Aktualitet

Balla tregon arsyen pse PS nuk e zbulon emrin e presidentit

Shkruar nga Liberale
Balla tregon arsyen pse PS nuk e zbulon emrin e presidentit

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla ka folur nga qyteti i Fierit lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Ai tha se të shtunën në mesditë Shqipëria do njihet me emrin e propozuar nga PS, me 20 firmat mbështetëse, dhe do të votohet nga Kuvendi.

“Ne do të shkojmë nesër maksimumi në orën 12:00 me një emër të depozituar bashkë me firmat mbështetëse”, u shpreh Balla.

I pyetur se kë do votojë PS për president, Majlinda Bregun apo Ardian Dvoranin, Balla tha:

“Mos hyni për diskutimin e emrave edhe për pak orë. Ne do mbledhim Kryesinë e PS sot në orën 17:00 e në fund të këtij procesi do shkojmë edhe në grupin parlamentar të PS, prej ku buron në fakt mbështetja që përcakton Kushtetuta. Pra duhen 20 firma deputetësh që të hysh në garë”.

Balla tha më tej se nuk i lejohet ta bëjë publik emrin e presidentit, sepse nuk mund të të dalë mbi kompetencat e grupit parlamentar.

“Padyshim që ne kemi një short-listë përfundimtare e cila duhet të marrë shqyrtimin nga Kryesia e vendimin përfundimtar të grupit parlamentar.Mua nuk më lejohet të hyj në asnjë diskutim emrash në këtë moment se askush prej nesh nuk e ka të drejtën të dalë përtej apo mbi kompetencën që e ka Kryesia apo grupi parlamentar”, sqaroi Balla.

Kujtojmë se deri tani janë djegur tre raundet e para, pa një emër për president. Në raundin e katërt, emri i kandidatit do të vijë nga mazhoranca, e cila njëkohësisht ka edhe votat për miratimin e tij në Kuvend.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH