Kryesore

Autorët dhe veprat fituese të Çmimit “Kadare” ndër vite

               Publikuar në : 11:59 - 11/01/21 liberale

Çmimin “Kadare” 2019, e fitoi Loer Kume si përfaqësuesi i një brezi të ri shkrimtarësh, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”.

“Loer Kume, përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare, larg komercializmit dhe të zakonshmes ne letërsi”, ishte motivacioni i këtij çmimi.

Në vitin 2018, fitues i Çmimit “Kadare” ishte shkrimtari Virgjil Muçi, autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari e cila zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë, në lëmin e kritikës letrare dhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm. Muçi u vlerësua me veprën në dorëshkrim “Piramida e shpirtrave”, me motivacionin “Për mënyrën sesi ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor”.

Shkrimtari Musa Ramadani është fitues i Çmimit Letrar “Kadare” 2017, me romanin “Profeti nga Praga”. Ky çmim u shpall nga ish-ministri francez i Kulturës, Frederic Miterrand me motivacionin: “Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

Autori Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji” ishte fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016, “për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që u garanton këtyre tri novelave dhe autorit një hyrje në letrat shqipe.”

Fituesi i parë i Çmimit “Kadare” 2015, ishte shkrimitari Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.” Me një narracion linear dhe shpesh me një thjeshtësi penetruese, autori Rudolf Marku ndjek e analizon në këtë roman fatin e intelektualit shqiptar Viktor, në imigracion, por ky intelektual mund të ishte fare mirë, çek, rumun, gjermano-lindor, duke i dhënë kësaj vepre atributet e letërsisë pa kufinj gjeografikë. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back