Aktualitet

Balluku në ministerialin e 3-të Botëror për Sigurinë Rrugore

               Publikuar në : 12:53 - 23/02/20 liberale

Balluku në ministerialin e 3-të Botëror për Sigurinë Rrugore, angazhime konkrete në kuadër të Deklaratës së Stokholmit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në Ministerialin e 3-të Botëror për Sigurinë Rrugore, zhvilluar në Stokholm të Suedisë dhe organizuar në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Ky ministerial zhvillohet një herë në pesë vjet dhe i fundit është zhvilluar në 2015 në Brazil. Në konferencën e Stokholmit morën pjesë 1700 delegatë nga 140 vende të ndryshme të botës.

Rëndësia e këtij ministeriali është tashmë evidente dhe nga ombrella që i jep OBSH, pasi siguria rrugore është klasifikuar si një nga strategjitë e OKB, për mbrojtjen e shoqërisë njerëzore, siç janë të drejtat e njeriut, ndryshimet klimaterike etj.

Ministeriali i Stokholmit u hap solemnisht nga mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf dhe ministri suedez i Transportit, si përfaqësues i shtetit mikpritës të këtij eventi të rëndësishëm ndërkombetar, i njohu pjesëmarrësit me Deklaratën e Stokholmit. Kjo deklaratë është një plan veprimi prej 18 pikash, për të reduktuar me 50% fatalitetet dhe dëmtimet nga aksidentet rrugore, gjatë dekadës së ardhshme.

Shqipëria ka bërë një progres të konsiderueshëm në fushën e sigurisë rrugore. Në 6 vitet e fundit numri i aksidenteve rrugore është ulur me 22%, ndërsa numri i viktimave në 10 vitet e fundit është ulur me 36%.

Një rol të rëndësishëm në këtë progres kanë luajtur reformat e thella të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për forcimin e kritereve në procesin e trajnimit dhe të testimit të drejtuesve të mjeteve si dhe ARRSH në eliminimin e pikave të zeza në akset rrugore, projekt ky i mbështetur nga Banka Botërore.

Gjatë punimeve të konferencës ministrja Balluku ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me përfaqësues të Bankës Botërore, me të cilët ka diskutuar dhe detajuar projektin ambicioz të Qendrës së Monitorimit të Trafiku, por dhe projekte të tjera, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e kushteve të sigurisë rrugore. Drejtuesit e BB, pjesëmarrës në ministerial, vlerësuam progresin e bërë në këtë fushë dhe shprehën mbështetjen e tyre për hapat, që do të hidhen në të ardhmen.

Gjatë ministerialit, komisionerja për Transportin në Komisionin Europian, Adina Ioana Vălean, e emëruar rishtaz në këtë detyrë, shpalosi programin e saj dhe kërkoi nga ministrat angazhim të plotë në këtë çështje jetike për njerëzit. Ajo deklaroj gjithashtu se KE e konsideron sigurinë rrugore si një nga çështjet më të rëndësishme për dekadën e ardhshme.

Përmes Deklaratës së Stokholmit, Shqipëria ndërmori angazhimin për zbatimin e planit të masave, për të rritur investimet në infrastrukturë dhe zbatimin e metodave inovative të evidentuara në praktikat më të mira ndërkombëtare, me qëllim përmirësim e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe reduktimin e numrit të fataliteteve si pasoje e tyre. Po ashtu një tjetër angazhim i rëndësishëm ishte ai për të bashkëpunuar në nivel global për krijimin e rrjeteve rrugore më të sigurta dhe për të shpëtuar jetë mbarëbotërisht.

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back