Aktualitet

Atentati në “Don Bosko”, vëllai i Crrojit: U burgosëm në Francë për trafik qeniesh njerëzore

Shkruar nga Liberale
Atentati në “Don Bosko”, vëllai i Crrojit: U burgosëm

Hetuesit kanë marrë në pyetje vëllain e Edmond Crrojit, një prej personave i cili mbeti i plagosur dy ditë më parë në atentatin në afërsi të Spitalit të Traumës.

Dyshimet e policisë janë se Crroji mund të jetë një prej shënjestrave të agresorëve të cilët qëlluan në drejtim të tavolinës ku po qëndronin 5 persona. Urim Crroji, i njohur ndryshe dhe si Andi Duka, ka dhënë dëshminë e tij para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ndërsa tregon detaje lidhur me të shkuarën e vëllait të tij.

“Rreth orës 14:30 fola me vëllain tim dhe më tha se ishte në një lokal. Sqaroj se unë dhe Edmondi kemi bërë burg në Itali për lëndë narkotike dhe trafik qeniesh njerëzore në Francë. Në lidhje me viktimën Erionin, di që ka biznes tabakino, po ashtu viktima dhe vëllai i tij Blerimi janë marrë me lëndë narkotikësh në Itali”.

Një tjetër person i cili mbeti i plagosur është dhe Arben Dani, kushëri me Edmond Crrojin. Ai tha për hetuesit se pak para se të ndodhte ngjarja kishte shoqëruar bashkëshorten në punë dhe pasi ishte futur në lokal ku ishte dhe kushëriri i tij u dëgjuan krismat.

“Shoqërova bashkëshorten në punë, pas pak jam ulur në lokal me kushëririn tim Edmond Crroj. Në një tavolinë tjetër ishin vëllezërit Çela, u bashkuam  dhe pak më pas kemi dëgjuar krisma. Unë u futa poshtë tavolinës dhe më pas ika në tualet pasi të shtënat vazhdonin. Aty kuptova që isha plagosur”.

19-vjeçari Selimaj tha se sapo dëgjoi krismat ishte shtrirë në tokë, ndërsa pronari i biznesit, Eneldian Aldushaj, u shpreh se për ngjarjen e kishte mësuar nga banakieri: “Më telefonoi banakieri dhe i thashë shiko kamerat. Viktima dhe të plagosurit vinin shpesh dhe kanë qenë një ditë ose dy ditë më parë në lokal”.

Dëshmitë e siguruara nga hetuesit tregojnë se atentati ndaj tyre ka qenë i mirëorganizuar, ndërsa viktimat ndiqeshin prej disa ditësh. Makina e atentatorëve, një Benz E Class i zi me targa të vjedhura, u largua në drejtim të Laprakës, ndërsa policia nuk mundi të bjerë në gjurmët e tre personave që lëviznin me të.

Nga ana tjetër, celularët e të plagosurve janë dërguar për ekspertim, ndërsa policia i gjeti Edmond Crrojit 1650 euro dhe një bllok shënimesh, në të cilin janë shkruar disa shifra.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH