E nisur në Novi Sad dy vjet më parë si Mini-Shengen, iniciativa e Vuçiq, Rama dhe Zaev ndërron emër në Shkup, duke u bërë kështu Open Balkan. E nisur me idenë e bashkëpunimit rajonal, në një kohë zhgënjimesh me BE-në, tre liderët e Ballkanit kanë ftuar edhe shtetet e tjera. Kryeministri i Kosovës u shpreh se nuk e njeh iniciativën
Forumi Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal i bëri bashkë edhe njëherë kryeministrin shqiptar, atë maqedonas dhe presidentin serb. Ndryshe nga takimet e fundit online, kësaj here tre liderët ishin në Shkup, ku edhe e ripagëzuan nismën e Mini-Shengenit në Open Balkan.
Pas deklaratave nga qeveria e Kosovës, ku kryeministri Kurti do ta quante të panevojshme iniciativën që lindi në Novi Sad vjeshtën e 2019-s pasi për bashëpunimin rajonal ishte tashmë Procesi i Berlinit, duket se ndryshimi i emrit kërkon ta bëjë me gjithëpërfshirëse idenë.
Rama është akuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë se po e fut në korsinë e shpejtë ekspansionin e Serbisë në rajon ,e cila kërkon të ringjallë ish-Jugosllavinë, ndërsa dy ditë ë parë do të deklaronte se kritikët do të gjejnë sërish pakënaqësi edhe për emrin e ndryshuar të nismës që synon të heqë barrierat kufitare për lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave.
“Kush thotë që kjo është një nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë se ajo është më e madhe, se do të na marrë gjithë çfarë kemi, së pari jeton në një botë paralele, së dyti jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve, dhe së treti harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe”, do të shprehej Rama në fjalën e mbajtur dje gjatë Forumit.
“Ne jemi këtu për të ardhmen. Çështjet e të shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara nuk ka çështje të së shkuarës si zgjidhje drejt të së ardhmes. Të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi”, ka deklaruar kryeministri shqiptar.
“Unë nuk e kuptoj Malin e Zi për çka mendohet. Mendohet se si të zgjidhë problemin me krahun e punës, duke qëndruar i mbyllur ndaj kësaj nisme, që është një problem serioz për të gjitha vendet, por që në Mal të Zi është bërë një problem shumë i madh. Po Bosnja për çfarë mendohet? Sepse e di për çfarë mendohet Kosova dhe në këtë pikë jam absolutisht me një qëndrim të kundërt, sepse për mua të gjitha këto vende duhet të jenë pjesë e këtij procesi dhe duhet të bëjnë maksimumin në këtë proces për veten e tyre, për njerëzit e tyre, për shoqëritë e tyre dhe për të gjithë së bashku”, ka shtuar Rama.
Kjo nismë ballkanike deri më tani ka promotorë vetëm Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Kosova mban të njëjtin qëndrim, ndërsa me Serbinë ka realizuar dy takime në Bruksel për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Takime që përfunduan pa fryt, pasi pala serbe nuk i pranoi gjashtë pikat e Prishtinës zyrtare. Presidenti Vuccicc madje do të deklaronte se nuk do ta njohë kurrë Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha dje në fjalimin e tij se bashkëpunimi është mundësia e vetme për zhvillimin e rajonit dhe se nuk mbajnë pretendimet se njëri shtet apo shteti tjetër, do të fitojnë më shumë, apo se Serbia do të fitojë më shumë se vendet tjera për shkak të madhësisë si shtet.
“Ajo që në po bëjmë ka për qëllim të tregojmë se të kaluarën mund ta lëmë pas nesh, të shohim drejt së ardhmes, para se gjithash në ngritjen e standardit dhe cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Nga kjo mund të ketë vetëm se përfitime e assesi dëme. Kjo nismë nuk është e orientuar kundër askujt, por drejt qëllimit që qytetarët tanë të bëjnë një jetë më të mirë. Nuk ka gjë më të shenjtë se kjo”, ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke paralajmëruar që nga janari i vitit 2023, nuk do të ketë kufij mes shteteve, apo se do të ketë kufij, por jo ndalesa për qytetarët e tre shteteve.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev u bëri thirrje shteteve të tjera të rajonit për t’iu bashkuar nismës.
“Ne edhe njëherë i ftojmë edhe inkurajojmë edhe kolegët tjerë që të na bashkohen për shkak të popujve tanë. Të gjithë ne jemi Ballkan, të gjithë jemi Ballkani europian”, ka deklaruar Zaev, duke shtuar se bashkëpunimi ekonomik dhe lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, është mundësia e vetme që ky rajon të ketë të ardhme.
“Dua t’ju bind se vullneti ynë politik i presidentit Vuçiç, i kryeministrit Rama dhe i imi është shprehje e përkushtimit tonë maksimal, për sigurimin e të gjitha kushteve që varen nga qeveritë e tre vendeve tona, për bashkëpunim rajonal efikas dhe efektiv. Ky është një vullnet i fuqishëm dhe vendosmëri për të mirën e popujve tanë për lidhjen dhe zhvillimin e ekonomive tona, për ndërtimin e një ekonomie të përbashkët, për zhvillimin e rajonit, për jetë më të mire të çdonjërit prej nesh. Po lidhemi ekonomikisht që popujt tanë një orë e më parë, të ndiejnë përfitimet ekonomike nga lehtësimet që po i bëjmë. Presim që kjo shumë shpejt të reflektohet në buxhetet tona dhe në jetën e standardin e miliona njerëzve që jetojnë në këtë pjesë të rajonit”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ai ka theksuar se e gjithë kjo do të çojë në relaksimin e raporteve mes shteteve në rajon.
“Është një proces autentik i këtyre vendeve që mbeten të hapura dhe për vendet tjera”, tha Zaev.
Zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.
Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Tre liderët Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.
Marrëveshja parasheh ndërtimin e “korsive të shpejta” në pikat kufitare, për kalimin më të shpejtë të njerëzve nga shtetet e rajonit. Ajo përmban edhe dispozita për sa i përket thjeshtësimit të formaliteteve për importin, eksportin dhe lëvizjen përkatësisht transportimin e mallrave; bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale jo-ushqimore.
Marrëveshja e Bashkëpunimit për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe Memorandumi i mirëkuptimit për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, dalin nga Nisma për bashkëpunim të avancuar ekonomik rajonal mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
Dokumentet paraqesin funksionalizimin e iniciativës për të përmirësuar kushtet në lidhje me shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, si dhe iniciativën për bashkëpunim mes vendeve në drejtim të mbrojtjes dhe shpëtimit nga katastrofat.
Forumi i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë mblodhi më shumë se 300 kompani nga këto tre vende, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe evropiane, por edhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve, delegacioneve dhe shoqatave ndërkombëtare.
Shumica e kompanive janë nga sektori i ndërtimtarisë, agro-ushqimit, energjisë, makinerisë, industrisë së automobilave, tekstilit, turizmit, programimit, telekomunikacionit, transportit e fushave tjera. Në kuadër të forumit janë mbajtur edhe takime të shumta të biznesmenëve nga rajoni ku janë shkëmbyer pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
Qeveria e Kosovës: Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë
Qeveria e Kosovës thotë se iniciativa e “mini-Shengenit” është nismë pa vizion për rajonin.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, që deri tani njihej si “mini-Shengeni” Ballkanik.
Nga ky forum, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet tjera në rajon që t’i bashkohen nismës “mini-Shengenit”, si mundësi e vetme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe lëvizjes.
Përmes një përgjigjeje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.
“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore), sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.
Pas takimit të parë në Bruskel me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte propozuar që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ta avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement- Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë) sipas modelit të EFTA-EEA, marrëveshja për Zonën Ekonomike Evropiane, që bashkon në një treg të vetëm shtetet anëtare të BE-së, me tri shtetet që janë pjesë e EFTA-EEA, e që janë Islanda, Norvegjia dhe Lihtenshtajni.
Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Serbia ‘i fal’ të gjitha autokracitë që nuk e njohin Kosovën
Kosova, pavarësia e së cilës nuk njihet nga Beogradi zyrtar, shërben si një prej lidhjeve kryesore të Serbisë me shumë regjime jodemokratike në të gjithë botën. Shumë prej tyre – sikurse Bjellorusia, Kina, Azerbajxhani ose Irani – sipas raporteve përkatëse ndërkombëtare, janë ato që shkelin të drejtat e njeriut, ngufasin liritë e mediave dhe zbatojnë represion ndaj atyre që kanë mendim ndryshe.
Në këmbim të mbështetjes ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, Serbia qëndron anash kur vendet perëndimore u përgjigjen veprimeve të regjimeve jodemokratike me deklarata, rezoluta dhe sanksione.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB), 92 shtete e njohin Kosovën, 96 nuk e njohin dhe pesë shtete janë në një “pozicion fluid”, gjë që, siç shpjegojnë, do të thotë se ato shtete “kryesisht e njohin por nuk votojnë më për Kosovën”.
Këto të dhëna janë kontestuar nga Kosova dhe numri i shteteve që e kanë njohur dhe atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, është edhe një çështje më shumë, rreth të cilës të dyja vendet nuk pajtohen.
Në një takim me ambasadorin e Kubës, Gustavo Trista del Tod, më 28 korrik në Beograd, ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin falënderoi Kubën për mbështetjen e saj për Serbinë “lidhur me ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial” dhe qëndrimin e saj të vendosur për të mos njohur pavarësinë e Kosovës.
Sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme e Serbisë, Vulin e falënderoi ambasadorin kuban edhe për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Gjithashtu, Vulin theksoi se Serbia “e mbështet të drejtën e Kubës për të marrë vendime në mënyrë të pavarur dhe për të rregulluar politikën e saj pa ndërhyrjen e të tjerëve në punët e saj të brendshme”.