipërisë në këtë proces historik

 Ish-presidenti Bamir Topi tregon në librin me kujtime të sapodalë në treg nga shtëpia botuese UET PRESS, “Nocturn”, vizitën historike në Kosovë, vetëm pak muaj para shpalljes së pavarësisë. Në bashkëbisedim me gazetarin Bashkim Hoxha, ai tregon emocionet e pazakonta të një udhëtimi 35 minuta nga Tirana drejt Prishtinës me avion, i shoqëruar nga një staf prej 100 vetash. Më poshtë po botojmë rrëfimin e ish-presidentit:

Ditët e para në zyrën e kreut të shtetit përkonin me fundin e korrikut dhe kulmin e sezonit të plazhit. Vërtet politika kishte mbyllur një sezon tepër të vështirë dhe protagonistët e saj i ishin drejtuar bregdetit, ndërsa puna më e mirë që mund të bëja unë me bashkëpunëtorët e mi ishte programimi i agjendës politike të institucionit.

Shqiptarët po qartësoheshin për sfidat që do të përbënin dominantin e politikës së shtetit. Në Shqipëri, pas vizitës së presidentit Bush, ishte fituar siguria se viti 2008 do të ishte viti i marrjes së ftesës për t’u anëtarësuar në NATO. Në Kosovë, ditë pas dite opinioni publik po kuptonte se shpallja e pavarësisë do të ishte e afërt në kohë.

Gjatë gjithë muajve të vjeshtës të vitit 2007, vizitat e personaliteteve nga SHBA-ja dhe Europa u intensifikuan së tepërmi. Në të gjitha bisedat diskutohej për reformat në Shqipëri, për pritshmëritë në anëtarësimin në NATO dhe për çështjen e Kosovës, për të cilën po flitej gjithnjë e më hapur dhe gati gjysma e kohës në këto takime shkonte në favor të aksionit diplomatik për pavarësinë e saj.

Në këtë klimë të re gjeopolitike në rajonin tonë, vjen edhe ftesa e parë zyrtare nga presidenti Fatmir Sejdiu, për të vizituar Kosovën gjatë janarit të vitit në vazhdim. Kjo ftesë erdhi pikërisht në kohën kur debati ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës ishte ndezur.

Presidentin Sejdiu e kisha pritur në Tiranë gjatë gushtit. Natyrisht kisha marrë shumë informacion se me çfarë ritmi po ecën procesi. Sejdiu shprehej besimplotë, por imagjinata e tij nuk arrinte të precizonte kohën se kur do të ndodhte. Gjithçka do të bëhej në harmoni e koordinim me partnerët kryesorë në Perëndim.

Politikanët e lartë të Serbisë ishin tepër të irrituar për sa pritej të ndodhte, ndonëse datë të saktë ende nuk kishte. Duke nuhatur dhe më vonë të informuar për vizitën që do të bëja në Kosovë në fundin e janarit, njerëzit e Serbisë filluan të aktivizohen në shumë drejtime. Përveçse politikisht, nuk munguan të vinin informacione se kishin angazhuar në media dhe falangat e tyre në Shqipëri. Gjithmonë është folur për njerëz që punonin për hesap të shërbimeve të shtetit të Serbisë. Një prej tyre ishte interceptuar nga shërbimet tona duke folur me ustallarët e tij, ndërkohë që krenohej me sulmet publike të bëra kundër meje.

Nga ana tjetër, vinin informacione serioze që njerëz me banim në Kosovë, me përkatësi shqiptare, që kishin jetuar dhe instruktuar në Rusi, për hesap të shërbimeve sekrete serbe, ishin instaluar prej disa ditësh në mjediset rreth hotel “Grandit” në Prishtinë. Kjo situatë vinte dhe amplifikohej diku nga prania e një rreziku real, diku pa dashur, duke krijuar një psikozë të panevojshme për mundësinë e ndonjë incidenti serioz gjatë vizitës.

Në bisedë me këshilltarët e mi të sigurisë dhe të diplomacisë u shpreha se vizita do të bëhet dhe çdo pengesë artificiale më duket asgjë para momentit historik të kësaj vizite. Pengesat ishin të parashikuara. Nuk ishte e para herë që serbët ishin kontestues të fortë, madje edhe në takime politike. Në takimin e parë rajonal, ku e takova për herë të parë këtë gjendje e kisha parë dhe te presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i cili ndonëse njihej si lider i moderuar dhe vazhdues i linjës së Zoran Gjingjiq, kryeministrit serb të ekzekutuar, dilte nga moderacioni dhe futej në frymën që përshkon të gjithë serbët, kur bie fjala për Kosovën. Ndonëse kisha pasur debate me Tadiçin për këtë çështje, gjithsesi komunikimi midis nesh do të mbetej korrekt dhe respektues për njëri-tjetrin.

Vizita e parë zyrtare në Kosovë më 25 janar, përkonte me kulmin e dimrit, i cili në Kosovë është i ashpër dhe me temperatura të ulëta.

Një ditë më parë kisha qenë me temperaturë të lartë, pasojë e një gripi që qarkullonte në Tiranë. Për shkak të rëndësisë së vizitës, bëra të pamundurën që të mos anuloja një emision në “Opinion” me Blendi Fevziun, ku do të flitej për vizitën në Kosovë, atmosferën politike që do të shoqëronte këtë vizitë, agjendën dhe pritshmëritë.

Ndonëse askush nuk e kishte dalluar, ndihesha i dërrmuar nga ajo gjendje, por e gjithë vëmendja ishte te vizita e shumëpritur dhe historike, që fillonte të nesërmen dhe që do të zgjaste tri ditë.

Avioni special me 100 njerëz në bord po nisej drejt Prishtinës, në një fluturim që zgjaste rreth 35 minuta.

Në delegacion isha kujdesur të kishte përfaqësues nga Kuvendi, qeveria, njerëz me kontribute akademike, njerëz të artit, kulturës, dhe përfaqësues të të gjithë krahëve politikë. Ndërkohë që avioni po bënte uljen, gradualisht po shfaqeshin fushat e Kosovës dhe ndërtesat e mbuluara me borë. Temperatura e ajrit në Prishtinë ishte -17 gradë. Pritja ishte shumë emocionuese, midis vëllezërve dhe motrave të një gjaku.

Pas kalimit ceremonial, së bashku me presidentin Sejdiu u futëm në bisedat zyrtare, ku ndihej qartë entuziazmi për çka pritej në ditët në vijim. Siç e do rregulli, pas bisedimeve, së bashku me Sejdiun dolëm në konferencë për mediat, ku interesi i gazetarëve ishte i jashtëzakonshëm. Në fjalën time u shpreha se Kosova ndodhej në çastin më të volitshëm të historisë së saj. Koha për marrjen e përgjegjësive dhe vendimeve të mëdha ka ardhur dhe të gjithë duhet ta provojnë se janë të aftë të ndërtojnë një shtet europian, brenda kufijve të Europës demokratike. Përmbushja me dinjitet e këtij misioni të lartë, mbetet edhe aspirata shekullore e qytetarëve të Kosovës, për një shtet të pavarur e demokratik, plotësisht funksionues dhe të integruar në strukturat euroatlantike. Pas fjalës sime vërshuan pyetjet dhe në fokus të tyre ishte zbulimi i faktit se cili ishte qëllimi i vizitës? Një gazetare e re, bionde, që nuk e fshihte dot padurimin për të bërë pyetjen tha:

– Zoti president, a mos jeni ju lajmëtari i Pavarësisë së Kosovës?

Dikush tjetër vijoi:

– A mund të na thoni datën e shpalljes së Pavarësisë?

Pas këtyre pyetjeve duhej të isha shumë i kujdesshëm në përgjigje, për të mos komplikuar pa nevojë situatën, pasi realisht nuk kisha informacion, por, nga ana tjetër, nuk doja të zhgënjeja pritshmëritë.

— Së pari, unë jam mik në Kosovë, por mesa arsyetoj (dhe këtu bëra një ndërprerje duke buzëqeshur dhe duke thënë diçka që vetëm zemra më diktonte), nëse deri tani Pavarësia e Kosovës ka qenë çështje vitesh, e më pas muajsh e ditësh, sot mendoj dhe kam bindjen se dita e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur është çështje orësh.

Pas kësaj fjalie entuziazmi ishte në zenit, ndërsa më brente meraku se shqiptimi i fjalëve “çështje orësh” do të krijonte një keqkuptim të madh, vazhdova:

— Pra, pas shumë përpjekjesh, procesi i zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës ka mbërritur në stacionin e fundit. U takon autoriteteve dhe deputetëve të saj të marrin vendimin e madh.

I afrohem Fatmirit (presidentit) dhe i them me një lloj shqetësimi nëse bëra mirë që fola ashtu dhe ai u përgjigj:

— Shumë mirë!

Në seancën plenare të organizuar posaçërisht, kishte prezencë edhe të pakicave. Në fjalën time të përgatitur me shumë kujdes shpalosa politikën e shtetit të Shqipërisë dhe entuziazmin e shqiptarëve në trevat e tyre historike. Takimi me Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe kryeministrin Hashim Thaçi, më përforcuan bindjen se të gjithë e kishin mendjen te dita e shpalljes së Pavarësisë, që do të vinte fatmirësisht rreth dy javë pas vizitës sime, duke legjitimuar parashikimin dhe shprehjen “çështje orësh”, që ditët në vijim të vizitës do të ngjallte reagime në qarqet politike dhe median e Serbisë.

Pasditja do të më ofronte një emocion të ri. Në Universitetin e Prishtinës, rektori Enver Hasani, në emër të trupës akademike, me vendim unanim gjatë një ceremonie mbresëlënëse do të më akordonte titullin “Doctor Honoris Causa” për kontribute në jetën akademike dhe politike. Lajmi për akordimin e këtij titulli kishte trazuar jo pak ujërat në Tiranë. Bashkëpunëtorët e mi, Arben Cici, por edhe shefi i kabinetit, Dashamir Xhaxhiu, më kishin njoftuar ditë më parë për një mision të çuditshëm të zv/ministres së Jashtme, Edith Harxhi, që ishte kamufluar me interesimin për vizitën time zyrtare (gjë të cilën nuk e kisha besuar). Sipas informacionit, zyrtarja e ministrisë po ushtronte presion te përfaqësuesit e universitetit për të mos më akorduar titullin, madje këtë ua kishte shprehur edhe autoriteteve të larta të Kosovës, që ky titull duhej shtyrë për një herë tjetër, pasi i pari atë duhej ta merrte Sali Berisha. Gjatë vizitës, këta zëra m’u konfirmuan konfidencialisht nga autoritetet atje. Madje gazetat e atyre ditëve kishin dalë me tituj tepër negativë për zv/ministren, që njihej si njeriu i afërt i familjes Berisha. Gazetat shkruanin: “Edit Harxhi, lobing në Kosovë kundër Topit për Berishën”, apo tituj si: “Misioni i dështuar i Harxhit”.

Pavarësisht kësaj klime tensioni të panevojshme, që mund të krijohej vetëm nga një xheloz i sëmurë si Sali Berisha, ceremonia e dhënies së titullit ishte kryer, duke më dhënë emocione të veçanta, pasi në të njëjtin vend ishin vlerësuar me këtë titull Bill Clinton, Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare.

E kalova me elegancë këtë episod, duke i porositur këshilltarët e mi që të mos diskutohej më rreth kësaj çështjeje. Mënyra e sjelljes së Saliut nuk ishte surprizë. Edhe këtë herë nuk më “zhgënjeu” me pabesinë e tij, ndonëse ai gjithmonë shtirej sikur gjërat bëheshin pa dijeninë e tij.

Vizita parashikonte takime me të gjitha partitë politike edhe ato të minoritetit serb. Gjithçka po shkonte për bukuri në këto takime që po zhvilloheshin në mjediset e hotelit “Grand”. Për çudi, i vetmi që kishte kërkuar që takimin ta bënte në zyrat e partisë së tij ishte Ramush Haradinaj, kërkesë e cila nuk m’u duk e arsyeshme dhe nuk u realizua.

Darka do të na mblidhte të gjithëve në restorantin e hotelit me rreth 300 të pranishëm. Ishte atmosfera më e bukur që po përjetoja. Gjithçka ishte shkrirë në një psikozë ngadhënjimi, që ta dhuron pa kushte historia. Fati e deshi që ne ta preknim. Po korrigjohej një mëkat i historisë.

Këngët e të gjitha trevave shqiptare dhe recitimi i paharrueshëm i aktorit Reshat Arbana, emocionuan të gjithë të pranishmit.

Kthimi në apartamentin e hotelit ofronte një mjedis të amortizuar, ngrohje e pamjaftueshme me furnela, ndërkohë që kisha një gjendje me temperaturë të lartë. Vetëm entuziazmi dhe emocionet e forta ma kishin larguar atë gjendje dhe kur rashë në qetësi, fillova ta ndiej drobitjen fizike.

E nesërmja do të më rezervonte një pritje jashtë çdo imagjinate.

Para se të niseshim për në Pejë, Flamur Gashi, diplomat në MPJ të Shqipërisë me origjinë nga Kosova, më njofton se diçka e bukur ishte organizuar në Pejë. Pas udhëtimit që zgjati më pak se një orë na u shfaq qyteti i Pejës, i gjithi i dekoruar me flamuj kombëtar në ballkone e rrugë, të cilat ishin të mbushura me njerëz që përshëndetnin pa pushim. Kur dola nga makina, si pa kuptuar u futa midis turmës te Pazari i Vjetër i qytetit, ndërkohë që shkrirja midis qytetarëve shkaktoi një shqetësim te grupi i shoqërimit.

Dikush prej tyre më thotë në vesh se “duhet mbajtur kujdes z. president, sepse situata është e ngarkuar”, duke pasur parasysh infiltrimin e Shërbimeve Sekrete të Serbisë që ende ishin aktivë në Kosovë. Për një moment kisha harruar informacionin që kisha marrë ditë më parë kur isha në Tiranë.

Pas veprimtarive në Pejë dhe një dreke me bashkatdhetarë të Pejës, pasdite ishte kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Isa Mustafa, që më dorëzoi titullin “Qytetar nderi” i Prishtinës, duke më bërë të ndihesha vërtet si në qytetin tim.

Avioni me të gjithë delegacionin po bëhej gati të kthehej në Tiranë. Presidenti Sejdiu më uroi rrugë të mbarë dhe vazhdoi:

— I dashur Bamir, e ndiej që shumë shpejt do të vish sërish në Kosovën e pavarur. U përqafuam për t’u parë sërish pas pak javësh. Kishim hyrë në një dinamikë tjetër të marrëdhënieve.

Ditët po kalonin shpejt dhe dita e shpalljes së pavarësisë ishte njoftuar. Ishte 17 Shkurti 2008. Kudo në qytetet e trevave shqiptare kishte organizime me flamuj kombëtarë në Prishtinë, Tiranë, Shkup e Podgoricë, por edhe në Greqi e në SHBA dhe Europë, ku jetonin shqiptarë. Flamujt kombëtarë ishin kudo.

17 Shkurti qëlloi një ditë shumë e bukur me diell në Tiranë. Edhe këtu flamujt kombëtarë ishin kudo. Kisha porositur shumë flamuj për t’u vendosur në rrugën pranë rezidencës sime private, për të pritur çastin e madh. Ishim familjarisht në pritje të shpalljes së pavarësisë nga Thaçi, me shishen e shampanjës për ta festuar dhe përjetësuar në fotografi e pamje filmike dhe duke uruar të gjithë shqiptarët nëpërmjet një lidhje direkte me televizionin “Klan”, ku shpreha emocionet, duke e quajtur fitoren më të madhe të demokracisë në Europën Lindore, që nga rrëzimi i murit të Berlinit.

Shikoja babanë, në atë kohë 93 vjeç, i cili përjetonte çastin historik me sy të njomur nga loti i pleqërisë së tij. Sa herë flitej për Kosovën e përjetonte dhe reagonte në mënyrë të veçantë. Ai e thoshte dhe unë e besoja plotësisht, për më tepër në atë moshë të thellë pleqërie:

— Dëgjo mor djalë, më thuj ndonji gjo të mirë për Kosovën, sepse nuk du me vdekë pa e pa të pavarur.

I shpjegoja gjithçka dhe gëzohej si fëmijë. Rreth një vit më vonë do të ndërronte jetë.

Pavarësia e Kosovës kishte korrigjuar gabimet historike, ku data 17 Shkurt, veç të tjerave, do të thoshte fundin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Në ato çaste më kalonin në kujtesë dëshmorët e Kosovës, një pjesë e të cilëve nga Shqipëria, Adem Jasharin, presidentin Rugova, të cilin e kisha takuar disa herë kur vinte në Tiranë. E kisha cilësuar njeri me cilësi origjinale, ndryshe nga shumë njerëz që kisha njohur rreth e qark politikës. Gjatë një darke në restorant “Piaza” në Tiranë, në vitin 2004, ishim afër me njëri-tjetrin dhe, pa iu ndarë duhanit, rrëfente takimin me Millosheviçin dhe keqkuptimet e mëdha rreth presidentit të Kosovës. Qëndrimi i tij kishte qenë dinjitoz dhe, në ato kohë të vështira për Rugovën, të vërtetën do ta certifikonte vetë monsignor Vinzenco Paglia i Komunitetit Sant Egidio, i cili kishte ndërmjetësuar çlirimin nga pengmarrja dhe transferimin e tij për rreth një muaj në Romë, nga ku do të vazhdonte misionin politik e diplomatik për Kosovën. Ajo ditë natyrisht nuk do të mund të përjetohej pa një kontribut të njerëzve fisnikë të botës demokratike.

Beteja për njohjen e Kosovës do të ishte e gjatë dhe impenjative në zyra e takime ndërkombëtare, rajonale dhe biseda bilaterale me liderë botërorë.

Vizita e dytë në Kosovë do të vinte relativisht shpejt, pas Shpalljes së Pavarësisë.

Atmosfera ishte gati fotokopje e vizitës së parë. Mikpritje vëllazërore në çdo cep. Ngado që shkoja për vizitë nderohesha me titullin “Qytetar nderi”. Vështirë se ka ndonjë qytet të rëndësishëm në Kosovë që të mos më ketë nderuar me një titull të tillë. Fjalimi në Kuvendin e Kosovës kishte një strukturë paksa ndryshe nga fjala e një viti më parë. Tani i bëhej thirrje Serbisë që të mësohej të pranonte realitetin e ri dhe të rriste standardin e komunikimit politik, gjë që binte vazhdimisht në vesh të shurdhër. Beteja do të vazhdonte në seancat plenare të Asamblesë së OKB-së që mbahej çdo vit në gjysmën e dytë të shtatorit.

Fjala solemne dhe takimet na impenjonin më shumë për çështjen e Kosovës, pasi integrimi i Shqipërisë kishte marrë rrugë. Në një nga këto seanca, në shtatorin e vitit 2010, presidenti Sejdiu, gjatë mbajtjes së fjalës nga unë, në dalje të sallës më përqafoi duke më thënë:

— Urime vëlla! Më shumë as unë nuk do të kisha mund me thanë për Kosovën!

Kjo atmosferë e përkushtimit ishte në çdo takim, madje edhe kur vizitova për herë të parë e të fundit Beogradin në shtatorin e vitit 2011 me ftesë të presidentit Boris Tadiç, në kuadrin e një takimi rajonal të UNESCO-s për trashëgiminë kulturore dhe nevojën e njohjes dhe shkëmbimit të kësaj kulture. Ndonëse ftesën e Tadiç, të sjellë dorazi nga ambasadori i Serbisë në Tiranë, Zariç, kisha arsye për ta refuzuar, vendosa ta bëj hapin i pari për të futur marrëdhëniet me Serbinë në një fazë tjetër dhe për të folur në Beograd për Kosovën, por edhe në emër të saj.

Tadiçi herë pas here, në sy të presidentëve të tjerë ballkanikë, më drejtonte pyetjen:

— Bamir, a do të më ftosh për vizitë në Shqipëri?

— Sigurisht që po, veç më thuaj a je gati ta vizitosh vendin tim?

Koha po kalonte dhe gjatë një takimi për kafe në Astana, Kazakistan, në sy të të gjithëve i them:

— Boris, së shpejti do të kesh ftesën zyrtare për të vizituar Shqipërinë!

— Me kënaqësi, — tha, — do vij. Dhe biseda devijoi për çështje të tjera.

Me t’u kthyer në Shqipëri, sigurisht edhe pas sugjerimeve të partnerëve tanë kryesorë, momenti ishte tani për ta ftuar, ndaj unë thirra ambasadorin serb duke e njoftuar për ftesën që do t’i shkonte presidentit Tadiç nga Ministria jonë e Punëve të Jashtme.

Sigurisht ambasadori e priti me gëzim, duke më thënë se sapo të arrinte në zyrë do të komunikonte me zyrën e presidentit. Edhe pse ishte ftuar zyrtarisht për vizitë shtetërore, Tadiç nuk arriti të vinte asnjëherë si president i Serbisë. Kur kishin kaluar disa muaj, gjatë një takimi rajonal në Budva të Malit të Zi i thashë:

— Boris, të ftova me sinqeritet, edhe duke parë dëshirën dhe gatishmërinë tënde, por ti nuk ke ndërmend të vish. Marrja e ftesës nuk duhet shfrytëzuar politikisht!

Natyrisht ishte zënë ngushtë dhe pesha e fjalëve të mia e bëri të dalë nga qëndrimi i ngurtë ku të fusin këto biseda.

— Dëgjo Bamir! Unë të falënderoj për ftesën, por me gjithë dëshirën … — dhe e ndaloi bisedën për një çast me dyzimin nëse duhej ta thoshte apo jo një mendim dhe vazhdoi duke nënkuptuar reagimin në Serbi për vizitën e tij: — Janë 4 milionë njerëz atje që më duan “të vdekur”, kështu që do të shohim se kur …

E kuptova qartë situatën dhe në një farë mënyre e kisha parashikuar, duke i thënë një ambasadori të rëndësishëm, që Tadiç nuk do të mund të vijë në Tiranë. Megjithëse kishte ndodhur kështu, unë e pranova ftesën e tyre dhe ambasadori Zariç, që mesa dukej priste të kundërtën, u entuziazmua duke më thënë:

– Faleminderit zoti president! Presidenti Tadiç do të gëzohet që keni pranuar ftesën!

Vizita në Beograd do të bëhej pas rreth një muaji dhe kjo kërkonte një përgatitje speciale për gjithçka do të diskutohej në formë, por edhe në një takim bilateral që ishte parashikuar të zhvillohej në mjediset ku do të zhvillohej Samiti.

Avioni i linjës Podgoricë – Beograd po e përshkonte hapësirën e Serbisë në kuotë vërtet të ulët dhe për 40-45 minuta zbritëm në aeroportin e kryeqytetit serb.

Ndihej një atmosferë e ftohtë te punonjësit e shërbimit, por me korrektësi dhe shpejtësi u bëmë gati të shkonim drejt hotelit. Në mbrëmje ishte organizuar një darkë e kryetarëve të delegacioneve.

Kushtet e sigurisë ishin maksimale. Rrugët ku kalonte makina ime ishin të bllokuara. Qyteti po shfaqej sikurse e kisha parë në dokumentar. Pas një pushimi të shkurtër në hotel do të shkoja në darkën e organizuar për nder të miqve.

Protokolli i Presidencës serbe më njoftoi se ishim gati për t’u nisur në kompleksin presidencial, ku do të takohesha me të gjithë të ftuarit e tjerë.

— Mirë se erdhe presidenti Topi!

— Mirë se të gjeta president Tadiç!

Tashmë gjithçka ishte futur në atmosferën zyrtare, por darka që ishte organizuar në vilën sllovene të Pallatit po relaksohej nga bisedat. Në sfond po këndonte një grup popullor me instrumentistë shumë të zotë dhe hap pas hapi po interpretonin këngë nga të gjitha vendet e të ftuarve. Sigurisht që e njihnin mirë muzikën e ish-Jugosllavisë. Kur gjithçka po vinte në fund, pas bisedave jashtë politikës, ndonëse po e kuptoja që nuk do të kishte këngë nga Shqipëria, Tadiç më thotë:

— Bamir të shoh që ke rënë në mendime!

— Po pres të dëgjoj se si e interpreton ky grup muzikor një këngë të vendit tim!

I vendosur në siklet, i pyeti personalisht nëse dinin këngë shqip dhe pasi mori përgjigje mohuese, më kërkoi falje për pakujdesinë.

— Të mirëkuptoj, — i thashë duke pasur ndërmend të flisja gjerë e gjatë për të gjithë të pranishmit, ku bënte pjesë edhe ministri grek i Kulturës, i cili ishte ulur përbri meje. — Rinia shqiptare e viteve ’60, ’70, ‘80 ka dëgjuar shumë muzikë perëndimore, angleze-italiane, franceze dhe përgjithësisht është njohëse e mirë e saj.

Të gjithë po dëgjonin me kureshtje, ndërkohë presidenti i sapozgjedhur i Kroacisë, Ivo Josipoviç, ishte muzikant dhe pianist.

— Por ne në Shqipëri asnjëherë nuk jemi penguar që të njohim dhe të pëlqejmë muzikën ballkanike.

Duke iu drejtuar në sy ministrit grek i them se “kam parë Marinelën, Parios, Aleksiu etj., dhe më pëlqen muzika greke tradicionale”. Ai po më shihte me admirim për sa po dëgjonte. Gjithashtu fillova të përmend me radhë këngëtarë kroatë si Dragojeviç, serbë si Çoliç apo të Bosnjës si Dino Merlin.

— Meqenëse jemi për promovimin e trashëgimisë kulturore dhe shkëmbimet midis nesh, mendoj se duhet të jemi më të hapur. Kam përshtypjen se keni mbetur në nostalgjinë e kufijve të ish-Jugosllavisë.

Tadiç si për të dashur ta mbyllë bisedën me elegancë, edhe si zot shtëpie tha:

— Bamir, të admiroj për njohjen e thellë të muzikës ballkanike. Të siguroj që herë tjetër do të interpretohet këngë shqiptare nga grupi që do të jetë i ftuar.

Duke i thënë njëri-tjetrit natën e mirë, po e parashikoja që nuk do të kishte herë tjetër në Beograd, për më tepër që debati që do të rezervonte e nesërmja do të ishte i ashpër. Vendi i Samitit Ballkanik ishte në një vendzbulim romak në periferi të Beogradit. Pas takimit bilateral, ku u kërkova veç të tjerave që për çështjet e Kosovës, Beogradi gjithçka duhet ta bënte me autoritetet e Kosovës dhe jo me ato të Shqipërisë, u futëm në takimin e UNESCO-s, ku gjithçka po transmetohej direkt nga televizionet. Pas fjalimit të drejtoreshës Bokova, fjalën e mori Tadiç si mikpritës dhe të gjithë me radhë.

Kur mora fjalën, u them një pyetje e rëndësishme del në këtë takim: Të gjithë po raportojnë për trashëgiminë kulturore në territorin e vendit të tyre, po për trashëgiminë kulturore në Kosovë, ku edhe Serbia është e interesuar për gjendjen e kishave kush do të raportojë?

Dhe menjëherë i drejtohem kryesueses së takimit:

— Kjo është arsye e fortë për të drejtuar pyetjen se pse nuk është ftuar presidenti i Kosovës!

Ndonëse e thënë në Beograd, kjo pyetje do të merrte nuanca provokative, Tadiç e la pa përgjigje dhe pa hyrë në debat. Natyrisht ishte e pabesueshme për ta që tashmë e kishin humbur Kosovën dhe herët apo vonë ajo do të ishte pjesë e tavolinës rajonale. Ndërkohë po vinte fundi i mandatit tim presidencial dhe më vjen një ftesë nga presidentja Jahjaga për të bërë vizitën e tretë zyrtare në Kosovë, të cilën e realizova në fundin e qershorit të vitit 2012.

Një ditë para se të nisesha kisha pësuar një dëmtim të rëndë të kaviljes, pasojë e një aksidenti në mjediset e oborrit të shtëpisë. Ndonëse e pamundur, vizita duhej të kryhej sipas të gjithë ceremonialit. Vizita parashikohej treditore dhe takimet ishin intensive. Në përfundim të ditës, këmba nuk më lejonte asnjë lëvizje. E nesërmja fillonte mirë dhe e njëjta situatë vinte në mbrëmje. Në ditën e dytë në mbrëmje, ndonëse isha tërësisht i pamundur për të lëvizur, më thanë se të nesërmen duhej të vizitoja varrezat e dëshmorëve të familjes Haradinaj dhe për të takuar familjen e Ramushit, ndërkohë që ai vetë ishte në Hagë.

Me vështirësi ekstreme kisha ecur në këmbë edhe për të takuar përfaqësuesit e Ramushit në selinë e tyre, pasi nuk vinin dot në mjedisin ku kishin ardhur të gjithë të tjerët, po me atë vështirësi mbarova vizitën dhe dhashë një intervistë për televizionet duke i uruar atij kthim të shpejtë në Kosovë.

Vërtet pas pak kohësh, Ramushi u lirua nga akuzat dhe kthehet në Kosovë. Ndërkohë kisha pak ditë që kisha dorëzuar presidencën dhe e urova në telefon duke shprehur gëzimin tim. Pak ditë pas këtij momenti Ramush Haradinaj vizitoi Tiranën. I takoi me radhë të gjithë. Ndërkohë nuk ishte parashikuar asnjë takim me mua. Madje nuk u bë asnjë telefonatë për t’u përshëndetur. Mora vesh se Sali Berisha i kishte imponuar që të mos takohej me ish-presidentin dhe siç dukej Ramushi e kishte pranuar këtë kusht të tij./ Gazeta Liberale

(Visited 3 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *