Kryesore

Autorët e Kolanës “Leteratura”, 2020

               Publikuar në : 09:54 - 16/11/20 liberale

Mes shumë botimeve të reja që Shtëpia Botuese UET Press solli këtë vit të vështirë, për lexuesit shqiptarë të çdo profili, të apasionuarit pas letërsisë së mirë do të kenë rastin të shijojnë disa libra të spikatur për nga vlerat estetike dhe pesha e fjalës artistike, skalitur nga shkrimtarë të afirmuar tashmë në letrat shqipe.

“Andej Baltë, Këtej Erë”, baladat arbërore të ringjallura nga Petrit Ruka

Petrit Ruka boton rrallë; e peshon mirë fjalën dhe kumtin e tij poetik për të mbetur gjatë në kujtesën e lexuesit dhe të letrave shqipe.

“Andej Baltë Këtej Erë” është libri i tij më i ri, botim i UET Press, i cili ngjall magjishëm 15 balada arbërore duke sjellë një tronditje estetike që e hasim rrallë.

“Balanda arbëreshe u vu në qendër të këtij libri për të cilin më janë dashur shumë mundime, derisa u binda se nuk kisha ç’bëja më shumë. Shpresoj t’ia kem dalë mbanë, ky do të ishte një gëzim i vërtetë”, shkruan ndër të tjera Ruka në “Andej baltë, këtej erë”.

“Kur vallë arrin një vepër arti të të bëjë të përlotesh? Mund të jenë edhe ca legjenda, ca balada të rirrëfyera me mjeshtëri të lartë, rrëfime që i ke dëgjuar e lexuar dhjetra herë më parë, por këtë radhë me një vargëzim të përkryer, shtrirë nëpër libër me një frymëzim nga ata të lartët , ku një poet kapërcen gjithçka që të ka mrekulluar më parë dhe të shfaqet shtatë pëllëmbë më lart” – shkruan publicist Pëllumb Kulla për këtë vëllim poetik, i cili tashmë gjendet në të gjitha libraritë kryesore në vend, nën logon e UET Press.

 

Preç Zogaj, me “Tri Novela – Hedhja/Bija e Vjetër e Nënës së re/Kompleksi”

Një triptik i mrekullueshëm që e fton lexuesin në një udhëtim reflektiv për të peshuar kohën që jetojmë, ndjesi të fjetura thellë brenda vetes sonë të shkuar, me emocionin e ritakimit me të bukurën përreth nesh. I quajtur Poeti i Dashurisë, Preç Zogaj mbetet një autor gjithmonë në vëmendje të lexuesit shqiptar. Pas romanit të fundit “Anjeza nuk u zgjua”, Zogaj vjen me këtë triptik novelash që shkrimtari Rudolf Marku i veçon për nga intensiteti emocional dhe kuptimor i tekstit. “Aftësia për të përshkruar realitetin shqiptar është meritë e jashtëzakonshme e autorit. Nga mënyra realiste kthehet vetvetiu në alegori dhe simbol, duke sjellë një vepër ndër më të mirat e prozës shqipe të viteve të fundit.”

Ndërsa “Hedhja” ëshët një novelë e gjatë që përmes lëndës letrare ndërton identikitin e shoqërisë së çoroditur  shqiptare, “Bija e Vjetër e Nënës së re”, sjell përmes një proze të re poetike të autorit, një mjedis surreal. Brenda një realiteti të gjallë ndjesor, koha shkrihet; një bijë e moshuar flet me nënën e saj të re; një burrë dëgjon veten e tij të palindur, t’i japë kurajo së ëmës në udhëtimin më të vështirë të jetës së saj; malli fashit pragjet e ekzistencës për të gjallnuar në kujtime e për tu rrëfyer magjishëm para ikjes nga kjo botë. “Kompleksi” ka një tjetër dritë për të ndezur në skutat tona të nënvetëdijes, aty ku i kanë rrënjët sjelljet tona në përballjen me të tjerët; droja, frika, pasiguritë, dëshirat e mbytura të erotikës. Triptiku i autorit Preç Zogaj, pret tashmë lexuesin të zbulojë magjinë…

 

Mustafa Nano, me romanin sfidues “Një javë në Manastir”

“Një javë në Manastir” është ftesa e autorit Mustafa Nano për lexuesin e tij, në një trill udhëtimi në kohë, në nëntorin e vitit 1908, në qytetin ku u mbajt Kongresi i Manastirit; sepse është një ngjarje kyçe në ngjizjen e identitetit tonë; sepse është shumë më tepër se kronika e një tubimi që përcaktoi fatin e gjuhës sonë; sepse historinë e bëjnë njerëzit dhe ata janë personazhe për t’u rrëfyer, për t’u njohur, për t’u kuptuar; sepse asgjë nuk ndodh rastësisht dhe “Një javë në Manastir”, në nëntorin e 1908-ës e ndërton të gjithë këtë atmosferë në begatinë e lëndës letrare të mbrujtur në kontekstin historik e të ushqyer me gjuhën e gjallë të atyre ditëve. Në zgjedhjen e kujdesshme të personazheve, autori ia beson protagonizmin, Robertit dhe e gjithë ngjarja shihet nga këndvështrimi i këtij anglezi që nënkuptohet të jetë partneri i Edit Durham.

Në një kumunikim intensiv me lexuesin, autori Mustafa Nano, u paraqit në Panairin e këtij viti edhe me “Hinterlandi i Kuq”, një rrëfim autobiografik i pasuruar,  me ngjyra të forta përshkrimi dhe tone të mprehta sinqeriteti në përballjen me veten që harrojmë se e mbartim.

“Vila me tri porta” e Vera Bekteshit në botimin e tretë

Vera Bekteshi me siguri nuk e ka menduar se rrëfimi i saj autobiografik, i shkruar mes përjetimesh të forta, edhe pse me një distancë të gjatë kohore, prej më shumë se 20 vjetësh nga “ngjarjet”, do të njihte botimin e vet të tretë me UET Press, falë “kërkesës” së lexuesit shqiptar.

Autorja rrëfen një kohë të trishtë, por ka stil dhe humor; dëshmon të vërteta të hidhura, por arrin të skalisë njerëzit e thjeshtë, bashkëshoqërues në udhëtimin e dhimbshëm, që mbesin qenie të mrekullueshme kur ke sy t’i shohësh; ajo flet për një mënxyrë, por me fuqinë e njeriut që e do jetën dhe di t’i gëzohet, përtej çdo rrethane.

Autorja është e vetëdijshme se një libër i tillë është shumë më tepër se rrëfim autobiografik. Është rrëfimi i jetës së një brezi që u rrit në bllokun komunist, i një brezi me prindër që kishin arritur në kupolat e pushtetit (natyrisht, me krimet dhe prapaskenat e një pushteti që kishte talent të rrallë për gllabërimet kanibaleske të sojit të vet), e një brezi që kishte ardhur duke i përzënë dhe futur nëpër burgje, apo duke i vrarë pronarët e vërtetë nga Blloku – për t’u gjendur shumë shpejt vetë në anën e të persekutuarve. Ndër skenat më tërheqëse të librit janë ato që duhej të ishin dhe ndër pjesët më të mërzitshme të tij: skenat në internim, skenat në fshatrat e Beratit, skenat me pjesët jo-idilike të punës rraskapitëse në fermat komuniste dhe në fshatrat tërë baltë. Edhe këtë herë Vera Bekteshi e surprizon lexuesin: këto janë ndër skenat më të bukura dhe më terheqëse të librit.

 

“Nën hijen e ëndrrës”, befason Serafina Hasanbelliu

Ky roman me nëntitullin – ndërkohë ti mbijeto – është një ftesë e ngrohtë leximi, për të komunikuar përmes “letrave” që personazhet i dërgojnë njëri-tjetrit me të vërtetat që nuk arrijnë t’i thonë me zë; të “fshehtat’ që nuk duan t’i marrin me vete në botën tjetër, duke i lënë si testament për të gjallët e dashur; “dhimbjet” që u marrin frymën, por që nuk i bërtasin dot, përveçse në Letra…

Nëpërmjet stilit, autorja ndërton një strukturë e cila e mban intensitetin e shtjellimit të ngjarjeve me të njëjtin ritëm, nga fillimi në fund të romanit. Teksa gjendesh në hapësirën e pakohë e të pacak të kësaj vepre, arrin të kuptosh se, rrethanat të kanë shndërruar padashur në një dëshmitar të asaj që po ndodh brenda një plateje që rrihet nga të katër anët nga erërat, shirat dhe dimrat e ashpër që valëzojnë nëpërmjet dritës dhe errësirës. Ngjyresat e stisura në ditënatën e pambarimtë, vetiu ndërtojnë edhe profilet e personazheve të këtij romani. Humbës por aspak të dorëzuar, ata që do të mbijetojnë, së paku do t’i nënshtrohen fatit për të rrëfyer dhe bekuar pasardhësit, me qëllimin e vetëm që këta të fundit të mundin të fitojnë sadopak epërsi dhe distancë, në përballjen e gjithëkohshme me vetveten dhe krijesën tjetër, atë të ngjashmen që e nëm heshturazi me gjakftohtësi e durim të përkorë, prej motesh.

“Zëri i shpirtit tim”, libri që këndohet i Zhuliana Jorganxhi

“Zëri i shpirtit tim,” është përmbledhja e shumëpritur e teksteve të këngëve të poeteshës Zhuliana Jorganxhi; një radhitje e gjithë korpusit të krijimtarisë së autores më serioze dhe më jetëgjatë të teksteve të këngës së lehtë shqiptare. Dhe është rasti më i mirë, që tregon se si individualiteti “privat’’ i një poeteje të talentuar është bërë prej kohësh pronë e të gjithëve ne, një refren brezash. Dhe sot, të gjithë shqiptarët që kanë emigruar, janë me fat që kanë këngën e tyre, një nga më të bukurat: “Ky emër marrë nga deti Jon, / me këngë vale, tund djepin…’’, ose “deti iu bë mal me njerëz / dhe toka det me lotë”. E gjithë kjo vepër e mirëfilltë  krijuese, analizohet  në parathënie nga poetja e mirënjohur Natasha Lako, e cila, veç individualitetit artistik, ve në pah  veçoritë e vargut të Zhuliana Jorganxhi që zë një vend qendror në historinë e muzikës dhe të Këngës Shqiptare. Ndërsa në kapitullin e tretë përcillen vlerësime dhe mbresa të rreth 150 personaliteteve të artit dhe kulturës që kanë jetuar artistikisht dhe kanë bashkëpunuar me të ndër dekada, e, së bashku kanë bërë historinë e ndritur të muzikës dhe të Këngës së lehtë Shqiptare. Ky botim luksoz i UET Press është tashmë në duart e lexuesit, online dhe në libraritë kryesore në vend.

Autorët përballë lexuesve

Edhe pse Panairi i 23-të i Librit Tirana 2020, nuk u mbajt dot si çdo nëntor, UET Press u përpoq të ruante pika takimi mes autorëve, lexuesve, kritikës e medias, duke organizuar disa aktivitete.

Siparin e aktiviteteve e çelëm me promovimin e veprës voluminoze së kritikut të mirënjohur Josif Papagjoni “Vramendje mbi Artin Shqiptar –Fjala-Loja-Imazhi”, një përmbledhje kritikash profesionale në disa lëmi të artit. Të pranishëm në këtë aktivitetet ishin personalietete të fushës së artit dhe kritikës si Stefan Çapaliku, Sadik Bejko, Gëzim Kame, Gjergj Prevazi, Ferid Hudhri, Abaz Hado, Çerçiz Loloçi, Aleksander Çipa, etj, të cilët çmuan  peshën  e Kritkës dhe të posaçërisht të profesor Josifit, si ndër kritikët e pakët aktivë në mjedisin artistik shqiptar, si edhe kontributin e vyer të UET Press në mbështetjen e botimeve të tilla që i vlejnë shumë shoqërisë shqiptare.

Studentë të Arteve në UET u njohën me tre vepra të rëndësishme, të cilat mbeten një ftesë e vlerë leximi për ta, në formimin si artiste:  Romani “ Kohë pas Kohe” i autores Lisa Grunëald, sjellë në shqip  nga Anisa Trifoni; “Dy Botë paralele” i autores së mirënjohur postmoderiiste Ali Smith, përkthyer nga Elisa Ivanaj dhe “Anatomia e Njeriut për artistët” një tekst i jashtëzakonshëm formues për  studentët, nga autori  John Raynes, sjellë në shqip  nga Gejsi Tafa, pedagog pranë departamentit të Arteve në UET.  Në bashkëpunim me Shtëpinë dinjitoze Botuese Ombra GVG, ky aktivitet u zhvillua nga UET Press në kuadër të Panairit të 23-të të LIbrit Tirana 2020.

“Vila me tri porta” e autores Vera Bekteshi, në botimin e saj të tretë dhe Letërsia e Kujtesës, si një portë komunikimi me veten tonë identitare. Çfarë vlere ka dhe pse pëlqehet nga lexuesi shqiptar?  Studiuesi Ilir Yzeiri, shkrimtarët Diana Çuli, Loer Kume, Mimoza Ahmeti e të tjerë të pranishëm u ndalën në veçantitë e rrëfimit të shkrimtares Vera Bekteshi, e cila në këtë roman sjell si në magjinë e një filmi jetën e  shqiptarit dhe veçanërisht të gruas shqiptare, në diktaturë dhe post diktaturë. Kronikë e një kohe të jetuar me përthyerje të forta, rrëfyer me stil dhe përshkrime mbresëlënëse, humor në groteskun e hidhur të një burgu të madh; një ftesë e gjithkohshme leximi nga botimet UETPress.

Aktivitetet e UET Press në  kuadër të Panairit të Librit, vijuan me promovimin e librit më të ri të autorit Preç Zogaj,” Tri Novela – Hedhja/Bija e Vjetër e Nënës së re/Kompleksi “Shkrimtari Rudolf Marku dhe gazetarja Fatmira Nikolli prezantuan novelat e reja para miqve të shumtë të autorit të pranishëm në këtë takim, duke dëshmuar se letërsia e mirë i mbijeton vështirësive si kjo që po përcjellim me pandeminë.

Këtë libër si edhe botimet e tjera të UET Press, mund t’i gjeni në platformat e dedikuara të librit online, si Panairi i LIbrit, Bukinist e të tjera, si edhe në rrjetin e librarive në vend. /Gazeta Liberale

 

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back