Kryesore

Ballkan pazar i Rusisë

               Publikuar në : 10:33 - 11/07/19 Suadela Balliu

Pasi pranoi se Putin dhe Erdogan ishin të interesuar për planin e Vuçiç dhe Thaçit për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, për Zaev-in nuk mund të thuhet “hë se shaka bëri!”. Pazaret ballkanase nuk janë lojë si ajo e telefonuesve hokatarë nga Rusia. Nëse do të ishte lojë, do të ishte nga ato të rrezikshmet…

Suadela Balliu

Kryeministri maqedonas e di mirë se përmbajtja e bisedës së tij me të rremin ish-president të Ukrainës, nuk ishte një lojë dhe se shakaja, jo edhe aq e pafajshme, e dy komedianëve rusë i ka trazuar edhe njëherë ujërat që ishin vetë mjaftueshëm të turbullta në Ballkan.

Ndërsa presidenti Hashim Thaçi nuk e përmban zhgënjimin që mori nga Samiti i Berlinit, duke trumbetuar rëndësinë e rolit të SHBA-së në zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e kryeministri Haradinaj, nga ana tjetër, e ka ende në fuqi taksën 100 për qind për mallrat serbe dhe u ka ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës disa zyrtarëve të lartë serbë, biseda telefonike e publikuar pak ditë më parë në platformën online “YouTube” hedh dritë mbi hollësi të errëta, që e kapërcejnë gadishullin.

Zaev, i bindur se është në një bisedë me ish-presidentin ukrainas Petro Poroshenko, ndan atë që e cilëson si shqetësim të madh për rajonin.

Presidenti i Serbisë dhe presidenti i Kosovës, i rrëfen ai presidentit ukrainas atëkohë, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Biseda e zhvilluar në gusht të vitit të kaluar përkon me kohën kur Thaçi e Vuçiç takoheshin në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Madje thuhej se ishin aq pranë sa në shtator do të realizohej edhe një marrëveshje finale. Atëkohë Vuçiç do të thoshte se si Prishtina ashtu edhe Beogradi kishte nevojë për ndihmën e BE-së dhe SHBA-së, pasi nuk mund të kishte marrëveshje finale nëse edhe Serbia nuk fitonte diçka. Megjithëse bisedimet u mbajtën sekret, zërat flisnin për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh mbi baza etnike, ku veriu i Kosovës, i banuar kryesisht nga serbë, t’u kalonte fqinjëve, ndërsa territori serbojugor i Luginës së Preshevës të vizatohej brenda kufijve të Kosovës.

Përplasja SHBA – Gjermani

Një gjysmëbekim për marrëveshjen mes Thaçit dhe Vuçiçit e kishte dhënë edhe Amerika, përmes këshilltarit për Sigurinë të presidentit Trump, John Bolton. Në një vizitë të tijën në Ukrainë, ai do të thoshte se SHBA-ja do ta përkrahte një marrëveshje mes dy vendeve, edhe nëse do të kishte këmbim të territoreve. Ide aspak e pëlqyer nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ndërsa ajo vizitonte Maqedoninë e Veriut, shtatorin e kaluar, do të shprehej kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, me pretendimin se si Gjermania ashtu edhe BE-ja ishin të interesuar për rajon të qëndrueshëm dhe integriteti territorial ishte kyç për rajonin. Asaj që i druhej kancelarja gjermane ishte vendosja e një precedenti të rrezikshëm në Ballkanin ende pa ekuilibra solidë, që do të hapte kutinë e Pandorës së konflikteve të vjetër.

Zaev i zbulonte Poroshenkos së rremë se ashtu si zonja Merkel, edhe Maqedonia ishte kundër, madje i gjithë rajoni sipas tij e kundërshtonte këtë marrëveshje të fshehtë e të rrezikshme që mund të arrihej mes vendeve.

“Ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për ta përdorur këtë si një praktikë ndërkombëtare”, rrëfente Zaev në fakt për dy komedianë rusë, qëllimet e të cilëve shihen me dyshimin se i kapërcejnë motivet e argëtimit televiziv dhe shkojnë te qëllimet e fshehta të politikave ruse. Zëra thonë se komedianët Vladimir ‘Vovan’ Kuznetsov dhe Alexei ‘Lexus’ Stolyarov janë në fakt të lidhur me shërbimet sekrete ruse.

Zaev, i cili pas bërjes publike të bisedës, ndoshta në padijeni deri atëkohë se kishte folur në fakt me dy komedianët që kanë vënë në lojë edhe liderë të tjerë botërorë, tha se nuk kishte pse të dorëhiqej, përkundër thirrjeve të opozitës maqedonase, sepse nuk kishte zbuluar asnjë sekret që cenonte sigurinë kombëtare të Maqedonisë së Veriut, e vinte në dijeni Poroshenkon rreth një telefonate që kishte pasur me kancelaren gjermane, pikërisht për çështjen.

“Kemi pasur gjysmë ore bisedë telefonike për këtë çështje, sepse unë e shikoj që dikush kërkon ta përdorë këtë fenomen si një praktikë të re ndërkombëtare për të ndryshuar kufijtë dhe që janë vende që kanë plane të lidhura në këtë drejtim, siç është rasti i Turqisë me Qipron apo si Rusia me Abkazinë dhe Ukrainën”, zbulonte Zaev, ndërsa ndante shqetësimin për dëme potenciale të dy rajoneve.

“Ne jemi komplet kundër këtij modeli dhe do të bëjmë gjithçka. Kemi informuar forcat politike amerikane. Madje unë kam informuar edhe vetë zv/presidentin Pence dhe shefin e Departamentit Amerikan, z. Pompeo. Por ne u kemi kërkuar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian dhe sidomos zonjës Mogherini që ta ndalojë këtë lloj aktiviteti, sepse do t’i shkaktojë një dëm të madh Ballkanit”, shprehej Zaev.

Zonja Mogherini, ndërsa ndodhej në Tiranë në maj të këtij viti për Samitin e Brdo-Brijunit, me liderët e Ballkanit Perëndimor do të thoshte në një konferencë për shtyp se nuk kishte pasur plan të fshehtë për ndarjen e Kosovës. Përgjigje në fakt që shkonte ndaj akuzave të ngritura prej kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ndaj shefes së politikës së jashtme të BE-së.

Pyetjes së presidentit të rremë ukrainas mbi rolin e Rusisë në këtë marrëveshje, kryeministri i vërtetë i Maqedonisë së Veriut, i cili atë kohë ishte ende nën efektet e suksesit të arritur me Greqinë për çështjen e emrit, është shprehur se problemi në fakt ishte te Kosova, pasi nuk përbënte ndonjë sekret raporti i ngushtë mes Serbisë dhe Rusisë.

“Mbase ju e dini këtë çështje. Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë dhe disa komuna në jug të Serbisë t’i jepen Kosovës. Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur, sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka andej e këtej kufirit, si serbë edhe kosovarë, dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra. Ballkani do të ishte sërish një fuçi baruti”, vijonte të rrëfente shqetësimin e tij kryeministri maqedonas. Deri më tani, nga deklaratat publike edhe të presidentit Thaçi janë përfolur krahinat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe e drejta e tyre historike për të qenë brenda territoreve të Kosovës.

Por, ndërsa në Kosovë dukej se Thaçi përkrahte rolin e SHBA-së në procesin e dialogut, kurse Haradinaj atë të Gjermanisë, Zaev fliste për të tjerë autorë të fshehtë dhe promotorë të kësaj marrëveshjeje, që, sipas tij, apo informacioneve që ai dispononte, bëhej fjalë për Rusinë dhe Turqinë, të cilët kërkonin ta përdornin më pas këtë si praktikë të re ndërkombëtare; Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë.

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve, që mund të çonte më pas në një marrëveshje për korrigjim kufijsh, do të ndërpritej nëntorin e kaluar, kur kryeministri Haradinaj prezantoi taksën 100 për qind për mallrat serbe dhe ato që vinin nga Bosnja dhe Hercegovina, taksë të cilën nuk e hoqi as me kërkesë të SHBA-së e as me kërkesë të liderëve europianë, si Macron dhe Merkel në Samitin e Berlinit, gjatë muajit prill.

Pikërisht në këtë samit kishte zëra, edhe pse nuk u bënë publikë, se kancelarja kishte propozuar një ide alternative, që do të ishte ajo e sovranitetit të dyfishtë, të cilën presidenti Thaçi do ta kundërshtonte fort gjatë Samitit të Brdo-Brijunit, ku edhe do të shprehej për mediat se plani amerikan nuk është varrosur, sikurse u përfol se vetë Samiti i Berlinit kishte pasur pikërisht qëllimin e varrosjes së planit të shkëmbimit të territoreve.

Nga ky samit, si Thaçi ashtu edhe homologu i tij serb, Vuçiç, do të dilnin të zhgënjyer.

I pari do ta quante marrëveshjen “korrigjim të padrejtësive historike”, ndërsa i dyti do të ankohej se zgjidhja e propozuar prej tij u refuzua ende pa u dëgjuar.

Për të diskutuar më tej rreth rifillimit të mundshëm të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, ishte menduar Samiti i Parisit në korrik, por që në fakt u anulua.

Sipas Thaçit, SHBA-ja ishte shprehur përmes dy letrave që Trump u kishte dërguar atij dhe Vuçiçit, se për procesin e dialogut Kosovë-Serbi nuk kishte vija të kuqe.

Ai që e ka kundërshtuar fuqimisht idenë e shkëmbimit të territoreve është kryeministri Haradinaj, i cili i ka parë tragjeditë ballkanase gjithnjë te çështjet e kufijve e që për të treguar sovranitetin e Kosovës, vendosi taksën mbi mallrat serbe. Por vetë Haradinaj do të binte pre e dy komedianëve rusë në një bisedë telefonike. Pasi kanë siguruar numrin telefonik të kryeministrit të Kosovës nga Zaev, i cili mendonte se po bisedonte me Poroshenkon, dy komedianët kanë telefonuar edhe Haradinajn, edhe pse biseda nuk është publikuar ende. Haradinaj, në një postim në “Twitter”, pati bërë të ditur se e përkrahte mikun e tij, Petro Poroshenkon, për zgjedhjet presidenciale në Ukrainë dhe se kryeministrit të ardhshëm, Vovan Lexusov, personazh i shpikur nga komedianët me kombinimin e emrave të tyre, i dëshiron të gjitha të mirat dhe fitore për ta udhëhequr Ukrainën. Pas publikimit të bisedës telefonike, e cila thuhet se ka zgjatur rreth 50 minuta, do të reagonte kryeministri Haradinaj. “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Jemi bashkë dhe jemi të fortë! Askush nuk do të na ndajë. Sovranitetin, integritetin dhe paprekshmërinë e Kosovës, do ta mbrojmë me çdo çmim!”, shkruante në profilin e “Facebook”-ut kryeministri i Kosovës.

Vetë Haradinaj, pak kohë më parë, do të thoshte se kishte dyshime të bazuara se Thaçi, Rama e Vuçiç kanë biseduar për shkëmbim të territoreve së bashku nën udhëheqjen e Përfaqësueses së Lartë, Frederica Mogherini. Dyshime që, edhe pse të bazuara, kryeministri kosovar nuk mund t’i konfirmonte, por kjo nuk e ndali ta artikulonte publikisht.

Akuzave të tij kryeministri Rama iu përgjigj ashpër në një konferencë për mediat nga Tirana.

“Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën apo për të krijuar një hartë të re për botën, më kujton atë shprehjen që, pa dalë ‘Facebook’-u budallain e njihte vetëm shtëpia e vet. Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe. Çdo shqiptar e kupton që kjo është një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme, në mënyrë që të shitet dhe të blihet në territorin e marrëzisë online”, do t’i përgjigjej Rama homologut të tij. Rama, i cilësuar si kumbari i bisedimeve Serbi – Kosovë, është shprehur se arritja e një marrëveshjeje mes dy shteteve do të shënonte një moment historik, ndërsa qeveria shqiptare do të mbështeste çdo marrëveshje që kishte mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së. Por të zhgënjyer nga zvarritja që, sipas kryeministrit shqiptar, BE-ja po i bën procesit të dialogut, si Rama ashtu edhe Thaçi kanë artikuluar idenë e Shqipërisë së Madhe dhe heqjes së kufijve mes dy vendeve.

Përgjimet nuk kanë vonuar të sjellin reagimet e opozitës shqiptare, që e kanë etiketuar kryeministrin Rama si mbështetës i një sipërmarrjeje shumë të rrezikshme politike.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, është shprehur se biseda e nxjerr qartë rolin, sipas tij, destruktiv të Edi Ramës dhe bërjen palë me axhenda të errëta antishqiptare dhe jo transparente. Sipas Vasilit, përparimi i këtij projekti do ta nxirrte Ramën në rolin e protagonistit, i cili kishte qëndruar në prapaskenë për të marrë përfitimet nga projekti.

Nga selia e PD-së, ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, do të thoshte se rrëfimi i kryeministrit Zaev treguan edhe njëherë se Rama mbështet projektin për ndarjen e Kosovës. Sipas Bumçit, Zaev, përmes kësaj bisede, pohon se projekti për ndarjen e Kosovës është i vërtetë dhe ndryshe nga sa ka thënë kryeministri Rama, është projekt pro serb dhe pro rus.

Një ditë pas publikimit të bisedave, shefi i qeverisë maqedonase do të pranonte se ishte mashtruar, i lumtur se ishte në shoqëri të mirë me presidentin francez, Macron, shefin e NATO-s, Stoltenberg, dhe këngëtarin, Elton John, të cilët kanë rënë pre e komedianëve më herët. Por ndryshe nga ajo çka u dëgjua prej bisedës së tij me presidentin e rremë Poroshenko, Zaev do të thoshte se informacionet për copëtimin e Kosovës i kishte pasur nga media dhe se nuk kishte ndarë hollësi.

Por pasi trazoi “një fshat” të tërë, për Zaev-in nuk mund të thuhet “hë se shaka bëri!” Pazaret ballkanase nuk janë lojë si ajo e telefonuesve hokatarë nga Rusia. Nëse do të ishte lojë, do të ishte nga ato të rrezikshmet …/Gazeta Liberale

(Visited 33 times, 1 visits today)

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *